Republikës i duhet një fytyrë e re politike

  • 01 June 2016 - 08:00
Republikës i duhet një fytyrë e re politike

Për shkak të krizës politike dhe qeverisjes së keqe, lidershipi i Kosovës e ka humbur besimin te qytetarët dhe tani shtrohet nevoja të drejtohet shpresa te një iniciativë e re, me një kurs të ri politik. Anketimet e fundit të  organizatave kredibile ndërkombëtare që po bëhen me qytetarët e nxjerrin këtë si disponim në rritje nga një pjesë relativisht e madhe e qytetarëve të vendit. Bazuar në këtë disponim, analistët politikë konsiderojnë se është koha për ndryshime, mbase paksa edhe të vonuara, sepse ndryshimet në  mentalitetin politik, për një kurs të ri, është dashur të ndodhin kaherë në skenën politike të Kosovës,shkruan gazeta Kosova Sot.

Analisti politik, njohës edhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani tha për “Kosova Sot” se nevoja që dikush ta marrë përsipër bartjen e një stafete të kursit të ri politik është një domosdoshmëri.  “Nevoja e ridimensionimit të qasjes politike dhe nevoja e riformatimit të nivelit politik është shfaqur që nga shpallja e pavarësisë, atëherë kur edhe filloi në nivel institucional legjitimimi i krimit dhe degradimi i kulturës politike, hap ky që solli Kosovën para një sfide me dyer të blinduara, prapa të cilave qëndrojnë krerë institucionalë që falë kompromiseve klienteliste kanë manipuluar vazhdimisht me mendjen e publikut, duke ofruar programe politike, kinse me ideale të përbashkëta, të cilat në të vërtetë dhe ashtu dolën, sepse ideal parimor i tyre ka qenë dhe është pozita, korrupsioni dhe paraja, simbolika e oligarkëve që vazhdojnë ta përcjellin Kosovën drejt rimëkëmbjes nga pasojat e pasluftës dhe tranzicionit”, tha  Adlum Ramadani.

Partitë e konsumuara

Ramadani ka pohuar se kërkesat e vazhdueshme qytetare për kurs të ri politik në Kosovë u përcollën me zhvillime të vazhdueshme, duke shfaqur në skenën politike subjekte të cilat qenë jetëshkurtra. “Po qe se analizojmë sondazhet vendore dhe ato ndërkombëtare, atëherë mund të arrijmë në përfundim se subjektet aktuale nuk kanë më çfarë të ofrojnë, janë të shpenzuara, me fytyra thuajse të familjarizuara tashmë dhe të cilat kanë humbur po ashtu legjitimitetin e tyre politik për përfaqësim”, tha Ramadani për “Kosova Sot”. Edhe  analisti Blerim Burjani thotë se të gjithë matësit e fundit të opinionit publik po flasin për disponimin në rritje të qytetarëve kundër kësaj klase politike dhe  gatishmërisë për të mbështetur një opsion krejtësisht të ri, që ngjall shpresat për ndryshime të mëdha dhe përshpejton rrugën e proceseve integruese në BE. “Qytetarët janë lodhur nga kjo pozitë dhe opozitë, që asnjëra nuk ofron siguri, nuk i ofron perspektivë  dhe të ardhme gjeneratës së re. Kjo  skenë politike është  rezultat dhe pasojë e  pasurimit të paligjshëm, të dyshimtë dhe  pa bazë, është dhënë vetëm  pas shpenzimeve të mëdha buxhetore, për të zgjidhur problemet  e ngushta familjare e  të klientelave partiake. Nga kjo klasë politike nuk ka asnjë garanci të vetme që qytetarët një ditë  mund të  ndihen të barabartë para ligjit. Kjo është një situatë kur qytetari domosdo duhet të mendojë për alternativën e re, për të mirën e vet dhe të pasardhësve”, theksoi ai.....(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)