Dy kompani shqiptare ndërtojnë bazamentin e shtatores së Car Llazarit në veri të Mitrovicës

  • 22 June 2016 - 23:27
Dy kompani shqiptare ndërtojnë bazamentin e shtatores së Car Llazarit në veri të Mitrovicës

Është bërë e ditur tashmë se shtatorja e Car Llazarit, 17 metra e lartë, do të vendoset në qendër të veriut të Mitrovicës më datë 24 qershor, për t’u përuruar katër ditë më pas, me 28 qershor, ditën e 627 vjetorit të betejës së Fushë-Kosovës, ku në përurim pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës, si dhe të gjithë ministrat e deputetët e Listës Serbe.

Ky akt përbën sfidën tjetër të hapur që strukturat paralele serbe i bëjnë pushtetit të Prishtinës, vetë shtetit të Kosovës.

Por nuk përfundon gjithçka këtu. Car Llazarit, shtratin ku do të vendoset, pra bazamentin, po ja bëjnë gati dy kompani shqiptare, ndërkohë që aludohet se dhe fondet për këtë janë marrë nga buxheti i Kosovës, pra, janë para të taksapaguesve kosovarë.

IMG_9834

Një burim kofidencial, informoi tesheshi.com se  kryerja e punimeve për ndërtimin e bazamentit  të shtatores së Car Llazarit është duke u bërë nga dy kompani shqiptare nga qyteti i Malishevës, “VPD” dhe “Vëllezërit Paçarizi”. Sipas burimit, këto dy kompani janë vetëm argate të kompanisë serbe nga Zveçani, “028” të Rade Steviqit.

Në fotografi shihet qartë makineritë  me emrat e dy kompanive nga Malisheva, të cilat janë duke punuar bazamentin e shtatores së Car Llazarit, që është në përfundim e sipër për të qenë gati pas dy ditësh.

car11111 (1)

Pas Pavendosjes së shtatores, edhe sheshi do të pagëzohet me emrin e Car Llazarit, duke u bekuar më pas nga prifterinjtë e Kishës Ortodokse Serbe.

Por burimi ka shtuar se veç faktit që për bazamentin e saj po punojnë dy kompani shqiptare, ka të dhëna se dhe kostoja e punimeve është mbuluar me paratë e taksapaguesve shqiptarë të Kosovës.

IMG_9829

E në fakt kjo nuk përbën ndonjë sekret, derisa strukturat paralele sereb në veri financohen nga buxheti i Kosovës, ndërkohë që serbët e veriut pothuajse nuk kontribuojnë me asnjë cent në këtë buxhet.

Por burimi nuk ka dashur të precizoje mënyrën se si është financuar punimi i shtatores së Car Llazarit dhe se si financohen strukturat paralele nga buxheti i qeverisë së Kosovës.

Ndërsa në anën tjetër, kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, duke iu drejtuar asamblistëve ka theksuar se mjetet për punimin e shtatores Car Llazarit  i kanë dhuruar njerëz të mirë nga Serbia, por pa sqaruar se kush janë këta njerëz të mirë.

Reagimi i tij erdhi kur asamblistët shqiptarë në kuvendin komunal të veriut të Mitrovicës, pesë sosh, me anë të një deklarate e kanë kundërshtuar vendosjen e kësaj shtatoreje, por ky kuvend, i dominuar nga asamblistët e komunitetit serb, votoi për vendosjen e saj në qendër të veriut të Mitrovicës.

Qeveria e Kosovës, edhe kësaj radhe po tregohet e pafuqishme në marrjen e ndonjë vendimi për të ndaluar ekspansionin e Beogradit dhe të srukturave paralele për serbizimin e veriut të Mitrovicës dhe Kosovës. 

(Kosova Sot)