Kërkojnë minimumin e privilegjeve të deputetëve

  • 31 May 2016 - 19:31
Kërkojnë minimumin e privilegjeve të deputetëve

Kuvendarët duhet të largohen nga kategoria e zyrtarëve të lartë publikë

“Anëtarëve të kuvendeve komunale, në sistemin aktual të qeverisjes, do të duhej t`u lejohet edhe ndonjë punë tjetër e rregullt, në të kundërtën do të ketë degradim të mëtejmë të qeverisjes lokale”, thotë Mehmeti, raporton Gazeta Kosova Sot

Vendimmarrësit komunalë në Gjilan shprehen të pakënaqur me pozitën e tyre, për shkak se nuk gëzojnë as minimumin e të drejtave dhe privilegjeve që kanë deputetët e Kosovës, të cilët për vete kanë paraparë edhe pensione të mira pasi të përfundojnë mandatin. Arben Mehmeti (LDK), këshilltar komunal në Gjilan, në disa përbërje, thotë se do të duhej të rishqyrtohej mundësia që edhe pozita e anëtarëve të kuvendeve komunale të rregullohet më mirë, që ata t`i gëzojnë të paktën gjysmën e të drejtave dhe privilegjeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Këtë çështje e ka ngritur edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. “Si kategori politike dhe juridike, çështja e anëtarëve të kuvendeve komunale duhet të trajtohet dhe rregullohet me një ligj të veçantë, që i adresohet vetëm kësaj kategorie e jo të trajtohet me ligje të tjera e udhëzime të ndryshme, që ulin në masë të madhe rëndësinë e këtyre shërbyesve publikë”, thotë Mehmeti. Sipas tij, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) dhe Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) duhet të kërkojnë që kuvendet komunale, respektivisht anëtarët e tyre, të trajtohen më mirë, meqë sipas ligjit të vetëqeverisjes lokale janë organet më të larta të pushtetit lokal. “Kuvendet dhe kuvendarët nuk janë vetëm një mekanizëm teknik i votimit”, thotë ai.

Nuk ka cilësi me këtë trajtim


Mehmeti thotë se për anëtarët e kuvendeve komunale që kanë më tepër se tri mandate, duhet të zbatohen norma juridike afërsisht të ngjashme me ato që sigurojnë privilegjet e deputetëve. “Është koha e fundit që kjo të bëhet, ndryshe cilësia e punës së tyre nuk mund të jetë në nivelin e duhur”, thotë Mehemti. “Përderisa anëtarët e kuvendeve komunale trajtohen në këtë mënyrë të padinjitetshme, nuk do të duhej të pritet cilësi në vendimmarrje”, thotë ai. Mehmeti mendon se anëtarëve të kuvendeve komunale, në sistemin aktual të qeverisjes, do të duhej t`u lejohet edhe ndonjë punë tjetër e rregullt, në të kundërtën do të ketë degradim të mëtejmë të qeverisjes lokale. Beson se mendimi i tij ka përkrahje nga shumica e anëtarëve të kuvendeve komunale. Në këtë drejtim, shton Mehmeti, do të duhej të bëjnë më tepër edhe kryesuesit e kuvendeve komunale, të cilët duhet të jenë më të zëshëm në mbrojtjen e interesave të anëtarëve të tyre. Mehmeti, këshilltar i LDK-së, subjekt ky qeverisës në Gjilan, këmbëngul që anëtarëve të kuvendeve komunale patjetër t`u lejohet mbajtja edhe e një vendi të punës. Ata nuk do të duhej të trajtohen zi zyrtarë të lartë publikë, sepse nuk janë të tillë. “Duhet të ndryshohet ligji i parandalimit të konfliktit të interesit dhe vendimmarrësit të largohen nga kategoria e zyrtarëve të lartë publikë. Pozita e tyre juridike duhet të rregullohet me ligj të veçantë”, thotë Mehmeti.

Mësuesit, këshilltarët më aktivë në Kuvend 

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka 35 anëtarë dhe 15 prej tyre kanë qenë edhe në përbërjen e kaluar. Nga arsimi janë 11 kuvendarë, ekonomistë janë 7, juristë – 4,  mjekë – 5, inxhinierë – 3, kurse nga 3 të tjerët njëri ka të kryer komunikim masiv, tjetri akademinë ushtarake dhe i fundit është teknik i mjekësisë. Sipas shoqërisë civile, angazhimi i kuvendarëve është në shpërpjesëtim me shkallën e arsimimit dhe të profesionit të tyre. Në shqyrtimin e çështjeve nga fusha e financave, zhvillimi ekonomik, prokurimi, auditimi dhe të tjera, dallohen për angazhim ekonomistët Riad Rashiti, Sahit Abazi dhe Zijadin Maliqi. Ky i fundit, tani ka kaluar në ekzekutiv, drejtor i buxhetit. Ekonomistët e tjerë më pak kanë treguar interesim për t’u përfshirë në debatet për çështje ekonomike. Sipas OJQ-së “Anamorava” juristët në Kuvend nuk kanë treguar ndonjë angazhim të kënaqshëm, edhe pse ka prej tyre që janë në mandatin e katërt. As mjekët nuk kanë qenë në nivel të përgjegjësive të tyre. Ata fare nuk kanë bërë përpjekje që të imponojnë çështje nga fusha e mjekësisë familjare dhe mirëqenia sociale. Arsimtarët, në krahasim me grupet e tjera, kanë qenë më aktivë. Në këtë grup të arsimtarëve janë dalluar Fehmi Sylejmani, Nevzad Isufi, Bujar Nevzati, Shukrije Rapuca, Arjeta Rexhepi dhe Leonorë Bunjaku.   

(Kosova Sot)