"Reformat" e bënë tërkuzë sistemin e drejtësisë

  • 24 June 2016 - 08:02

Dibrani: Nuk reforma të mirëfillta pa pastrim të Gjyqësorit. 

"Ky Kod i procedurës penale është ende i paqartë edhe për një pjesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve e avokatëve. Është komplikuar situata në atë mënyrë, saqë është përzier sistemi anglosakson me atë evropian dhe ka tepër nene të kapitujve të caktuar të Kodit të procedurës penale, saqë janë në kundërshtim njëri me tjetrin dhe janë tepër vështirë të zbatueshëm", është shprehur për gazetën avokati Tomë Gashi

Ndonëse në vitin 2013 ishin bërë disa ndryshime në Kodin penal dhe atë të Procedurës penale dhe ca "reforma" në drejtësi, këto ndryshime nuk kanë sjellë ndonjë risi dhe qëllimin që është pritur. Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, ndryshimet e bëra veçse kanë sjellë komplikime më të shumta, dhe sistemi gjyqësor thuajse ka mbetur i njëjti, siç kishte qenë para këtyre ndryshimeve. Madje, ka zëra se në këtë drejtim është krijuar një gjendje akoma edhe më e keqe sesa që ishte më parë. Por, veç kësaj të keqeje, ka edhe dyshime se sistemi gjyqësor vazhdon të mbetet peng nga klika e të korruptuarve në drejtësi e politikë. 

Dibrani: Gjyqësori, pjesë e të gjitha degradimeve në Kosovë Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se nivelet e larta të shtetit janë edhe kapësit më të mëdhenj të shtetit, por rrjedhimisht edhe të sistemit të drejtësisë. "Institucionet tona janë shumë të kriminalizuara dhe si pasojë e kësaj, nivelet e larta janë shkelësit më të mëdhenj të ligjeve. Kësisoj, Kosova nuk mund ta bëjë asnjë hap përpara në vendosjen e sundimit të ligjit, pa i pastruar nivelet e larta të shtetit nga kriminelët, të cilët kanë bërë krime të llojllojshme dhe e zhvatin shtetin në mënyrën më të pamëshirshme", është shprehur deputeti Adem Salihaj për gazetën "Kosova Sot". Ndërkaq, Analisti Shefqet Dibrani thotë se edhe sistemi gjyqë- sor është pjesë e të gjitha degradimeve në Kosovë, dhe, sipas tij, për një ndryshim më të përshpejtuar të gjendjes shumë të rëndë do të duhej që të niste reforma me sistemin gjyqësor, që do të jepte shpresa se diçka e mbarë po nis në vendin tonë. "Vetëm veprimi gjyqësor i drejtë dhe i paanshëm do ta spastronte gjendjen sektor për sektor, por oligarkët kanë ditur si ta ngulfatin Kosovën, andaj përmes ndërhyrjes në sistemin gjyqësor të Kosovës kanë krijuar një lloj anarkie në nivel vendi. Natyrisht kjo ka ndodhur sa për të jetuar oligarkët edhe pak në politikë dhe sa për t'i zhvatur edhe ato pak pasuri që kanë mbetur në pronësi shtetërore". 

 

Dibrani: Haraçi lulëzon dhe vepron me efikasitet në Kosovë Më tej, Dibrani ka nënvizuar se pa një bashkëveprim të strukturave udhëheqëse politike me ato të drejtë- sisë, gjendja nuk do të vinte deri këtu ku ka ardhur, por, siç tha, krimi ekonomik në Kosovë është shtrirë palë - palë, dhe është bërë kate-kate, dhe si askund në rajon duket se haraçi lulëzon dhe vepron me efikasitet në Kosovë. "Absurdi i gjithë kësaj gjendjeje është se strukturat politike dhe udhëheqëse vazhdimisht thirren në ligje e drejtësi, dhe tregojnë dokrra se si Kosova po i plotëson standardet për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Andaj veçse nëse do të bëheshin ndryshime substanciale në sistemin gjyqësor në Kosovë, ka mundësi të mëdha për të shpëtuar Kosova dhe rrjedhimisht për t'u shtuar shpresat se më në fund në këtë vend po nis një frymë e re, dhe para drejtësisë do të jemi të gjithë të barabartë, por për fat të keq deri sot politika dhe drejtësia i kanë aplikuar standardet e dyfishta dhe mbase shprehja, "trafikim i drejtësisë" do të ishte përkufizimi më i mirë për ta shpjeguar nocionin mbi drejtësinë, e cila vazhdimisht kontrollohet dhe menaxhohet nga oligarkët politikë. Pra, janë këto arsye se reforma të mirëfillta në Kosovë nuk do të ketë pa një reformim të sistemit gjyqë- sor", ka theksuar analisti Shefqet Dibrani për gazetën "Kosova Sot" 

Gashi: Gjithçka kopjohet nga shtetet e BE-së dhe ato të SHBA-së Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se ndryshimet, të cilat janë bërë në Kodin penal dhe atë të procedurës penale të vitit 2013, nuk kanë sjellë atë që është pritur, por, sipas tij, ato veçse e kanë komplikuar aq shumë situatën. "Veçanërisht ky Kod i procedurës penale është ende i paqartë edhe për një pjesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve e avokatëve. Është komplikuar situata në atë mënyrë, saqë është përzier sistemi anglosakson me atë evropian dhe ka tepër nene të kapitujve të caktuar të Kodit të procedurës penale, saqë janë në kundërshtim njëri me tjetrin dhe janë tepër vështirë të zbatueshëm. Kodi i procedurës penale është rruga se si duhet të arrihet deri tek një gjykim i drejtë dhe i ligjshëm, dhe në këtë rast është e pamundshme që të zbatohen të gjitha ato dispozita aq të komplikuara dhe që kanë shumë teori", është shprehur Gashi. Ai thotë se pritjet që i presin profesionistët me ndryshimet e ardhshme janë që ato të thjeshtësohen dhe të jenë më të kapshme për ta, në mënyrë që, sipas tij, të jetë gjithçka e thjeshtësuar për të ardhur deri tek e vërteta, respektivisht deri tek vendimet e ligjshme dhe të drejta që i sjellin gjykatat. "Unë nuk besoj se në rastin e procedurës penale mund të ketë dikush interesa që ta komplikojë as nga politika, dhe as nga profesionistët, por ndoshta mund të ketë eventualisht mosdije apo dëshirë që gjithçka të kopjohet nga shtetet e BE-së dhe ato të SHBA-të. Por, diçka që është shumë e mirë në SHBA apo BE, nuk do të thotë se detyrimisht është e mirë apo shumë e mirë për Kosovën. Kjo ngase ka ndryshime jashtëzakonisht të mëdha si në zhvillim po ashtu edhe në perceptim, por ndryshimet thelbësore janë në kulturën dhe në disproporcion me mënyrën se si të jetojnë shqiptarët e Kosovës dhe atë që është e shkruar në Kodin e procedurës penale", u shpreh avokati Gashi. Sipas tij, Kodi i procedurës penale dhe ligji penal duhet të jenë të thjeshtësuar, të kapshme të pranueshme dhe të kuptueshme nga popullata e Kosovës dhe lehtë të aplikueshme nga ana e profesionistëve dhe rrjedhimisht duhet të jetë reflektim i raporteve ndërnjerëzore në shoqërinë kosovare.

 

(Kosova Sot)