Gjyqtarët e prokurorët u bënë milionerë, duke trafikuar drejtësinë

  • 25 June 2016 - 07:58
Gjyqtarët e prokurorët u bënë milionerë, duke trafikuar drejtësinë

"Organet kompetente të ndjekjes janë të detyruara që në mënyrë profesionale dhe me prova materiale ta argumentojnë, nëse pasuria që e posedojnë gjyqtarët dhe prokurorët është në përputhje me të ardhurat e tyre mujore, madje nëse nga ato të ardhura mujore ata kanë mundur që ta krijojnë pasurinë, të cilën e posedojnë", është shprehur avokati Nikë Shala

Zeqa: Prokuroria as që e ka guximin të hetojë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve të lartë.

Edhe 17 vjet pas luftës Kosova ka mungesë të legjislacionit në drejtim të hulumtimit dhe kontrollimit të vazhdueshëm të prejardhjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, në mënyrë që kësisoj të konstatohej se si është fituar ajo pasuri e tyre. Por, pavarësisht mosrregullimit të kësaj çështje me norma ligjore dhe me aktet më të larta normative, shtrohet pyetja se a do të guxonte ndokush që ta hetonte pasurinë marramendëse, veçmas të disa njerëzve të drejtësisë kosovare, të cilët kanë arritur të bëjnë pasuri milionëshe e shumëmilionëshe, derisa në anën tjetër ajo nuk mund të justifikohet me asgjë? Analisti Florim Zeqa në një prononcim për gazetën, "Kosova Sot", ka thënë se bazuar në situatën e kapjes së shtetit dhe institucioneve të drejtësisë nga mafio-politika dhe parapolitika, nga grupet kriminale, një gjë e tillë, sipas tij, është tepër e vështirë që të realizohet. "Në rrethanat e krijuara, prokuroria as që e ka guximin të hetojë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve të lartë brenda drejtësisë kosovare, pasuri kjo të cilën e kanë krijuar duke trafikuar drejtësinë e qytetarëve të rëndomtë të këtij vendi. Ajo që mund të bëjnë prokurorët e përgjegjshëm dhe të guximshëm të drejtësisë kosovare në momentin e tanishëm, është mundësia që rastet e dyshimta të shpërdorimeve në sistemin e drejtësisë t'i ngrisin si raste pranë EULEX-it, pse jo edhe gjykatave apo ndonjë prokurorie ndërkombëtare". Më tej, Zeqa ka nënvizuar se çdo etapë historike dhe çdo kohë i ka heronjtë e vet, dhe, sipas tij, koha nëpër të cilën po kalon populli ynë, i kërkon heronjtë brenda sistemit të drejtësisë, të cilët siç tha "me guximin dhe vendosmërinë e tyre, të përballen me sfidat e kohës, për të luftuar një herë e mirë brenda shoqërisë sonë krimin e organizuar dhe korrupsionin nga lartë- poshtë dhe anasjelltas". "Në të kundërtën nëse presim, që tjerët (ndërkombëtarët) të na i zgjidhin detyrat e shtëpisë, atëherë mund të kalojnë edhe 17 vjet të tjera të zhytur në krim, korrupsion dhe varfëri ekstreme, përderisa në anën tjetër klasa e kusarëve politikë do të vazhdojnë pasurimin e skajshëm mbi kurrizin tonë", është shprehur analisti, Florim Zeqa. 

