Jashtë politikës mund të vdesësh për bukë

  • 31 May 2016 - 07:53
Jashtë politikës mund të vdesësh për bukë

Për faktin që  Kosova akoma është një demokraci e brishtë, një shtet me  çalim të madh në  fushën e forcimit të  shtetit ligjor, perspektivës  zhvillimore,  mundësia e vetme për të arritur një hap simbolik në jetë, qoftë  në një segment minimal të profesionit, në karrierë apo edhe në biznes , mbetet lidhja e ngushtë me politikën dhe  bërja e një lloj  lidhjeje  reciproke  “aksionare” e biznesit të cilësdo fushe me partitë politike, veçmas me ato në pushtet. Kjo formë e  degradimit të demokracisë në një shtet të ri, sikur është Kosova, ka bërë që edhe shoqëria të politizohet skajshmërisht, ngase mundësia e veprimit të lirë është e kufizuar, për shkak të hapësirës së ngushtë nga veprimi dhe kushtëzimet e  një brezi politik të inkriminuar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Njohësit e  realitetit aktual në Kosovë theksojnë se kjo është ngufatja më e rëndë që mund t’i shkaktohet përpjekjes për ndërtimin e një shoqërie moderne, demokratike. Profesori i mirënjohur Muhamet Kelmendi tha për “Kosova Sot” se është realitet i pamohueshëm që në shoqërinë re transitore të Kosovës, për të arritur suksese qoftë në politikë si një profesionist meritor, qoftë në  organet e shtetit dhe në ekonomi, deri edhe në diplomaci, madje edhe po të jesh ekspert me  kualifikim të lartë e pasuniversitar, një kriter kryesor që duhet të përmbushet është lidhja e fortë me politikën.

Korrupsioni, i thellë

Sipas Kelmendit, nuk ka mundësi askush të arrijë ndonjë punë në hierarki dhe as në kualifikim pa lidhje politike. “Askush nuk mund të futet, madje as në biznes, në skenën ekonomike, pa lidhje me politiken, dhe pa i bërë kompetentët e skenës politike “bashkëpronarë” të ekonomisë- biznesit. Ndërsa, kur është çështja e tenderëve, asnjë subjekt ekonomik nuk mund të marrë tender pa e marr politika përqindjen e vet, e cila po reflektohet shumë ashpër në kualitetin e punës në terren, sepse përqindja po e kushtëzon kualitetin, e cila varet kryesisht nga puna që është vjedhur”, theksoi ai. “Kjo ndërlidhje midis ekonomisë, politikës dhe partive është e thellë. Ajo fillon nëpër komuna dhe kalon te pushteti shtetëror, deri te lidhjet e ashpra midis bordeve dhe ekonomisë,  lidhje e cila po shpërfaqet  në formë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar”, tha prof. Kelmendi.  Ai ka pohuar se, aktualisht, këtë  formë të veprimtarisë është vështirë ta luftosh, sepse  shteti dhe mekanizmat e tij janë të korruptuar...(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)