Opozitës i është thyer "shpata"

  • 24 June 2016 - 07:56
Opozitës i është thyer

"Tani përfundimisht po shihet që opozita është e paaftë për t'u ribashkuar, derisa veprimet individuale të subjekteve opozitare në formë klandestine vetëm se e zbehin akoma më shumë imazhin, por janë edhe të paefektshme. Pra, përveçqë opozita me veprimet e veta ka sjellë deri te humbja e betejës me pushtetin, kjo situatë ka sjellë edhe një paralizë të madhe në vijën vepruese opozitare", thotë analisti Blerim Burjani.

Ramadani: Tendenca klienteliste për të arritur në pushtet.

Pjesëmarrja e lëvizjes "Vetëvendosje" në dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës për njohësit e rrethanave politike nuk japin shpresë reale që opozita mund t'i rikthehet veprimit të përbashkët për të mirën e vendit dhe për rrezikimin serioz të koalicionit të madh PDK-LDK, që po e keqqeveris vendin. Sipas analistëve, rrugët e bashkëpunimit ndëropozitar pas kësaj thyerje të madhe janë shumë të vogla, pasi që tani është shthurur përfundimisht ëndrra e një opozite të fortë e të bashkuar. Derisa 'Vetëvendosje' ka siguruar që do të jetë në vazhdimësi në Parlament, AAK-ja e Nisma e kanë kritikuar rikthimin e ish- partnerit opozitar dhe janë zotuar se do të vazhdojnë të mbeten në kohë të pakufizuar jashtë Kuvendit. Kjo qarje e madhe e opozitës, sipas analistëve politikë, i ka shuar përfundimisht shpresat e qytetarëve, të cilët besonin se opozita e mobilizuar do të mund të sillte ndryshime pozitive derisa tani është rirreshtuar për interesa personale, klanore e grupore të partive që u përkasin dhe ndryshimet janë të pamundura. Kjo sjellje joserioze, sipas analistëve, vetëm sa e ka rritur akoma më shumë zhgënjimin e qytetarëve në gjithë klasën ekzistuese politike në vend, në të dy krahët. 

Krasniqi: Kjo opozitë po ia zgjat jetën këtij pushteti Politologu Faik Krasniqi vlerëson se situata e krijuar, pas bashkimit të opozitës për t'i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara në Bruksel mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, te qytetarët jepte shpresë se do t'i jepej fund këtij pushteti mafioz. "Por, ajo opozitë e bashkuar dhe shpresa që krijuan tek qytetarët e Kosovës, fatkeqësisht, zgjati vetëm disa muaj dhe ndodhi edhe çarja e opozitës". Krasniqi thotë se pas prishjes së opozitës së bashkuar filloi një luftë e ''egër'' mes partive opozitare dhe shkuan aq larg ku, përveç akuzave të ashpra, filluan edhe t'i marrin anëtarët njëra-tjetrës. "Opozita, në vend që të merrej me njëra-tjetrën, nëse seriozisht e ka hallin e qytetarëve dhe shtetit, ajo do të duhej të merrej me ata që po qeverisin keq, me ata që i kanë kapur institucionet dhe kanë bërë që krimi dhe korrupsioni të lulëzojë. Me ata që i kanë kapur institucionet e pavarura të shtetit, e mbi të gjitha ata që e kanë kapur sistemin e drejtësisë", u shpreh Krasniqi për gazetën. Ai konsideron se mundësi bashkëpunimi ndëropozitar ka akoma nëse ka vullnet politik për t'u angazhuar në të mirë të vendit, ndryshe kjo opozitë nuk e ka jetëgjatësinë e sigurt në skenën politike të vendit dhe do të jetë përgjegjëse për krijimin e mundësive të reja të vazhdimit të kapjes së shtetit nga koalicioni aktual. "Nëse opozita vepron sërish si opozitë e bashkuar, qoftë në Parlament e qoftë jashtë tij, atëherë ky pushtet kriminal nuk do ta ketë gjatë, por nëse veprimet e tyre bëhen ndaras, siç janë duke vepruar këto dytre muajt e fundit, "Vetëvendosje" në Parlament e AAK-ja dhe Nisma jashtë Parlamentit, do t'i bëjnë një nder të madh Qeverisë, sepse ashtu dëshiron ky pushtet, që opozita të jetë e përçarë, e mundësisht luftën ta vazhdojnë ndaj njëra-tjetrës", thotë Krasniqi. 

