Presidenti e "gozhdon" në sirtar ligjin për Eulex-in

  • 24 June 2016 - 08:00
Presidenti e

“Ne e dimë që arsyetimet tani mund të jenë kinse për çështje procedurale, por dyshoj që ka prapaskena të tjera. Ndoshta edhe tentohet që të bëhet pazar me EULEX-in për çështje dhe persona të caktuar, që t'i shpëtojnë misionit për sundimin e ligjit", shprehet analisti Albrim Badallaj 

Haziri: Lojë e qëllimtë për përfitim nga individë të caktuar.

Po mbushet një javë e plotë që nga miratimi i legjislacionit të ri në Kuvendin e Kosovës, për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet, mirëpo presidenti i vendit akoma nuk i ka dekretuar ligjet përkatëse dhe kështu misioni evropian për sundim të ligjit vazhdon të jetë në "pushim" pa mandatin e tij funksional. Analistët politikë dhe ekspertët konsiderojnë se tani pas votimit në Kuvend, loja politike po vazhdon me tendencën e mbajtjes peng edhe për një kohë nga politika funksionimin e këtij misioni, me qëllim të pazareve të caktuara, fillimi i ri i mandatit të EULEX-it. Sikur që dihet, proceduralisht, edhe pas miratimit të Ligjit dhe Marrëveshjes me BE-në par mandatin e ri të EULEX-it, misioni evropian për sundimin e ligjit nuk mund të fillojë punën pa dekretimin e ligjit nga ana e presidenti Thaçi. E për këtë analistët dyshojnë se prapaskenat e zvarritjes së dekretimit të ligjit, i cili në Kuvend u desh të miratohet me procedurë të jashtëzakonshme të përshpejtuar, janë për qëllime të pazareve për përfitime të individëve të caktuar, që mund të jenë objekt "gjuetie" nga ky mision

Badallaj: Pushtetarët po blejnë kohë Analisti Albrim Badallaj thotë se nuk duhet të habitemi fare nga zvarritja e punëve të pushtetarëve tanë, meqë jo rrallëherë prioritetet e tyre le që janë vonuar, por ndonjëherë edhe kurrë nuk janë zbatuar. Tek rasti i EULEX-it është një çështje tjetër, meqë pushtetarët tanë nuk kanë fuqi të mosaprovimit të kërkesës së ardhur nga BE-ja, atëherë duan të blejnë kohë. "Edhe pse me një procedurë të përshpejtuar të miratimit të ligjit për zgjatjen e mandatit të BE-se, i cili u nënkuptua si domosdoshmëri dhe një formë alarmi për të kaluar sa më parë, tani po bie që edhe presidenti Thaçi në këtë rast po luan paksa me durimin e zyrtarëve evropianë. Për miratimin e këtij ligji, paraprakisht ka pasur edhe një letërkëmbim mes presidentit Thaçi edhe zyrtares së BE-së Mogerini, mirëpo tani është tejet e paarsyeshme që të mos dekretohet ky ligj dhe të ketë vonesa. Ne e dimë që arsyetimet tani mund të jenë, kinse për çështje procedurale, por dyshoj që ka prapaskena të tjera. Ndoshta edhe tentohet që të bëhet pazar me EULEX-in për çështje dhe persona të caktuar, që t'i shpëtojnë misionit për sundimin e ligjit dhe në këtë situatë që jemi, kjo çështje mund të jetë shumë e mundshme, por nuk dihet se sa është e arritshme", thotë Albrim Badallaj. Ai dyshon që një lojë mund të luhet edhe për shkak të kompetencave akoma të gjëra që i kanë mbetur EULEX-it. "Në këtë mandat, siç është përfolur, EULEX-i do të ketë fuqi edhe të emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese, e ndoshta kjo kompetencë nuk është duke u pëlqyer vendorëve", ka shprehur dyshimin e vetë Albrim Badallaj. Sidoqoftë, ai ka pohuar se arrestimet në fund të mandatit nga EULEX-i ishin një shenjë që askush nuk do të kursehet nga ligji, prandaj është kjo lloj rezistence në vazhdim. "Nga persona të caktuar mund të tentohet që të negociohet me EULEX-in që deri para përfundimit të mandatit të ri të lihen rehat, mandat i cili përfundon në qershor të vitit 2018. Besoj që më tepër në këtë pikë është duke u trajtuar çështja, që edhe disa nga të dënuarit nga gjykatat vendore, apo edhe nga EULEX-i t'i shpëtojnë Speciales. Mirëpo, kjo çështje është definuar shumë kohë më parë dhe dihet fare mirë që EULEX-i do të merret me krimet ekonomike, korrupsionin, krimin e organizuar dhe krime të tjera të natyrave të ndryshme, me lëndë më të "lehta", e nga ana tjetër Specialja është e "specializuar" për krime me lëndë të renda", u shpreh Badallaj për "Kosova Sot". Edhe politikologu Arsim Haziri thotë se zvarritja e dekretit për Ligjin dhe marrëveshjen e vazhdimit të mandatit për EULEX-in është lojë e qëllimtë për përfitim nga individë të caktuar, por që vështirë se do të ketë rezultat. 

Mosdekretimi me prapaskena Magjistri i shkencave politike, Ali Hertica, pohon se me mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa edhe autoritetet duhet të përfitojnë nga një mandat të ri për të vazhduar për të pastruar transferimin e të drejtave dhe përgjegjësive nga EULEXi në Kosovë. "Duke pasur parasysh se ajo do të jetë e nevojshme për disa kohë, është e rëndësishme që ndryshimet të jenë graduale, në mënyrë që të mos rrezikojë atë që është arritur deri më tani për sundimin e ligjit. Mirëpo, tani e gjithë kjo ecuri e misionit evropian duhet të ketë bekimin e presidentit Thaçi për ta vazhduar sundimin e ligjit. Prapaskenat e zvarritjes së dekretimit - bekimit nga presidenti, me gjasë është dialogu joformal që mos të preken disa njerëz e tema të ndjeshme, e që mund ta dërgojnë vendin deri tr një pakë- naqësi qytetare", thotë Hertica për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)