“Korridori i gjelbër” që bashkon shqiptarët

  • 31 May 2016 - 19:34
“Korridori i gjelbër” që bashkon shqiptarët

Gjakova përfiton nga projektet ndërkufitare

 Në një konkurs mbarëkombëtar, të shpallur nga ministritë përkatëse të Kosovës e të Shqipërisë, janë zgjedhur fituesit në projektet “Korridori i gjelbër” dhe “Shtigjet e lirisë”, projekte këto që ofrojnë mundësinë që shqiptarët nga të dy anët e kufirit të bashkëveprojnë, raporton Gazeta Kosova Sot

Kudo në botë, zonat kufitare kanë përparësi të mëdha, pasi u jepet mundësia që të bashkëpunojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe më të lehtë me shtetin fqinjë që u mundëson zhvillim më të shpejtë ekonomik. Këtë përparësi, për dekada me radhë, nuk kanë pasur mundësi ta shfrytëzojnë zonat ndërkufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe atë për arsye tashmë të njohura, respektivisht për shkak të regjimeve që kanë qeverisur në të dy anët e këtij kufiri, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i hekurt. Me të përfunduar lufta, respektivisht me çlirimin e Kosovës, është menduar se ky bashkëpunim do të intensifikohet shumë shpejt dhe atë në të mirë të banorëve të këtyre zonave. Bile kjo është premtuar shumë herë nga qeveritë e të dyja shteteve, por në shumicën e rasteve kjo kishte ngel vetëm në nivel të premtimeve.

Kombinim i mirë i mundësive, dëshirave dhe perspektivës së bashkëpunimit

 

Duke e konstatuar se është koha e fundit që në këtë drejtim të bëhet diçka konkrete, e prekshme, e jo, siç ka ndodh deri më tash, gjithçka të ngel vetëm si ide apo premtim në letër, kohë më parë kanë filluar një bashkëpunim të mirëfilltë Ministria e Zhvillimit Urban të Shqipërisë dhe ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës, me ç’rast ministrat përkatës Eglantina Gjermeni, respektivisht Ferid Agani, ishin marrë vesh të shpallin një konkurs mbarëkombëtar, të pagëzuar “Profesionistët e rijnë për bashkëpunim ndërkufitar”, ku do të konkurronin ata që kanë ide konkrete se si mund të intensifikohet bashkëpunimi ndërkufitar, që do ti shprehnin përmes projekteve “Korridori i gjelbër” dhe “Shtigjet e Lirisë”. “Mu ky konkurs është dëshmia më e mirë se sa ide produktive kanë të rinjtë tanë për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërkufitar. Ata, në punimet e veta shumë bukur kishin kombinuar mundësitë, dëshirat dhe perspektivat e këtij bashkëpunimi. Nga ajo që ata e prezantuan edhe publikisht, vërehej qartë se nuk ishte kjo vetëm punë zyrash, por ata kishin shkuar në terren dhe kishin kontaktuar e bashkëpunuar me banorët lokal dhe kjo ia shton vlerat këtyre punimeve, aq më parë kur edhe materialet që janë planifikuar të shfrytëzohen në këto punime, mund të gjenden në territoret ku do të realizohen punimet” ka thënë ministrja Gjermeni në Gjakovë. Se këto projekte kanë rëndësi shumë të madhe për ri funksionalizimin e kësaj zone me vlera historike dhe kulturore, e ka potencuar edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. “Është trimëruese se ekspertët e rinj, arkitektët, këtë detyrë e kanë marrë me mjaft përkushtim duke bashkëjetuar me zonat dhe me banorët e këtyre zonave. Të gjithë projektuesit janë munduar që vlerat e këtyre zanova t’i vënë në spikamë”, ka thënë Kusari-Lila.

Para bashkimit fizik, nevojitet bashkëveprimi ndërmjet shqiptarëve

Duke folur për rëndësinë e këtyre projekteve, ministri Ferid Agani ka potencuar se ato dallojnë nga të tjerat, sepse nënkuptojnë bashkëpunim dhe bashkim të dy vendeve. “Bashkëpunimi ndërkufitar sot paraqet vlerë dhe synim evropian dhe është plotësisht e natyrshme që kjo të fillojë në mesin e komunave që janë në zonat kufitare”, ka thënë Agani, në ndërkohë që ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, potencoi se pas 16, 17 vjetësh të lëvizjes së lirë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, të marrëdhënieve midis vëllezërish e motrash, tash po institucionalizohen projektet për një zhvillim shumë më cilësor, shumë më afatgjatë të bashkëpunimit nga të dy anët e kufirit. Në një konkurrencë vërtet të fortë projektesh, ca prej të cilëve edhe u prezantuan publikisht nga autorët, në kategorinë “Korridori i gjelbër” fitues u shpall projekti i grupit “Koha 16” që përbëhej nga arkitektë nga Shqipëria dhe nga Italia, ndërsa na kategorinë “Shtigjeve të Lirisë” projekti i grupit me kodin “3556”. “Projekti ynë ka vlera kombëtare e jo lokale, pra vlera për të dyja shtetet, për Shqipërinë dhe për Kosovën, por edhe më gjerë, për tërë kombin. Unë jam i mendimit se para që ne shqiptarët të bashkohemi fizikisht është mirë që të bashkëveprojmë. Ky lloj bashkëveprimi është prezantuar në shumicën e punimeve që janë punuar nga konkurrentët e këtij konkursi”, ka thënë Samir Shtylla, anëtar i grupit fitues për projektin “Korridori i gjelbër”. 

(Kosova Sot)