Politika oligarkike e ka fobi dekriminalizimin

  • 25 June 2016 - 07:49
Politika oligarkike e ka fobi dekriminalizimin

BADALLAJ: Partitë, hallka e parë e krimit të organizuar dhe e korrupsionit.

"Përderisa disa deputetë arrestohen apo dënohen për krime dhe shkojnë në burg, në vend të tyre vijnë deputetë të tjerë me të kaluar po ashtu kriminale. Pra, si mund të presim një dekriminalizim, kur në krye të organeve kryesore të shtetit kemi njerëz të inkriminuar. Një shtet, që ka në krye njerëz të kriminalizuar, nuk do të mund të shkojë aspak përpara", thotë Adem Salihaj për "Kosova Sot"

Tema e dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve publike shihet me interes dhe simpati të madhe nga opinioni publik, por jo edhe nga politika kosovare. Ligji i dekriminalizimit në Shqipëri ka nisur të japë efektet e para, por kjo nuk e ka zgjuar nga gjumi klasën politike në Kosovë për të ndërmarrë një nismë të tillë. Sidoqoftë, dhe ky sesion pranveror i punës së Kuvendit, Qeverisë dhe presidencës po përmbyllet pa asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim. Sipas analistëve politikë, kjo mbështetje deklarative e politikës për temën e dekriminalizimit, asnjëherë nuk ka qenë e sinqertë, ngase, sipas tyre, politika e ka pranuar atë si një proces të druajtshëm, pikërisht nga vetëdija se përmes këtij procesi do të atakoheshin në rend të parë oligarkët e tyre politikë. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka pohuar se ka bindje të plotë që pengesa kryesore e fillimit të ndërtimit të legjislacionit konkret për këtë fushë është tek presidenca e vendit, kurse deklarimet e presidentit Thaçi pro një procesi të tillë i vlerëson vetëm për konsum politik dhe që nuk shkojnë përtej këtyre deklaratave". Deklarimet e Thaçit për dekriminalizimin janë vetëm një retorikë mashtruese, të cilën ai e përdor vazhdimisht për t'i mashtruar qytetarët e Kosovës. Dekriminalizimi i institucioneve do të nënkuptonte drejtpërdrejt largimin edhe të Thaçit dhe dërgimin e tij në burg. Kosova është shumë larg dekriminalizimit dhe nuk do të kemi asnjë lloj dekriminalizimi, përderisa ky proces do të varet nga vetë kriminelët e instaluar në pushtet. Shikoni një herë Kuvendin e Kosovës dhe përfaqë- suesit e PDK-së aty. Përderisa disa deputetë arrestohen apo dënohen për krime dhe shkojnë në burg, në vend të tyre vijnë deputetë të tjerë me të kaluar po ashtu kriminale. Pra, si mund të presim një dekriminalizim, kur në krye të organeve kryesore të shtetit kemi njerëz të inkriminuar. Një shtet që ka në krye njerëz të kriminalizuar, nuk do të mund dhe të shkojë aspak përpara", thotë Adem Salihaj për "Kosova Sot".

As debat nuk ka pasur për dekriminalizimin Sipas analistit politik, Albrim Badallajt, dekriminalizimi, nëse një ditë ka vullnet politik të bëhet, sipas modelit të Shqipërisë apo vendeve të tjera, që e kanë kaluar tranzicionin, do të duhej realizuar nëpërmes dy bazamenteve kyçe ligjore. Sipas tij, baza e dekriminalizimit duhet të jetë në hartimin e ligjit për lustracion, e më pastaj për të vazhduar me mjete të tjera ligjore dytësore. "Fillimisht duhet ta kemi parasysh që krahas Ligjit për dekriminalizimin të aplikohet edhe ligji i lustracionit, sepse janë jetikë për fatin e shumë politikanëve, të cilëve do t'u zbulohen të bërat dhe të pabërat e tyre. Dekriminalizimi duhet të jetë prioritet i Kosovës, nëse do një shtet ligjor dhe ta ndalojë korrupsionin e krimin e organizuar. Aplikimi i dekriminalizimit në institucione shtetërore, por edhe nëpër partitë politike, do të ishte hapi më i mirë i mundshëm i luftimit të njerëzve, që janë hallka e parë e krimit të organizuar dhe e korrupsionit", u shpreh Badallaj për gazetën.

