Kroi që hoqi mjegullën

  • 31 May 2016 - 16:53
Kroi që hoqi mjegullën

Rrjedha e ujit që ndryshoi historinë e Llapushnikut me rrethinë

Azem Gashi: Bereqetet e fshatit dhe rajonit pengoheshin nga rrjedha e ujit

“Dikur ka ekzistuar një krua, i cili u ka shërbyer banorëve, porse tani ky burim i ujit është i shteruar. Sipas të parëve tanë, të cilët edhe ata kanë dëgjuar nga më të vjetrit, mësohet se rrjedhja e ujit në këtë anë paska sjellë mjegull dhe i paska penguar banorët të merren me bujqësi. Veçanërisht të mbjellat, drithërat, thuhet se nuk kanë qenë frytdhënëse pikërisht për shkak të ujit që ka rrjedhur, e që për pasojë ka sjellë mjegullën”, është shprehur plaku Azem Gashi

 

Image

Brez pas brezash, banorët e fshatit Llapushnik të Drenasit kanë mësuar për kroin e madh që ka një rrjedhshmëri të madhe të ujit. Ndërkohë, gjithnjë sipas banorëve të këtij fshati, uji ka shteruar, jo nga natyra, por nga dora e njeriut. Për më shumë rreth shterimit të këtij kroi dhe në përgjithësi të ujit në këtë vend, kemi mësuar nga i moshuari i këtij fshati Azem Gashi, i  cili na rrëfeu për një histori interesante e që sigurisht se e kishte mësuar nga të parët e tij.

 

Image

 

Thekson se ka dëgjuar se disa rusë, së bashku edhe me disa qytetarë të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës, paskan qenë iniciatorë për ta mbyllur këtë burim të këtij kroi, ngase, sipas Azemit, rrjedhja e ujit në këtë vend paska ndikuar që kjo zonë, por edhe përreth, të jetë e kapluar nga mjegulla, duke pamundësuar kështu që të përparonin drithërat që ishin edhe burim i ushqimit për banorët në atë kohë.” Po, dikur ka ekzistuar një krua i cili u ka shërbyer banorëve, porse tani ky burim i ujit është i shteruar. Sipas të parëve tanë, të cilët edhe ata kanë dëgjuar nga më të vjetrit, mësohet se rrjedhja e ujit në këtë anë paska sjellë mjegull dhe i paska penguar banorët që të merren me bujqësi. Veçanërisht të mbjellat, drithërat, thuhet se nuk kanë qenë frytdhënëse, pikërisht për shkak të ujit që ka rrjedhur, e që për pasojë ka sjellë mjegullën”, është shprehur Gashi, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

 

Me të ndaluar burimin, mjegulla është larguar

Gashi ka shpjeguar gjithashtu se kanë qenë një grup rusësh dhe të tjerë të cilët paskan insistuar që ta pengojnë rrjedhën e këtij burimi dhe paskan gjuajtur gjithçka në këtë vend duke u munduar që ta pengojnë rrjedhën e ujit. “Kanë hedhur gjithçka, mbeturina dhe lesh të deleve, vetëm e vetëm për ta penguar që uji mos të rrjedhë në atë vend”, ka pohuar Gashi, duke shtuar se pas një kohe uji qenka ndalur së buruari në atë vend. E, për këtë histori, Gashi thotë se kanë treguar edhe disa banorë nga Shqipëria, të cilët kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Ndërsa kjo gjë qenka mësuar nga takimet që janë bërë në mes të qytetareve kosovarë dhe atyre të Shqipërisë. Por, çfarë  ka ndodhur pastaj me mjegullën? Gashi ka shpjeguar për gazetën se pas kësaj ndodhie, pra me të ndaluar burimin, mjegulla është larguar, duke mundësuar kështu që të ketë më shumë diell në këtë anë, e që njëkohësisht u ka mundësuar që të përparojnë edhe të mbjellat  dhe banorët të sigurojnë ushqimin, gruri ka qenë pothuajse bereqeti i vetëm që kanë marrë banorët. ”Është thënë se mjegulla qenka larguar së bashku me burimin e ujit dhe të mbjellat paskan përparuar duke u mundësuar banorëve të mos kenë pengesa, të paktën në sigurimin e ushqimit për familjet e tyre”, është shprehur Gashi.

Image

 

Presioni i madh i banorëve

Ndryshe tani ky fshat ka prapë ujë, po jo si dikur, ndërsa kroi, i cili mendohet të jetë penguar së rrjedhuri për shkak të mjegullës, më nuk rrjedh ujë. Banoret gjithashtu kanë njoftuar se tani ka ujë në fshatin e tyre, por jo si dikur. “Tani ka ujë, por në përgjithësi fshati, ka ujë më pak”, tha Gashi rreth të 80-tave, duke bërë me dije se kjo është historia që ka dëgjuar për kroin e madh të fshatit të vendlindjes së tij. Por, as sot e kësaj dite nuk dihet saktësisht se me çfarë qëllimi është ndaluar rrjedhja e ujit të këtij burimi. “Neve na kanë thënë kështu, por ende nuk dimë se çka saktësisht ka ndodhur atëherë dhe pse ka qenë ai presion aq i madh ndaj banorëve të asaj kohe për të mbuluar këtë krua me të vetmin qëllim për të penguar rrjedhën e ujit në këtë fshat”, thekson ai. Ndryshe, në një vizitë që i bëmë këtij fshati pamë se bëhej fjalë për një fshat me një bukuri të rrallë, ndërsa rruga deri tek hapësira ku mendohet se ka pasur shtrirje ky krua ishte një rrugë vështirë e kalueshme. Sido që të jetë, mbetet e ardhmja të dëshmojë se a do të kthehet ky burim serish aty ku ka buruar para më shumë se 200 vjetësh, apo do të mbetet në kujtesa e banorëve si një histori në vete, e padefinuar saktësisht se cili ka qenë qëllimi i zhdukjes së këtij burimi. Banorët thonë se vetëm ndonjë mrekulli mund ta kthejë burimin e dikurshëm, ku uji kishte buruar furishëm.

(Kosova Sot)