Dhënësit dhe marrësit e ryshfetit hanë në një pjatë

  • 24 June 2016 - 08:05
Dhënësit dhe marrësit e ryshfetit hanë në një pjatë

Ramosaj: Mospublikimi listave tregon se në krim bëjnë pjesë edhe institucionet .

"Nuk duhet të habitemi pse Agjencia e Prokurimit Publik të Kosovës nuk po e publikon listën e zezë të bizneseve, të cilat janë treguar të papërgjegjshme në kryerjen e punëve publike. Publikimi i këtyre listave të bizneseve do ta njolloste në tërësi agjencinë dhe do ta shtrinte përtokë kredibilitetin, edhe ashtu të humbur të tij", shprehet deputeti Enver Hoti 

Pavarësisht konstatimeve në Raportin e Progresit dhe raportet e tjera se në sistemin e Prokurimit Publik të Kosovës ka ndikim të madh politika, kjo nuk e ka ndryshuar gjendjen për të mirë. Përfaqësuesit e biznesit, deputetët e opozitës dhe ekspertët e ekonomisë e akuzojnë Agjencinë e Prokurimit Publik të Kosovës, se nuk po e publikon listën e zezë të bizneseve, të cilat janë treguar të papërgjegjshme në kryerjen e punëve publike. Me gjithë pyetjet e dërguara për disa ditë me radhë në adresë të drejtuesve të Agjencisë së Prokurimit Publik të Kosovës, që vepron si agjenci e pavarur, zyrtarët e zyrës së tyre për informim, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se përse nuk po e bëjnë publikimin e listave të bizneseve të papërgjegjshme në kryerjen e punëve publike.

Shpresat te prokurimi elektronik Kreu i AKB-së, Agim Shahini, thotë për "Kosova Sot" se edhe për vetë agjencinë do të ishte më e ndershme, nëse do të publikohej kjo listë për bizneset, që nuk përfillin ligjin. "Me publikimin e listës së zezë agjencia në një farë mënyre do të mund ta shfajësonte veten dhe do të mund të hiqte nga supet barrën dhe akuzat, që atyre po u bëhen se mbase mund të jenë të implikuar në dhënien dhe favorizimin e ndonjë kompanie të tyre të preferuar në fushën e tenderimit", shprehet Shahini. Sipas tij, fusha e prokurimit publik në Kosovë ende po vazhdon që të vlerësohet se është ndër më të korruptuarat, sepse bëhet fjalë për më shumë se 800 milionë euro të buxhetit të vendit, që gjatë një viti kalendarik kalojnë përmes formave të ndryshme të tenderëve publikë në të dyja nivelet. Ai ka shpresa se me nisjen e prokurimit elektronik do të dihet edhe lista e zezë e bizneseve të papërgjegjshme në kryerjen e punëve publike. Deputeti i Kuvendit të Kosovës Enver Hoti (Nisma për Kosovën) për "Kosova Sot " shprehet me habi se si është e mundur që një kompani vendore, që nuk i ka përmbushur gati as gjysmën e detyrimeve ligjore të kontratës, dhe e njëjta kompani prapë të marrë tenderë në po të njëjtin shtet dhe nga fondet e po të njëjtit shtet. Sipas Hotit, këso marrish mund të ndodhin vetëm në shtetet që drejtohen nga grupet mafioze, çfarë tash e më shumë se një dekadë po ndodhin këto marrëzira. "Nuk duhet të habitemi se pse Agjencia e Prokurimit Publik e Kosovës nuk po e publikon listën e zezë të bizneseve, të cilat janë treguar të papërgjegjshme në kryerjen e punëve publike. Vetë mënyra se si është ndërtuar sistemi i prokurimit është e tillë dhe publikimi i këtyre listave të bizneseve të zeza do ta njolloste në tërësi agjencinë dhe do ta shtrinte përtokë kredibilitetin, edhe ashtu të humbur të agjencisë", shprehet Hoti.

Ramosaj: Është e qëllimshme fshehja e gjurmëve Profesori universitar, Dr. Berim Ramosaj, u shpreh për "Kosova Sot" se ky ligj i prokurimit publik është produkt i sistemit të prokurimit publik, që është instaluar nga periudha e UNMIKut e deri më sot. Ai shtoi se ligji ka pësuar disa ndryshime kozmetike, por në fakt është i përgatitur për vendet, që kanë shkallë të lartë të emancipimit shtetëror edhe qytetar, ndërsa Kosova njihet për një vend patriarkal, që shkalla e emancipimit qytetar është në nivel shumë të ulët. "Kjo do të thotë se jo vetëm institucionet dhe personat vendimmarrës, që janë në fushën e prokurimit, por në përgjithësi si qytetarë e kemi sindromën patriarkale të zhvilluar që duhet të jepet - që të merret, që nënkupton se është një sindromë e zhvilluar nga mentaliteti i robit, e mentaliteti i robit është produkt i një periudhe relativisht të gjatë kohore historike që e ka përcjellë këtë popull", shprehet Ramosaj. Ai shton se kemi qenë popull i robëruar në periudha të gjata kohore që kjo sindromë është pjekur tek qytetari e tani është infiltruar dhe zhvilluar edhe në institucione, që në fakt përgjegjësia është e dy palëve. "Vetëm një shtet juridik, që në fakt stimulon një vetëdije qytetare, që nënkupton vetëdije të tillë që as nuk duhet dhënë, por as të merret jashtë konturave ligjore dhe normative, si dhe morale, ka shanse për të mirë. Kosova do të vuajë për një periudhë relativisht të gjatë kohore në fushën e prokurimit", është shprehur Berim Ramosaj. Ai tutje shton: "Vetë fakti që institucionet tona publike ose në përgjithësi vendimmarrëse e konsiderojnë procesin e auditimit si kontroll të huajin dhe diçka të jashtme, tregon se këta nuk janë të gatshëm të bëjnë përmirësime e as korrigjime as në nivel të vetëdijes dhe as në nivel të shtetit. Andaj fakti se nuk i bëjnë publike rezultatet e kompanive, që kanë shkelur ose që kanë marrë dhe që nuk u janë përmbajtur kritereve të tenderimit, tregon se është një proces i fshehur, që nënkupton se kanë pjesë në këtë krim edhe vendimmarrësit, por edhe ata që i kanë fituar këta tenderë", shprehet Ramosaj. Profesori Ramosaj shprehet se është e qëllimshme edhe fshehja e gjurmëve, pasi shkalla e lartë e transparencës zvogëlon korrupsionin dhe mundësitë e keqpërdorimeve. "Prokurimi elektronik ndoshta mundet ndonjë komponentë që ta ndihmojë këtë aspekt, por prapëseprapë unë dyshoj në rezultatet e këtij prokurimi, pasi janë të njëjtët persona dhe të njëjtit dhënës dhe të njëjtët marrës", shprehet Ramosaj.

(Kosova Sot)