Dashuria si në telenovela e Sylejmanit për Gyltenen

  • 26 June 2016 - 08:36
Dashuria si në telenovela e Sylejmanit për Gyltenen

Gyltenja ishte një fëmijë i adoptuar i pasanikut më të madh të të gjitha kohërave në Prizren, Haxhi Fahri Arigjanit. Sylejman Randobrava kishte rënë në dashuri me Gyltenen në vitin 1956 dhe martohen më 1958. Ura e Gurit në Prizren i ishte bërë ves që Sylejmani çdo ditë të shkojë e të takojë, duke menduar se aty do ta rishohë bukurinë e saj.

Shtatë herë e refuzoi si dhëndër, më pas bëri shtatë betime për dashurinë, shkrua sot Gazeta Kosova Sot

Dashuria bashkon dy zemra në një fantazi, kështu e përshkruan vitin e largët 1956 Sylejman Randobrava, kur e kishte parë për herë të parë Gyltenen dhe nga ajo ditë tek Ura e Gurit në Prizren i ishte bërë ves që çdo ditë të shkojë e të takojë, duke menduar se aty do ta rishohë bukurinë e saj."Dashuria u bë si zjarri që me digjte e nuk shuhej. Te njeriu që dashuron ka diçka të pavetëdijshme që lulëzon. Ligjërimi i dashurisë i fshin fjalët e njohura për të shprehur dashurinë", shprehet Randobrava. Ai tutje tregon se pastaj mëson se kjo vajzë ishte vajza e personalitetit më të pasur të të gjitha kohërave, ishte e bija e Haxhi Fahri Arigjanit nga Prizreni. Ai kishte shkuar që këtë vajzë ta kërkonte jo më pak se shtatë herë dhe të gjitha herët e kishte refuzuar familja. Është një kërkesë mitologjike që kur dikush të kërkon diçka shtatë herë duhet t'ia japësh.

Dashuri me shtatë betime Familjes së njohur të Haxhi Fahrisë pushteti i ish-Jugosllavisë ia kishte konfiskuar pothuajse tërë pasurinë, pastaj qindra kilogramë ari e pasuri tjetër. Ata e kishin marrë këtë vajzë ta rrisnin dhe nuk donin ta largonim. Më në fund pranojnë që Sylejman Randobravën ta bëjnë dhëndër, por me një kusht, që ai të jetonte në bashkësi me familjen e Haxhi Fahrisë. Kështu në vitin 1958 ata e kurorëzojnë këtë dashuri, por kjo dashuri ka një karakteristikë nga martesat e tjera, sepse është bërë me dashuri të betuar shtatë herë."Me dashuri që kurrë s'do të ketë as shtatë fjalë të këqija dhe së fundi që kjo dashuri të kurorëzohet për të pasur një jetë të lumtur", shprehet ai. Profesori Sylejman Randobrava tregon se Zoti i gëzoi me një djalë, Erdojanin, dhe tri vajza, që të gjitha me fakultet të kryer.

Varrimi, afër varrit të së ëmës Randobrava tregon se Haxhi Fahria ishte një personalitet që ka pasur pedigre të fuqishëm e respekt. "Ai ka ditur të ruajë gjakftohtësinë pas gjithë asaj ngjarje që tragjikisht komunistët ia bënë kësaj familje, por ai e ruajti deri në maksimum kureshtjen qytetare", tregon profesor Randobrava. Profesori, tanimë rreth 80-vjeçar, tregon se si kishte rënë në dashuri me Gyltenen. "Ajo ishte njeriu me i pastër në shpirt dhe ndërgjegje që kam njohur në jetën time. Ishte dashuria ime e madhe dhe e plotë, kurorëzuar me martesën dhe lindjen e dy vajzave dhe djalit tonë. Inteligjenca dhe zgjuarsia habiste dhe njerëzit me inteligjentë të këtij vendi! Dashuria për jetën dhe njerëzit përreth ishte e pakufi dhe e vërtetë, pa kompromise dhe interesa, e sinqertë te Zoti! Ishte nënë e përkushtuar dhe boshti i sukseseve të mia! Shoku im më i mirë. Por, ajo që s'dua ta harroj dhe ta kujtoj.ishte fakti se nga mosha 20-vjeçare e deri në vdekje së paku në çdo shtatë muaj më thoshte se nëse vdes para teje më varros te varri i nënës", tregon sot Randobrava. Tregon se edhe pse e dinte se nuk ishte nëna e saj biologjike, ajo kishte dashuri të fuqishme ndaj saj."Thoshte sa kam shumë gjëra t'i them në botën tjetër kur do ta takoj.

