BE-Britani, përplasje për kohën e largimit

  • 25 June 2016 - 12:18
BE-Britani, përplasje për kohën e largimit

Ministri i Jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier është shprehur se nuk ka vend për depresion dhe as për panik. Kjo deklaratë vjen një ditë pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian dhe pak para takimit me gjashtë kryediplomatët e vendeve themeluese të BE-së.

Gjatë ditës së sotme pritet ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë, Belgjikës, Luksemburgut dhe Holandës të mblidhen në Berlin për të diskutuar rezultatin e referendumit britanik.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se në tryezë do të diskutohet përshpejtimi i largimit të Britanisë nga BE-ja dhe masat për të shkurajuar vendet e tjera anëtare që të bëjnë të njëjtën gjë.

Takimi i ministrave të Jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të Unionit i paraprin samitit të jashtëzakonshëm të thërritur për të mërkurën, i pari pa Britaninë e Madhe dhe ku do të theksohet edhe njëherë, ndoshta edhe më fort kërkesa e Brukselit dërguar Londrës që të nisi sa më shpejt bisedimet për largimin.

Kryeministri David Kameron njoftoi se do të largohet në muajin tetor dhe tha se preferon që bisedimet e largimit t’ia kalojë pasardhësit të tij, por të kundërtën mendon Jean Claude Juncker.

(Kosova Sot)