KOMF kërkon nga MSH përkujdesje më të madhe për fëmijët

  • 31 May 2016 - 18:12
KOMF kërkon nga MSH përkujdesje më të madhe për fëmijët

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF i cili përfaqëson njëzet e dy organizata jo qeveritare, njofton se, sot me 31 maj 2016 përmes një dokumenti, i është drejtuar ministrit të shëndetësisë Imet Rrahmani, lidhur me gjendjen e fëmijëve në sistemin shëndetësor në Kosovë, njofton kumtesa nga KOMF, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

KOMF vlerëson përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për hartimin dhe plotësim - ndryshimin e legjislacionit, por konsideron që investimet e ulëta në sektorin e shëndetësisë pengojnë zbatimin e legjislacionit duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve.

Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë mbesin ndër më të ulëtat në rajon. Për vitin 2016, rreth 11% e buxhetit total të Republikës së Kosovës është ndarë për sistemin shëndetësor. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve vazhdojnë të pengojnë qasjen në kujdesin shëndetësor, me theks grupet e rrezikuara. Kjo edhe si pasojë e mos zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

Raporti i Progresit për vitin 2015, vlerëson që nuk është bërë progres në: të drejtën për kujdes shëndetësor jashtë vendit, shërbimet farmaceutike, shëndetin mendor, parandalimin e abuzimit me droga, pabarazitë në shëndetësi dhe diagnostifikimin e sëmundjes së kancerit. Njëherit, shërbimet shëndetësore për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara mbesin të pa mjaftueshme.

KOMF shpreh shqetësimin për vonesat në furnizimin me barna të listës esenciale në QKUK, sidomos për mungesën e barnave në Klinikën e Pediatrisë, Pediatrisë Intensive dhe Repartin e Hematologjisë, ku mungesa e barnave të nevojshme për fëmijët mund të sjellë pasoja të mëdha për shëndetin e tyre madje dhe vdekjeprurëse për fëmijët.

KOMF rekomandon fuqishëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, që të rrisin investimet në sektorin e shëndetësisë, me qëllim implementimin dhe zbatimin e reformave dhe politikave në sektorin e shëndetësisë, që ndikojnë në sigurimin e shërbimeve cilësorë për fëmijë, si dhe ndërmarrjen e të gjitha hapave për zbatimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

KOMF rekomandon Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e qëndrueshëm të barnave në QKUK, për të garantuar që këto barna esenciale të mos mungojnë asnjëherë në repartet e lartpërmendura.

E drejta e fëmijës për trajtim shëndetësor të duhur dhe të dinjitetshëm garantohet me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës – KDF , Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Shëndetësi .

KOMF kupton kufizimet buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës, por njëherit bën me dije që të drejtat e fëmijëve në sistemin shëndetësor po cenohen rëndë në Kosovë.

(Kosova Sot)