Ikin Roshi dhe Xhelili, zgjedhje të parakohshme në dy ish-bastione të PD

  • 31 May 2016 - 15:49
Ikin Roshi dhe Xhelili, zgjedhje të parakohshme në dy ish-bastione të PD

Në Kavajë dhe në Dibër do të rimbahen zgjedhjet lokale, vetëm 1 vit pasi u zgjodhën kryetarët e bashkive, përkatësisht Elvis Roshi (PS) dhe Shukri Xhelili (PS-LSI).

Zgjedhjet e parakohshme mbahen pikërisht në dy zona, që kanë qenë bastione të PD, por që në zgjedhjet e fundit (qershor 2015) u fituan nga të majtët.

I Pari i Kavajës, Elvis Roshi, dha dorëheqjen sot, pasi papritur i doli një njollë në biografi. Kishte qenë i dënuar (pa e ditur) kur kishte qenë 16 vjeç për kalim të paligjshëm në Itali.

Roshi e kishte mandatin e dytë në krye të bashkisë së Kavajës, duke mundur demokratët që e kanë patur bastion të tyre Kavajën, pasi aty ishte zgjedhur deputet prej vitesh edhe Sali Berisha. Data e zgjedhjeve pritet të shpallet nga Presidenti, pasi Kryeministri të ketë pranuar zyrtarisht kërkesën e dorëheqjes së Roshit.

Sakaq, Shukri Xhelili u shkarkua disa javë më parë, pas publikimit të një videoskandali ku i kërkonte seks një punonjëseje të Bashkisë. Por data e zgjedhjeve ende nuk është shpallur pasi Xhelili e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë.

Dibra ishte një tjetër bastion që iu rrëzua demokratëve në zgjedhjet e vitit të kaluar. Pas katër mandateve të Ilir Krosit të PD­ së, dibranët ia besuan Bashkinë kandidatit të së majtës Shukri Xhelili, i cili e fitoi me rreth 400 vota.

(Koosva Sot)