Rusia, një aeroplan që e ka marrë tatëpjetën

  • 31 May 2016 - 20:30
Rusia, një aeroplan që e ka marrë tatëpjetën

Putin-i e ka shndërruar vendin në një bombë, të cilën mund ta çaktivizojë vetëm ai  

Tani Rusia, pothuajse krejtësisht haptazi, është duke e forcuar aktivitetin e vet ushtarak në Ukrainë, Çeçeni, Siri, Kaliningrad, në kufirin skandinav dhe Qarkun e Arktikut

Sipas Nikolay Petrov-it, partner në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, presidenti rus, Vladimir Putin, e parasheh dështimin e mundshëm të qeverisë së tij ‘brenda vitit të ardhshëm’. Në një analizë të tij, të cilën e ka titulluar “Putin’s Downfall: The Coming Crisis of the Russian Regime” (“Rënia e Putin-it: Kriza që po i vjen regjimit rus”), Petrov thotë që regjimi i Putin-it është i paqëndrueshëm.“Ky regjim nuk ka kapacitet për reforma dhe ballafaqohet me vuajtje të mëdha ekonomike, infrastrukturë që po shkatërrohet dhe elitë kontradiktore”, shkruan Petrov. Ai më tutje flet për mundësinë e përdorimit të aksionit ushtarak për legjitimimin e fuqisë politike, gjë të cilën Putin-i e ka bërë edhe në vitin 2014 në Ukrainën lindore dhe në aneksimin e Krimesë. Para këtij veprimi, sipas Petrov-it, Putin-i dhe qeveria e tij kanë qenë ‘relativisht stabil dhe kanë mundur t’i llogarisin edhe disa vjet të pushtetit, pa ndryshme të mëdha’.

Përpjekjet e Putin-it për ta modernizuar ushtrinë e Rusisë

Me sanksionet e vëna nga Perëndimi dhe krizën e energjisë, që e ka goditur këtë vend, mundësia e vetme për Putin-in është përdorimi i fuqisë ushtarake. Tani Rusia, pothuajse krejtësisht haptazi, është duke e forcuar aktivitetin e vet ushtarak në Ukrainë, Çeçeni, Siri, Kaliningrad, në kufirin skandinav dhe Qarkun e Arktikut. Vëzhguesit kanë vërejtur që në paradën e Ditës së Fitores së këtij viti kemi parë festimin ‘më të ngarkuar ushtarakisht në vite’, duke qenë edhe më i ngarkuar sesa ceremonia e vitit të kaluar, kur është shënuar 70-vjetori i rolit të Bashkimit Sovjetik në mposhtjen e Gjermanisë Naziste. Javën e kaluar NATO ka pretenduar që aeroplanët ushtarakë janë ngjitur nëntë herë për “t’i shoqëruar aeroplanët që dukeshin me origjinë ruse” e që po fluturonin mbi Letoni, Estoni dhe Lituani. Aeroplanët kanë qenë duke fluturuar me radarë të fikur dhe nuk kishin deklaruar ndonjë plan fluturimi paraprakisht. Përpjekjet e Putin-it për ta modernizuar ushtrinë e Rusisë, edhe nëse nuk e mbërrin shifrën e 400 miliardë dollarëve, për të cilën ishte zotuar në dhjetor të vitit 2014, janë mjaft shqetësuese dhe kanë filluar të prodhojnë rezultate kërcënuese. Brenda pak më shumë se një viti, Rusia ka nxjerrë tanke, raketa ushtarake, sisteme elektronike të luftimit, nëndetëse, shkatërrues dhe aeroplanë luftarakë – madje edhe saja të armatosura.

Rusia është goditur papritmas, ngjashëm me Venezuelën

Petrov thotë që përpjekjet për t’i treguar muskujt ushtarakë është një ushtrim i pushtetit nga lart-poshtë dhe këtë gjë ai e ka cilësuar, ndër të tjera, si përpjekje të Putin-it për të fituar poenë politikë. Zgjedhja e legjislaturës së re në Rusi do të bëhet në zgjedhjet që do të mbahen në shtator të këtij viti, ndërsa votimet për presidencën e Putin-it, ndonëse nuk kanë datë të prerë, besohet se do të mbahen në mars të vitit 2018. Problemi për Putin-in është që Rusia nuk duket që ka më vizion afatgjatë. Ajo po kërcen nga një krizë në tjetrën dhe ngadalë po kalon në zgjidhje ushtarake, duke shmangur përdorimin e zgjidhjeve politike e strategjike. Shteg të tillë Rusia kishte zgjedhur edhe në të kaluarën, kur është përballë me modernizimin – Nicholas-i i Dytë kishte filluar një luftë me Japoninë në vitin 1904, ndërsa në vitin 1979 kemi pasur një ndërhyrje në Afganistan – asnjëra prej këtyre dyjave nuk kishin përfunduar në të mirë të rusëve. Në anën tjetër, në herën e fundit kur një lider rus ka provuar të sjellë reforma në vend – në vitet e tetëdhjeta – Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë. Problemi më i madh për Putin-in, për momentin, është kriza ekonomike. Rusia është goditur papritmas, ngjashëm me Venezuelën. Çmimet e mallrave janë duke pësuar rënie të shpejtë. Edhe çmimet e naftës kanë qenë në nivele historikisht të ulëta. Milionerët po ikin nga ekonomia që, për shkak të sanksioneve të mëdha, nuk ka pasur hapësirë e mundësi për t’u zgjeruar. E, meqë paratë po harxhohen, Putin-it i mbesin dy zgjedhje: ose të sillet mirë me Perëndimin, gjë që do të nënkuptonte zbutje në raport me Ukrainën dhe ndryshim strategjie në Krime, si shpagim për të cilën Rusia do të kishte heqjen e sanksioneve, ose të zëvendësohet si president. Asnjëra prej këtyre opsioneve nuk duket i përshtatshëm për Putin-in. Atëherë, çka do të thotë kjo për Rusinë? Petrov thotë se kjo nënkupton kolaps. Rusia, mendon ai, është një “aeroplan që e ka marrë tatëpjetën”. 

(Kosova Sot)