Burjani: Edhe opozita ka lëshuar pe Edhe analisti politik Blerim Burjani konsideron se me këto zhvillimet e reja, që nga çarja e bllokut opozitar dhe ndarja e tyre në dy pole, po duket ashiqare që është zbehur tej mase fuqia opozitare. "Tani përfundimisht po shihet që opozita është e paaftë për t'u ribashkuar, derisa veprimet individuale të subjekteve opozitare në formë klandestine vetëm se e zbehin akoma më shumë imazhin, por janë edhe të paefektshme. Pra, përveçqë opozita me veprimet e veta ka sjellë deri te humbja e betejës me pushtetin, kjo situatë ka sjellë edhe një paralizë të madhe në vijën vepruese opozitare", thotë Blerim Burjani. Ai konsideron se ajo që është akoma si mbetje pozitive nga veprimet e opozitës së bashkuar ka të bëjë me kërkesat e fuqishme në kundërshtim të dy marrëveshjeve që dëmtojnë interesin e shtetit të Kosovës, sepse si pasojë e këtij kundërshtimi po shihet që edhe një pjesë e madhe e pozitës është duke u këndellur dhe menduar pozitivisht për interesin e shtetit dhe jo të politikës që bën veprime të gabueshme."Tash edhe pozita ka lëshuar pe dhe po duket sikur kjo opozitë të ketë marrëveshje me dy partitë e tjera opozitare. Tani një pjesë e opozitës nuk shkon në seanca të Kuvendit dhe ky është realisht presioni më i madh tani për tani që mund t'i bëhet pozitës. Opozita, sikur të kishte vepruar e bashkuar dhe të kishin hequr dorë nga mandati i deputetit, edhe si tërësi e subjekteve politike opozitare në Kuvend, atëherë medoemos që do të përshpejtohej edhe procesi i zgjedhjeve të reja. Tash për tash me këto zhvillime kjo pozitë po duket sikur po e merr situatën nën kontroll, madje edhe duke iu ofruar dukshëm kërkesave të opozitës dhe po duket që kështu do të gjendet edhe një lloj zgjidhje e krizës", thotë Burjani për "Kosova Sot"

 

Ramadani: Opozita, servile e pozitës Mirëpo vlerësim të skajshëm negativ karshi opozitës aktuale ka analisti Islam Krasniqi. Ai thotë se opozita e ka humbur kauzën që e kishte ndërtuar për rreth 7 muaj, sepse me disa hapa të shpejtë, lëvizje krejtësisht mbrapa, pa i menduar pasojat dhe kauza e tyre, u shua. "Ata deshën të ndajnë kulaçin ende pa u blerë mielli dhe ia zgjatën mandatin keqqeverisjes. Tani edhe qytetarët e kanë kuptuar se nga fillimi kjo opozitë nuk mund të jetë më ndryshe se partitë në pushtet, sepse edhe këto kanë qenë pjesë e pushtetit, me përjashtim të Lëvizjes "Vetëvendosje", e cila sipas parimeve duket më kombëtare dhe më serioze", thotë Krasniqi për gazetën. Sidoqoftë, ai ende beson në disa deklarime, sipas së cilave opozita ka premtuar se do të bashkohet nëse sillen për ratifikim dy marrëveshjet që po e copëtojnë sovranitetin e shtetit dhe vetëm kjo është njëlloj poen pozitiv sa për të mos u turpëruar në maksimum para qytetarëve. "Qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer nga kjo elitë politike, e cila me paaftësinë e saj veç po na dërgon drejt një humnere, që është shumë e paaftë në rrugëtimin e saj drejt BE-së, në rrugëtimin e saj për shtetndërtimin", u shpreh Krasniqi. Notë negative për opozitën ka edhe analisti Adlum Ramadani. Ai ka pohuar se në njëfarë mënyre opozita po i serviloset pozitës dhe mbase do të mund të bëhen bashkë pjesë e pushtetit në vazhdim. "Loja të cilën është duke e luajtur opozita në fakt nënkupton tendencën e ndryshimit të krahut politik, në mënyrë që t'i ofrohet mundësia për bashkëqeverisje me pozitën. Mospjesëmarrja në seanca parlamentare e subjekteve AAK dhe NISMA mund të përkthehet me kriza politike dhe asisoj Kosova do të rrëshqasë drejt një konflikti të brendshëm, i cili do të rrezikonte shtetin e Kosovës. Sidoqoftë nuk konsideroj që janë shuar përfundimisht shpresat për një opozitë të bashkuar, kur kemi parasysh që në politikë vetëm përmes konsensusit arrihet zgjidhja, që nënkupton se mund të arrihet një marrëveshje politike, por vetëm në qoftë se ekziston vullneti politik. Ndarja e drejtimeve e subjekteve opozitare në të vërtetë pasqyron nivelin politik të Kosovës, por njëkohësisht tendencat klienteliste për të arritur në pushtet", thotë Ramadani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)