Veshkat e Xhevatit riprodhonin gurë pas çdo operacioni

  • 24 June 2016 - 17:00
Veshkat e Xhevatit riprodhonin gurë pas çdo operacioni

Xhevat Zahiri nga fshati Pidiq, komuna e Gjilanit, për shumë vite nuk zuri vend nga dhimbjet e mëdha, siç thuhet, as në tokë dhe as në qiell. Gurët në veshka e mbanin pezull trupin e tij, që nuk e mbanin as këmbët nga lodhja. Ai i kishte operuar dy herë gurët, por veshkat e tij riprodhonin sërish të njëjtën materie. Gurë me thepa. Edhe mjekët që e kishin operuar, kishin ngelur të habitur me formën e tyre, transmeton gazeta Kosova Sot.

Familja Zahiri tani ndodhet diku në Francë, pas shkrimit të "Kosova Sot", për hallin e këtyre dy bashkëshortëve të vetmuar, që pos sëmundjes e dhembjes së madhe, nuk kishin asgjë tjetër. Bashkëfshatarët thonë se Xhevati përballonte dhimbje të hatashme, prej disa vitesh. Jetonte, as i gjallë, as i vdekur, në një kasolle të shekullit të kaluar, në fshatin Pidiq të Karadakut. Zejnia, zonja e shtëpisë, hahej me varfërinë ditë për ditë, derisa bashkëshorti i saj, Xhevati nuk zinte vend nga sëmundja. Ishte operuar dy herë në Kosovë, por gurët i formoheshin prapë në veshka.

Ky rast, thuhet se i ka befasuar edhe mjekët francezë, ku ndërkohë ka migruar kjo familje. Ata e kanë trajtuar dhe përcjellë me shumë interesim gjendjen e pacientit nga Kosova. Gurët në veshka, Xhevatin e mbanin as fjetur, as zgjuar. Ditë e natë me dhembje. Mjekët i kishin sugjeruar trajtim në Turqi, por ai nuk kishte para të shkonte atje. Në një ngrehinë që s`e pret as shiun, jetoi me një social, bashkë me gruan. Fëmijë nuk kishte. "Zoti, na fali dhembje në vend të fëmijëve", thoshte Xhevati.

Ndihmën sociale për bukë e ndante për barna 

Zejnia thotë se nuk kishte asgjë për të shtruar në sofër, pos bukë e speca. "As bukë nuk kemi gjithmonë, sepse socialin e harxhon burri për ilaçe". Çdo ditë me infuzione. Mijëra infuzione janë derdhur në trupin e tij, për t`ia pushuar dhembjet. Mjekët kishin problem për të gjetur një venë të shëndoshë në krahët e tij. Herën e fundit e kishin shpuar në këmbë, sepse nuk kishin ku më. Shpeshherë Xhevati i ka dhënë vetes infuzione, kur nuk kishte para që të shkojë te mjeku. Ose bukë, ose barna. Për të dyja nuk i mjaftonte ndihma sociale, ndërsa ai nuk mund të jetonte pa asnjërën. Tani që jemi para Festës së Bajramit, familja Zahiri nuk e ka më këtë hall, se çka të blejë më parë e çka të lë.

Bashkëfshatarët e tij thonë se Xhevati dhe Zejnia tani janë diku në Francë, por nuk kanë njohuri nëse 53-vjeçari ka ende problem me gurët. Ata shpresojnë që mjekët francezë t`ia kenë gjetur arsyen e riprodhimit të gurëve dhe ta kenë eliminuar problemin. Ndoshta ka gjetur edhe ndonjë punë. Me dhimbjet që kishte në vendlindje, Xhevati nuk ishte në gjendje të bënte asnjë punë, thotë vëllai i tij Bajrami. Ndonjëherë, dilte rreth lumit për të mbledhur ndonjë kënaçe a ndonjë hekur të vjetër, më tepër nga sikleti që nuk zinte vend. 

Fati rikthehet 

Fati është rikthyer edhe te Hamzë Rashiti (1961). Me siguri, ai do të ishte duke jetuar edhe tani në një kodrinë të Vërbicë të Zhegocit, sikur rasti i tij të mos prezantohej së pari në "Kosova Sot" dhe pastaj edhe në medie të tjera. Tani jeta e Hamzës ka ndryshuar shumë. Ai tani pos që ka një shtëpi të re në Gjilan, e ka operuar edhe njërën këmbë për të ecur më lehtë. Hamza ka qenë invalid prej këmbëve dhe tërë jetën ka lëvizur me ndihmën e patericave. Për shumë vite, që kur i vdiq babai, ai jetoi i vetmuar dhe mbijetoi pa vdekur nga uria falë kushëririt të tij, Islamit.

Ai thotë se pas jehonës që iu bë rastit të Hamzës, jeta e tij ka ndryshuar edhe në pikëpamje shëndetësore, meqë njërën këmbë e ka operuar në Spitalin amerikan dhe pas shumë vitesh ka mundur ta peshojë trupin e tij mbi këtë gjymtyrë të "vdekur" prej vitesh. Sa kishte qenë i ri, më pak i kishte përjetuar këto probleme, por kur hyri në të dyzetat e sipër, gjendja filloi t`i rëndohet dhe Hamza nisi të zhgënjehet nga jeta dhe nga njerëzit. Nuk po i binte më as fyellit, pa të cilin dikur nuk e bënte një hap të vetëm. Melodia e jetës së tij kishte ndryshuar. Por, fati u rikthye një ditë edhe tek ai. Edhe Xhevati ka shpëtuar nga dhembjet dhe skamja, falë gazetës "Kosova Sot", që e prezantoi këtë rast dhe preku ndjenjat e qytetarëve. 

(Kosova Sot)