Kryeprokurori u përgjigjet kardiokirurgëve të akuzuar

  • 25 June 2016 - 13:00
Kryeprokurori u përgjigjet kardiokirurgëve të akuzuar

Dje, në disa media, është publikuar një letër e hapur e kardiologëve, të cilët tentojnë ta denigrojnë Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për ngritje të aktakuzës ndaj tyre.

Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofon se Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur kompetent dhe përgjegjës për ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale, pa marrë parasysh pozitën e tyre në shoqëri.

Si në çdo rast tjetër, edhe në rastin ku janë akuzuar disa kardiolog, prokuroria ka ushtruar funksionet e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke siguruar trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë të pandehurit.

Prokurori i rastit dhe jo kryeprokurori i Shtetit, siç është deklaruar në letrën e hapur të kardiologëve, pasi që ka siguruar prova të mjaftueshme se janë kryer vepra penale, duke vepruar në përputhje me kompetencat që ka, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 64 të pandehurve.

Deklaratat e tilla, të cilat janë drejtuar gjithashtu edhe tek pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv, prokuroria i konsideron të pandershme sepse në sisteme demokratike drejtësia ndahet vetëm në gjykata dhe kush e kupton ndryshe është në keqekuptim të madh me ndarjen e pushteteve.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit siguron opinionin publik se veprimet e tilla nuk do të ndikojnë në punën e pavarur dhe të paanshme të prokurorëve të shtetit dhe të njëjtat në asnjë rast nuk do të mund ta zbehin vendosmërinë, përkushtimin, pavarsinë dhe paanshmërinë e këtyre prokurorëve për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë.

Asnjë i pandehur nuk duhet t’iu nënshtrohet presionveve nga individ të caktuar dhe  për më tepër, të pandehurit nuk duhet të ndihen të frikësuar nga insistucionet e drejtësisë, përkundrazi të njëjtit inkurajohen që të bashkëpunojnë me këto institucione, duke kontribuar në zhvillimin dhe përfundimin e drejtë të procedurës penale në gjykatë.  Gjykimi dhe peshimi i drejtë i provave duhet t’i lihet vetëm gjykatës. 

(Kosova Sot)