Burri humb 50 kilogramë për një vit

  • 24 June 2016 - 19:53
Burri humb 50 kilogramë për një vit

Para një viti, Chris Rouse peshonte 166 kilogramë, neveritej nga paramendimi i konsumimit të perimeve, nuk kishte ushtruar asnjëherë dhe e hante një çokollatë familjare para se të flinte! I lodhur nga mbipesha, 31-vjeçari, baba i tre fëmijëve, nga Perthi i Australisë Perëndimore, kishte shkuar tek hipnotizuesi, me shpresën që ai do ta bindte që atij i pëlqejnë perimet. Ai tani i han perimet me shumë dëshirë dhe i ka humbur 49 kilogramë, transmeton gazeta Kosova Sot.

Dikur i urrente perimet

Chris-i ka qenë çiklist profesional deri në moshën njëzetvjeçare, mirëpo pasi që nuk ishte përzgjedhur për përfaqësuesen kombëtare ai kishte hequr dorë nga sporti dhe kishte filluar të shtonte peshë. "I kam kaluar vitet e njëzeta në mes të 130 dhe 160 kilogramëve", ka thënë Chris. "Pata vazhduar të haja ngjashëm me kohën kur kam qenë atlet, kur konsumoja mbi 6000 kalori në ditë". Urrejtja që kishte për perimet kishte bërë që ai të shtonte maksimalisht në peshë. "Nuk kisha ngrënë perime që prej moshës gjashtëvjeçare. Vetëm mendimi që do të mund të haja perime më bënte të ndihesha keq. Nuk i mendoja perimet si ushqime për mua. Mirëpo, meqë mund t'i haja perimet kur ishin të përziera në ushqim dhe mund të konsumoja sos domatesh, ndonëse jo edhe domatet, pata filluar të mendoj që ky ishte një problem mendor". Në këtë moment Chris-i kishte vendosur të shkonte tek hipnoterapisti dhe kishte filluar rrugëtimin e tij për humbje të peshës. "Nuk më kujtohet ndjenja që kam pasur kur kam ngrënë perime për herë të parë. Nëna ime është befasuar më së shumti pasi që tani kur është koha për darkë mund të përgatisë çfarëdo që dëshiron". 

Pasojat e ushqimeve të shpejta

Chris-i tani nuk mund ta mendojë se sa keq është ushqyer dikur dhe nuk mund ta besojë që ka ngrënë sasinë e njëjtë të ushqimit që e han sot. "Kryesisht kam ngrënë ushqim të shpejtë dhe kam pirë 'CocaCola', sikur të ishte ujë. Vazhdimisht konsumoja ëmbëlsira, ndërsa ngrënia e një pice të madhe në mbrëmje nuk më dukej asgjë", ka shtuar ai. "Ai tani konsumon shumë perime në dietën e tij me nivel të lartë të proteinave, me pak yndyrë, pak karbohidrate dhe e ka zëvendësuar 'Coca-Cola'-n me ujë. E urrej veten sa herë që e mendoj se si kam qenë. Edhe kur i shikoj fotografitë, ndihem në depresion". Pastaj ai kishte qenë duke e shikuar një film, në të cilin një çiklist përjashtohet nga ekipi dhe nga dëshpërimi fillon të konsumojë alkool. Kjo skenë ia kishte kujtuar veten e tij në moshë më të re, andaj edhe kishte vendosur të rikthehej në shprehitë që i kishte pasur dikur, pra, të fillonte të merrej me çiklizëm. Ai tani shkon në palestër për të ushtruar çdo ditë - përveç të hënës - dhe përshkon 80-120 kilometra me biçikletë katër herë në javë. Trajneri i tij personal, Zac Bertram, i ndihmon me planin e ushtrimeve dhe e shtyn në limitet, të cilat asnjëherë nuk kishte menduar se do të mund t'i mbërrinte. 

(Kosova Sot)