Salihaj: Politikanët e duan pushtetin për pasurim të paligjshëm

  • 26 June 2016 - 10:14
Salihaj: Politikanët e duan pushtetin për pasurim të paligjshëm

Deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, thotë se në Kosovë logjika e qëndrimit në pushtet është bërë logjikë e pasurimit të paligjshëm, duke abuzuar me pushtetin dhe duke e keqpërdorur atë për interesa personale.

Salihaj thotë se janë ngritur plot biznese, të cilat kanë fituar kapitalin bazë në mënyrë të paligjshme, derisa shtoi se nga ky kapital bazë i paligjshëm krijohet një kapital tjetër, i cili po ashtu është i paligjshëm, por që mbulohet me letra dhe duket sikur është çdo gjë në rregull në aspektin ligjor.

“Bizneset e ndershme e kanë gjithnjë më vështirë të mbijetojnë në këtë ambient, në të cilin konkurrenca e bizneseve me ato të financuara nga krimi dhe korrupsioni është e papërballueshme”, shprehet tutje ai.

“Në Kosovë, fillimisht duhet që të ndryshojë klima dhe të eliminohen strukturat e krimit të organizuar, ngase vetëm atëherë mund të flitet për një ambient të përshtatshëm për zhvillimin ekonomik”, shprehet Salihaj, për Kosova Sot.

(Kosova Sot)