Salihu: Kur nuk justifikohet pasuria, atëherë konfiskohet Sa i përket mënyrës së pasurimit të ligjshëm apo të paligjshëm, dhe hulumtimit e vërtetimit të prejardhjes së pasurisë, profesori Mazllum Baraliu mendon se mënyra më e mirë e avancimit të gjendjes së tanishme në këtë aspekt, do të ishte që të përgatitej dhe të miratohej një ligj për hulumtimin e prejardhjes së pasurisë të të gjithë zyrtarëve, por dhe ish-zyrtarëve të shtetit dhe institucioneve të tjera në mënyrë siç tha "që nga zanafilla, nga paslufta të ketë një hulumtim dhe vërtetim të gjendjes dhe mënyrës së pasurimit të pabazë ose me bazë të gjithë atyre njerëzve që kanë bërë pasuri marramendëse qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, në emër të tyre apo në emra të tjerë. "Vetëm mënyra e nxjerrjes së një ligji të tillë do të mund ta shëronte këtë gjendje dhe rrjedhimisht ta sqaronte edhe situatën sa i përket kësaj çështjeje, pra pasurimit edhe të zyrtarëve në drejtësi, por edhe në të gjitha fushat e tjera të sferës publike në Kosovë", ka potencuar për gazetën "Kosova Sot", Baraliu. Ndërsa, profesori i drejtës penale, Ismet Salihu, thotë për gazetën "Kosova Sot" se nëse do të nxirrej ligji për verifikimin dhe kontrollimin e prejardhjes së pasurisë, atëherë ndaj këtyre personave, mund të fillohej kontrollimi i prejardhjes së pasurisë, por shtoi se vetëm në rastet kur dyshohet se personi i caktuar ka kryer vepër penale. "Në disa shtete ekzistojnë ligjet e posaçme, përmes të cilave kur një person i caktuar e ka pagën 1000 apo 2000 euro, ndërsa ka bërë pasuri milionëshe brenda një periudhe 3 apo 4-vjeçare, atëherë ligjet në fjalë e japin mundësinë që personi në fjalë të tregojë prejardhjen e pasurisë dhe në rast se ai nuk ka argumente, apo dokumente dhe fakte me të cilat e arsyeton atë pasuri që posedon, atëherë atij i merret pasuria dhe në këto raste barrat e provave rëndojnë ndaj atij personi, i cili dyshohet se ka bërë atë pasuri në mënyrë të kundërligjshme", ka pohuar profesori i drejtës penale, Ismet Salihu. 

Shala: Ka neglizhencë për t'i ndëshkuar zyrtarët e lartë publikë Në anën tjetër, avokati Nikë Shala, thotë se çdo deklarim i pasurisë duhet të jetë real dhe objektiv, në të kundërtën, sipas tij, secili duhet të ballafaqohet me drejtësinë, por në rast se vërtetohet fajësia duhet që personi në fjalë të ndëshkohet me sanksione penale. "Për t'u dëshmuar kjo, organet kompetente të ndjekjes janë të detyruara që në mënyrë profesionale dhe me prova materiale ta argumentojnë, nëse pasuria që e posedojnë gjyqtarët dhe prokurorët është në përputhje me të ardhurat e tyre mujore dhe atë se nëse nga ato të ardhura mujore, ata kanë mundur që ta krijojnë pasurinë të cilën e posedojnë", është shprehur avokati Nikë Shala. Më tej, Shala ka nënvizuar se shumë lëndë janë proceduar në prokurori dhe gjykatë, por, sipas tij, në këtë drejtim vërehet një mosefikasitet, si dhe neglizhencë për t'i ndëshkuar zyrtarët e lartë publikë, të cilët kanë përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme, por, siç tha, ai se edhe ato lëndë, të cilat gjykohen dënimet janë shumë të buta dhe rrjedhimisht nuk arrihet as qëllimi i dënimit që kjo bie ndesh me Kodin Penal të Kosovës. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, thotë sa me atë që është në dijeni, deri më tani asnjë zyrtari nuk i është hetuar pasuria, përfshirë këtu edhe zyrtarët e drejtësisë. Në këtë drejtim, Salihaj ka ngritur dilemën, duke thënë se nëse vetë njerëzit e drejtësisë arrijnë që të pasurohen në mënyrë të paligjshme, atëherë kush do t'i hetonte ata. "Askush në Kosovë nuk mund të bëhet i pasur me rrogë, pavarësisht se sa e lartë është ajo, ngase në pjesën më të madhe shpenzohet për nevoja të familjes dhe vështirë se mund të kursehen në bankë dhe të blihen pasuri të mëdha. Drejtësia është segmenti më i rëndësishëm i shtetit, dhe nëse ajo keqpërdoret për tu pasuruar, atëherë qytetarët tanë do ta kenë punën shumë keq, pasi nuk do të ketë kush që ta luftojë pasurimin e paligjshëm", ka theksuar, deputeti Adem Salihaj për gazetën "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)