Raportet e auditorit nuk i përfillin Qeveria e Prokuroria

  • 25 June 2016 - 08:01
Raportet e auditorit nuk i përfillin Qeveria e Prokuroria

Kelmendi: Gjyqësori e Prokuroria marrin frymë përmes politikës.

Në Kosovën e pasluftës është bërë dukuri që nëpër shumë institucione të vendit, në nivel qendror dhe lokal, auditorët të gjejnë shumë parregullsi në tenderë dhe forma të tjera të shpenzimit të parasë publike. Ekspertët e fushës së drejtësisë dhe ekonomisë shprehen se gjithë këto auditime duhet ta alarmojnë Qeverinë, e sidomos Prokurorinë, për të ndërmarrë masat ndëshkuese ndaj keqpërdoruesve. Lidhur me çështjen, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, për "Kosova Sot" u shpreh se koha ka dëshmuar se të gjitha gjetjet e auditorëve të Zyrës së Auditimit Publik, që po bëhen nëpër institucionet shtetërore të vendit në të dyja nivelet, për fatin e keq të qytetarëve tanë, që janë taksapaguesit dhe mbushësit kryesorë të arkës së shtetit dhe buxhetit kombëtar, po kalojnë në heshtje dhe pa u vërejtur pothuajse fare, qoftë nga Qeveria apo Prokuroria e Shtetit. Kjo heshtje, sipas tij, po ua mundëson keqbërësve që të mos ndalen me hajni. "Të gjitha ato gjetje, që nga ZAP-i po bëhen nëpër të gjitha ministritë, por edhe nëpër të gjitha komuna e vendit, janë të mjaftueshme dhe përbëjnë një element të bollshëm për Prokurorinë për të nisur hetimet, por edhe për Qeverinë për të ndëshkuar shkelësit e ligjit. E keqja po kalon pa pasoja. Sipas Shatrit, as që duhet pritur qoftë nga Qeveria apo edhe nga Prokuroria se ata do të të bëjnë diçka në këtë drejtim, sepse praktika e deritanishme e qeverisjes me Mustafën e Thaçin kalojnë pa u vërejtur fare. Ai tutje shtoi: "Raportet e auditorëve mbesin vetëm një farsë e koalicionit të pushtetarëve aktualë, PDK-LDK, dhe nuk janë gjë tjetër".

Gjyqësori i kapur nga politika Ndërsa, eksperti i drejtësisë, Muhamet Kelmendi, për "Kosova Sot" është shprehur se në kuptimin e kryerjes së detyrës në nivel komunal apo qendror janë dy mekanizma që e mbikëqyrin punën e tyre, është auditori i brendshëm dhe ai jashtëm si dy mekanizma të demokracive liberale perëndimore dhe që janë treguar të suksesshëm. "Ato kanë ndikuar që njerëzit e punë- suar në Administratë dhe institucione të tjera të ndikojnë pozitivisht në drejtim të orarit dhe kontratës së punës dhe veprimtarisë që e ka", është shprehur Kelmendi teksa ka shtuar se tashmë po shtrohet çështja se si kjo po aplikohet në Kosovë, pasi kemi të bëjmë me një gjyqësor që është në tërësi i kapur nga ana e politikës e po ashtu kemi me një prokurori që merr frymë përmes organeve të saja dhe kemi një hetuesi që merr frymë përmes politikës, pastaj me ministritë që janë mbushur me grupe të interesit, lokalizëm e familjarizëm."Nuk mendoj se në Kosovë ka pasur e do të ketë suksese kjo formë e punës së auditorëve, pavarësisht nga raportimet që do t'i bëjë. Ndaj zyrtarit të akëcilit nivel qoftë duhet të ndërmerren masa konkrete në drejtim të përjashtimit nga puna nëse nuk e respekton punën", shprehet Kelmendi. Ai thotë se pastaj këtu ka punë edhe prokuroria, e cila, sipas tij, nëse ka shkelje e keqpërdorime apo është i korruptuar ndonjë zyrtar ka kryer vepër penale, ai duhet dërguar në gjykata. "Auditimi thënë troç është një lëmsh i sistemit të tillë, i cili vështirë që te ne do të korr sukses. Unë kam dëshirë që auditimet të vazhdojnë, sepse fundja edhe kam dëshirë e të korrë sukses, por kam dyshime shumë të mëdha. Kam frikë se do të vazhdohet me këngën e vjetër. Puna e auditmit në kuptimin e demokracive të brendshme është shumë e mirë. Por, më pas shtrohet pyetja se a do të hapen procedura", është shprehur Kelmendi.

Sadiku: Problemet nuk zgjidhen vetëm me ngritje aktakuzash Eksperti i ekonomisë dhe profesori universitar Muhamet Sadiku u shpreh për "Kosova Sot" se auditori gjeneral ka shqetësimet e tija lidhur me zbatimin e procedurave të të hyrave të ndryshme."Një gjë duhet kuptuar se Kosova ka ende institucione të reja dhe ende ballafaqohet me problemin e shtetndërtimit. Por, është me rëndësi që institucionet tona të kyçen dhe t'i marrin me seriozitetin më të madh rekomandimet e Auditorit Gjeneral, të cilat duhet t'i adresojnë tek disa shkelje të bëra dhe devijime që po përsëriten shpeshherë nëpër të dyja nivelet e qeverisjes", shprehet ai. Sipas Sadikut, edhe shtetndërtimi duhet paralelisht të zhvillohet edhe me ndërtimin e një kulture qeverisëse."Ne duhet që gradualisht t'i eliminojmë problemet dhe gradualisht të përmirësojmë qeverisjen. Në veçanti nevojitet që ta përmirësojmë qeverisjen në financat publike", është shprehur ai. Sadiku thotë se auditimi është një proces që nuk duhet të përfundojë në afat të mesëm apo të shkurtër, por është një proces gjatë të cilit institucionet duhet të mësojnë nga gabimet e veta. Prandaj, me gjithë këto gjetje të auditorëve unë jam i mendimit se problemi nuk mund te zgjidhet vetëm me ngritje aktakuzash dhe i njëjti nuk mund të përmirësohet vetëm me gjoba, por është i ndërlidhur edhe me krijimin e një vetëdije të re të shtetndërtimit dhe krijimin e një vetëdije të qeverisjes së mirë", shprehet Sadiku. Gazeta u ka dërguar pyetje Qeverisë, por edhe Prokurorisë se a do të marrin masa pas gjetjeve të Auditorit, por nuk kanë marrë përgjigje

(Kosova Sot)