Parisi do të ngrejë kampin e parë të azilkërkuesve

  • 31 May 2016 - 18:13
Parisi do të ngrejë kampin e parë të azilkërkuesve

Në Paris do të ndërtohet kampi i parë i refugjatëve, për azilkërkuesit që kanë mbërritur në kryeqytetin francez. Anne Hidalgo, kryetarja e bashkisë së Parisit, është shprehur se kampi do të jetë në përputhje me rregulloren e Kombeve të Bashkuara dhe do të ofrojë strehim për emigrantët.

“Kemi identifikuar disa zona në veri të Parisit, ku mund të krijojmë një qendër konform kushteve të OKB-së”, tha Hidalgo.

Vendi i saktë se ku do të ndërtohet kampi nuk është bërë i ditur, por sipas Hidalgos, gjithçka do të përfundojë brenda 6 javësh.

Ajo tha se kampi i ri do të jetë i ngjashëm me atë të Dunkirk-ut në veri të Francës, i cili u hap po këtë vit.

Kabina druri janë ndërtuar atje për të strehuar mbi 2500 njerëz, shumë prej të cilëve presin të arrijnë në Britaninë e Madhe, ndërsa qindra të tjerë jetojnë në atë që njihet si “xhungla” e Calais-it.

(Kosova Sot)