Ajo asnjëherë s'e harroi nënën e saj, Ferdanen. Ajo e rriti dhe e edukoi dhe i kishte dhënë shpirtin fisnik. Prandaj më 12 qershor të këtij viti e bëmë realitet kërkesën e saj duke ia rikthyer nënës Ferdane bijën, apo siç e ka quajtur në jetë xhani Gyletenin", tregon Randobrava."Vdekjet janë të obligueshme dhe të natyrshme për moshën tonë. Por, kjo kërkesë dhe komunikimi i përhershëm i saj me nënën na bëri të gjithëve të mendojnë tani pse e kishte aq të madhe kur ajo nuk ishte nëna biologjike. Ajo në jetë kishte merak të krijonte ura të shumta dhe një herë më pati thënë në vitin 1999 kur shumica e prizrenasve e morën udhën për të shkuar drejt Shqipërisë, ajo tha: 'Urat kanë qenë gjithmonë nyje lidhëse midis popujve dhe kombeve. Por, Ura e Morinit për më shumë se 60 vjet shërbeu si vijë ndarëse midis vëllezërve të një gjaku, që jetonin të ndarë në Shqipëri dhe Kosovë. Kishte ditë madje dhe javë kur qetësia dhe heshtja mbretëronin në urë, pohonte ajo dhe prandaj tha se secila urë ka nga një emër edhe kjo urë duhet ta kishte emrin "Ura e lotëve", evokon kujtime sot profesori Randobrava.

Pushteti kurrë nuk ia ktheu pasurinë përrallore Randobrava thotë se dashuria mund të jetë e vlefshme vetëm kur heqim dorë nga parametrat e vjetërsuar mendorë, të cilët vazhdojnë të na paralizojnë."Është e nevojshme që në jetën tonë të pranojmë dashurinë si forcën me të madhe universale për bashkimin dhe mirësinë, të pranueshme nga të gjithë ata që me të vërtetë e dëshirojnë. Vetëm atëherë do të zbulojmë se dashuria, plotësisht e realizuar, ka fuqinë të shmangë ato gjëra të pavlera që na ndajnë. Dashuria është e madhërishme si vetë jeta dhe kur duam t'i japim një përkufizim shpesh përfundojmë duke i vënë kufizime. Kështu ajo ka folur shpesh për dashurinë që kishin bashkë me nënën e saj", shprehet Randobrava. Shton se ajo jetoi edhe 17 vjet nga paslufta dhe askush nuk ia ktheu pasurinë e prindërve të saj. "Ajo kur nuk e prishi ëndrrën e saj të së ardhmes se mbi të gjitha vlen vetë jeta. Pasuria shkon e vjen, por njeriu si qenie njerëzore ka vetëm dashurinë njerëzore, mirëkuptimin dhe mbi ta gjitha bujarinë që duhet ta ruajmë si një virtyt", shprehet ai. Randobrava thotë se çezma e "Shatërvanit" ka magji njerëzore. Randobrava tregon se është njëri ndër lexuesit më të pasionuar të gazetës "Kosova Sot", për të cilën thotë se është gazetë familjare.

(Kosova Sot)