Rreth 1 milion euro më pak për investime kapitale

  • 25 June 2016 - 16:56
Rreth 1 milion euro më pak për investime kapitale

Ngecja në zhvillim e Komunës së Gjakovës në periudhën e pasluftës është fakt i konstatuar nga shumë njohës të rrjedhave ekonomike, por edhe nga vetë zyrtarët komunalë, që është thënë vit pas viti, me shpjegimin se po mungon mbështetja nga institucionet qeveritare.

Dhe, kur në këso situata, fondi për investime kapitale nga viti në vit shënon rënie, kjo bëhet shumë brengosëse. "Nuk ka nevojë për ndonjë analizë të komplikuar për ta kuptuar situatën aspak të volitshme që është në komunën tonë. Mjafton të thuhet se investimet kapitale në vitin 2013 ishin gati 6 milionë euro, një vit më vonë, më 2014, ranë në 5 milionë ndërsa në vitin 2015 në vetëm 4,5 milion euro, dhe çdo gjë bëhet e qartë. Kështu, në kohën kur kërkesat e qytetarëve tanë për investime kapitale sa vijnë e shtohen, niveli i këtyre investimeve në vend se të rritët, po zvogëlohet", ka thënë Dervish Tahiri, këshilltar komunal, nga radhët e AAK-së, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kur fukaraja varfërohet edhe më shumë!

Nëse shikohet korniza afatmesme buxhetore 2017-2019, të cilën e ka hartuar Ministria për Buxhet e Financa, brenga e gjakovarëve, sa i përket fondit për investime kapitale, vetëm sa rritet. Në fakt, aty është parapa që buxheti për investime kapitale në komunën e Gjakovës, në vitin 2017, të shënoi rënie prej madje rreth 1 milion eurosh në krahasim me atë të vjetmin apo të sivjetmin! Mirëpo, sipas Teki Shales, drejtor komunal për buxhet e financa, fjala është për një lloj "akrobacioni" e jo për zvogëlim real të këtij fondi, prandaj ai nuk brengoset. "Nuk do të ketë rënie të investimeve kapitale, por do të ketë riemërtim të mjeteve të dedikuara për këtë qëllim. Një pjesë e mjeteve për këtë lloj investimesh, janë specifikuar si mjete për mirëmbajtje, por që në fakt e kanë të njëjtin destinim si deri më tash.

Kështu, kur pjesa e mjeteve të parapara për mirëmbajtjen e investimeve kapitale u bashkohet mjeteve nga pozicioni "investimet kapitale" fitojmë shumën e njëjtë që për këtë qëllim e kemi pasur vjet apo e kemi sivjet. Pra, kemi vetëm riemërtim të mjeteve dhe kjo është bë sepse kështu e kërkon reforma buxhetore, pastaj e kërkojnë Ligjin mbi kontabilitetin dhe Ligji për menaxhimin e financave publike. Me rritjen e projekteve kapitale, me rritjen infrastrukturës në përgjithësi, komuna është e detyruar që këto projekte t'i mirëmbaj, dhe më nuk do të trajtohen kapitale, por do të trajtohen si mallra dhe shërbime", ka thënë Shala, duke shtuar se, megjithatë, duke e pasur parasysh se mjetet për investime kapitale janë të pamjaftueshme, komuna duhet t'i formojë prioritetet e veta në këtë fushë.

Janë ndëshkuar tatimpaguesit korrektë

Mënyrën e krijimit të një buxheti të mirëfilltë komunal, krejt ndryshe e sheh këshilltari nga AAK-ja, Qazim Mehmeti, zaten, në dy mandate, ishdrejtor komunal për buxhet e financa. "Krijimin e një buxheti të tillë e vështirëson mosmarrja e masave ndaj tatimpaguesve delikuent. Në listat e komunës ka shumë tatimpagues të tillë. Për rritjen e të hyrave vetjake, komuna duhet shfrytëzuar Ligjin mbi rritjen e normës tatimore nga 0,08% në 0,15%, i cili e favorizon atë, pasi tash, vetëm faturimi i këtij tatimi ka arritur në 1,67 milion euro. Nga ana tjetër duhet bërë çmos që gjatë këtij viti të inkasohen borxhet nga tatimpaguesit delikuent, sepse viti i ardhshëm është vit zgjedhor, e nga përvoja e dimë se, në vite të tilla bie dukshëm niveli i të hyrave vetjake", ka thënë Mehmeti, duke shtuar se Ligji për faljen e borxheve ka krijuar një ndjenjë të pabarazisë në komunitet, pasi tatimpaguesit korrektë, në një mënyrë janë ndëshkuar.

Kur bëhet fjalë për investimet kapitale, Edmond Dushi nga OSBE-ja, që e bën monitorimin e punës së Kuvendit të Komunës, mendon se investime të tilla nuk janë vetëm objektet. "Projektet kapitale nuk janë vetëm rrugët, kanalizimet, ujësjellësi, sheshet e të tjera, por ka edhe projekte për arsim, por jo vetëm ndërtimi i shkollave, ka projekte për shëndetësi, por jo vetëm ndërtimi i qendrave të mjekësisë familjare, ka projekte të ndryshme kapitale për rini, ka projekte kapitale për kulturë, por jo domosdoshmërish të jenë renovimi i pallatit të kulturës ose ndërtimi i një qendre kulturore, e të ngjashme. Vërtet ka nevojë për objekte, por ka shumë nevojë edhe për projekte për zhvillimin e kulturës, për zhvillimin e arsimit, për ngritje profesionale, pra duhet të ndahen mjete edhe në këtë drejtim", ka thënë Dushi. 

(Kosova Sot)