Ai ka rikujtuar edhe faktin që ka pasur ndonjë parti në vend, që kanë potencuar se kanë bërë largimin e elementëve të dyshimtë nga partia, por e gjitha kjo a mund të jetë një farsë. "Tani tek ne, nga shumica e politikëbërësve nuk përmendet dekriminalizimi, meqë kanë krijuar një formë fobie prej këtij procesi, saqë as debat nuk ka pasur për këtë çështje. Për këtë arsye edhe shumë investitorë të huaj kanë krijuar averzion apo mosbesueshmëri ndaj klimës për investime në Kosovë, për shkak të pranisë së dukurive të tilla dhe kushtëzimeve të ndryshme. Unë jam i mendimit se përveç institucioneve dhe partive politike, edhe bizneset duhet të përfshihen në procesin e dekriminalizimit, meqë ka gjasa të mëdha, që edhe disa nga to janë të përfshira në afera të ndryshme, së bashku me politikën", shprehet Badallaj.

Sipas tij, derisa nuk aplikohet dekriminalizimi, nuk do të ndodhë as procesi i pastrimit të listave të partive, dhe kësisoj nuk do të ketë as figura të reja në politikëbërje, por as ndryshim të kursit të të bërit politikë. Badallaj thotë se kjo është një arsye e madhe për çka edhe duhet të jetë prioritet për qeveritarët tanë, legjislacioni për dekriminalizim, e që është një vendim i vështirë të merret prej tyre. "Do të duhet që ky ligj të jetë tani top prioritet, sepse i bën më të lehta pastaj edhe proceset integruese. Mirëpo, një hap i tillë është i vështirë të ndodhë, meqë ata nuk munden që me dorën e tyre të votojnë për përfundimin e karrierës politike për veten dhe miqtë e tyre, por ky ligj mund të kushtëzohet, sikurse edhe shumë çështje të tjera, vetëm nga bashkësia ndërkombëtare", ka pohuar Badallaj për "Kosova Sot". 

Krasniqi: Deklarata false vetëm për mashtrim të opinionit Edhe analisti Islam Krasniqi është i sigurt që jo vetëm deklarimet pro një procesi të tillë nga shumica e subjekteve politike, por edhe nga Qeveria dhe presidenti Thaçi kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten deklarata false vetëm për mashtrim të opinionit publik. "Dekriminalizimi është një debat apo temë shumë e frikshme për të gjitha partitë politike, e cila në rend të parë do t'i prekë kokat e pushtetit, të cilat që nga paslufta po sfidojnë gjithçka, sepse janë të paprekshëm. Ligji për dekriminalizimin e institucioneve do ta bënte të mundur që vendi ynë të pastrohen nga veprimet dhe punët kriminale, të cilat janë bërë pengesë serioze që Kosova të ecë përpara. Megjithatë, mund të konstatojmë pa asnjë rezervë se në vendin tonë mungon akoma një nismë konkrete për dekriminalizimin e institucioneve publike e shtetërore, sepse me aprovimin e këtij ligji të veçanti i bien sikur t'i hapësh vetes një gropë, në të cilën do të fundosesh në të. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në shumë raste ka folur për një fillimin të shpejtë të dekriminalizimit të institucioneve të politikës kosovare, mirëpo mungon vullneti dhe pa një vullnet të pastër një gjë e tillë nuk do të ndodh kurrë. Si pasojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit asnjë institucion i Kosovës nuk mund ta kryejë rolin e tij, e as të vendoset sundimi i ligjit, sepse në institucione janë futur njerëz, të cilët janë të involvuar në strukturat kriminale", thotë Krasniqi. Ndërsa magjistri i shkencave politike, Ali Hertica, nuk beson në këtë proces, derisa nuk ndodh një tranzicion i madh në vetë politikën e drejtimit të shtetit. "Politika aktuale kosovare nuk do ta ketë kurajën kurrë për një nismë që ndërlidhet me jetësimin e procesit të dekriminalizimit të vetë politikës dhe institucioneve, sepse në këto institucione janë të rreshtuar oligarkët e kësaj klase politike, kriminelët dhe bandat e tyre. Madje, kjo lidhje shkon përtej, së bashku me disa prej ligjvënësve dhe deri te prokurorët e shtetit", u shpreh Hertica për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

 

(Kosova Sot)