Aktakuzat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve e dërrmuan drejtësinë

  • 01 June 2016 - 07:51
Aktakuzat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve e dërrmuan drejtësinë

Anketimi i fundit nga UNDP-ja, Pulsi Publik, që ka për qëllim matjen e opinionit të qytetarëve lidhur me besueshmërinë në institucionet e vendit, ka treguar se njëra nga pikat më kryesore të shtetit,  sistemi i drejtësisë, është në krizë të thellë. Shumica e të anketuarve besojnë se gjyqësori është i korruptuar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Për të gjeturat e anketës dhe perceptimin e qytetarëve, opinionet e tyre i kanë shprehur analistë dhe opozitarë të vendit, secili nga prizmi i tyre. Visar Sutaj, nga KDI-ja, organizatë e cila ka qenë pjesë e këtij fokus-grupi në anketimin e qytetarëve, ka bërë me dije për gazetën “Kosova Sot” se qëllimi i anketës ka qenë më shumë validimi i të gjeturave nga anketimi i opinionit publik sa i përket besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës, ndërsa këtu kanë qenë të përfshira edhe institucionet e sistemit të drejtësisë. Sutaj më tej thotë se anketimi tregon se gjyqësori dhe Prokuroria e Shtetit vazhdojnë të mbesin dy prej institucioneve më së paku të besueshme nga qytetarët e Kosovës. Sipas tij, kjo vjen si rezultat i shumë arsyeve, derisa, siç ka thënë ai, se një prej më kryesoreve është mungesa e kapaciteteve si njerëzore, por edhe financiare përbrenda vetë sistemit të drejtësisë.

Rezultatet antikorrupsion, dëshpëruese

Sutaj thotë se kemi gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nuk kanë treguar rezultate konkrete sa i përket luftimit të korrupsionit. “ Pra, kemi zyrtarë të lartë publikë që shumë pak prej tyre janë burgosur apo janë dënuar me burgim për shkak të aferave korruptive në të cilat dyshohet se kanë qenë të përfshirë në të kaluarën. Pra, mungesa e një rekordi, të themi ndaj luftës kundër korrupsionit, tregon që qytetarët e Kosovës vërtet nuk kanë shpresa se sistemi i drejtësisë funksionon për të mirën e gjerë publike, pasi nëse do të kishte pasur raste konkrete në luftën kundër korrupsionit, atëherë ne do të kishim pasur edhe një besim më pozitiv apo një nivel më të lartë të besimit të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë”, tha Sutaj.

Si arsye tjetër të këtij mosbesimi, Sutaj ka përmendur edhe mungesën e integritetit brenda vetë sistemit. “Pra, në shumë raste kemi parë se ka pasur edhe aktakuza ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të aferave korruptive, të ndonjë mitëdhënieje apo çfarëdo vepre penale që ata dyshohet se e kanë bërë, dhe këto aktakuza pastaj e kanë dëshpëruar opinionin publik për arsyen që thjesht në vend që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë promotorë të integritetit në institucionet të cilat na përfaqësojnë po ndodh e kundërta, që ata të jenë edhe pjesë e korrupsionit”, u shpreh ai. Këtu Sutaj ka përmendur edhe rastin e fundit me hetimin që po bëhet ndaj referentes në Gjykatën Supreme, ku në këtë rast, siç thotë ai, është e përfshirë një administratore, e cila dyshohet se ka qenë pjesë e disa aferave korruptive, për të cilat ende opinioni nuk ka informacione më të detajuara....(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)