Dështon ‘Brezovica’

  • 01 June 2016 - 07:56
Dështon ‘Brezovica’

Data 31 maj ka qenë afati i fundit për kompaninë franceze, konsorciumin ‘MDP Consulting - Compagnie des Alpes’, për të siguruar investimet e premtuara për kompleksin ‘Brezovica’, që shtrihet në  Komunën e Shtërpcës në Kosovë. Ndonëse ende nuk është bërë zyrtare nga ana e krerëve të Qeverisë, MTI-së dhe me gjithë heshtjen e zyrtarëve të zyrës për informim, por edhe zyrtarëve të zyrës së konsorciumit francez në Prishtinë, që udhëhiqet nga Pascal Roux, kanë qenë burime nga MTI-ja, që kanë njoftuar se tashmë ka dështuar projekti i ‘Brezovicës’,shkruan gazeta Kosova Sot.

Francezët deri më tash nuk kanë siguruar 163 milionë eurot për fazën e parë të investimeve. Në muajin dhjetor të vitit 2014 konsorciumi francez ‘MDP Consulting –Compagnie des Alpes’ ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë euro. Sipas kontratës së nënshkruar më datën 14 prill 2015, Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese kishin rënë dakord për një periudhë tranzitore prej 180 ditëve, për të përmbushur të gjitha obligimet kontraktuale. Obligimet që do të duhej t’i përmbushte konsorciumi fitues - ishte dorëzimi i masterplanit për qendrën e re, projektin për ndikimin mjedisor dhe projektin për ndikimin ekonomik, që do të ketë në komunën e Shtërpcës. Pas këtyre procedurave ishte paraparë të fillonte zbatimi i projektit, por që gjithçka kishte dështuar, për shkak se kompania nuk ishte përgatitur, ku edhe kishte pasuar afati shtesë, me kërkesë të kompanisë fituese.

Zhgënjimi i madh

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, vlerëson se do të ishte një zhgënjim i madh, që e tërë koha dhe përpjekjet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë rreth përgatitjes së procesit të privatizimit të ‘Brezovicës’, të përfundonin me anulim të procesit dhe kthim të tij në pikën zero. Ai sqaroi se në rast se kompania e përzgjedhur dështon të sigurojë fondet e investimit, për shkak se kompanitë financiare nuk e kanë vlerësuar Kosovën si destinacion të sigurt për investime, ose për shkak të rrezikut politik, ky do të ishte një lajm jashtëzakonisht i keq dhe një kthim mbrapa në të gjitha përpjekjet tona për nxitjen e investimeve të huaja direkte. Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Myzejene Selmani, tha se ka qenë një gabim i Qeverisë dhënë afat shtesë kompanisë franceze edhe për 6 muaj të tjerë. “Por, të bëhemi realë, sepse nga të gjithë është pritur një dështim i tillë, ngase që nga fillimi është parë se kemi të bëjmë me një kompani shumë joserioze, që nuk ka treguar aspak seriozitet gjatë tërë kohës”, ka thënë ajo. “Nuk ka fije dyshimi se për këto lëshime Qeveria e Isa Mustafës duhet që të kërkojë urgjentisht llogari nga ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, se përse ka dështuar projekti i ‘Brezovicës’ ”, u shpreh Selmani. Ajo shtoi se të gjithë e dinë se ka qenë problem politik privatizimi i ‘Brezovicës’ dhe mbase njëra nga arsyet e këtij dështimi mund të ndodhë që të jetë e lidhur edhe me Asociacionin e Komunave Serbe.....(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)