Me kërkesë të serbëve dhe romëve, KMDLNj viziton burgun në Mitrovicë

  • 31 May 2016 - 15:43
Me kërkesë të serbëve dhe romëve, KMDLNj viziton burgun në Mitrovicë

Me kërkesë të të paraburgosurve serbë dhe romë , Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka vizituar Qendrën e Paraburgimit që gjendet në veri të Kosovës , përkatësisht në Mitrovicën e veriut pas ndarjes administrative të Mitrovicës në dy komuna.

Monitorues të KMDLNj -së u takuan me të paraburgosur serbë dhe romë që i parashtruan kërkesat e tyre për KMDLNj -në në fushën e respektimit të drejtave të njeriut dhe kërkuan ta vuajnë dënimin apo masën e paraburgimit afër vendit ku jetojnë.

“ Kjo ishte thuaja kërkesa e parë dhe gatishmëria që serbët dhe romët e dënuar apo të paraburgosur të dërgohen në qendrat e tjera të paraburgimit apo qendrat korrektuese duke mos refuzuar të jenë së bashku me shqiptarë dhe të tjerë”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNJ në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë ka rregull , higjiena është në nivel të duhur mirëpo kjo qendër nuk i plotëson kushtet që aty ta vuajnë dënimin të dënuarit me burg afatgjatë ndërsa të tillë ka. Për KMDLNj- në është brengosës fakti se 11 janë të paraburgosur, kurse 27 të dënuar kurse Burgu në Mitrovicë nuk është Qendër Korrektuese por Qendër e Paraburgimit”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

KMDLNj rekomandon Shërbimin Korrektues të Kosovës të krijojë kushte për të dënuarit sikur edhe në pjesët e tjera të Kosovës në përputhje me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Është inkurajues fakti se personat e privuar nga liria në këtë Qendër të Paraburgimit në Mitrovicë nuk kanë asnjë vërejtje me sjellje të stafit korrektues dhe udhëheqësve të këtij institucioni. Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë i plotëson kushtet për të paraburgosurit por jo edhe për të dënuarit ndonëse shumica e tyre gëzojnë benificione , qoftë duke punuar jashtë objektit të burgut ( 17 të dënuar ) qoftë duke i shfrytëzuar pushimet e fundjavës në shtëpi.

(Kosova Sot)