Gjatë dhjetorit janë shpenzuar 59% e buxhetit

  • 26 June 2016 - 11:36
Gjatë dhjetorit janë shpenzuar 59% e buxhetit

Kontratat kalojnë pa ndëshkime  

Në raportin e auditimit, nga ZAP-i, për pasqyrat financiare të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës për vitin e 2015, thuhet se kjo ministri nuk kishte arritur të shfrytëzojë buxhetin për investime kapitale në pajtim me planin kohor të rrjedhës së parasë. "Megjithatë, nëse i shohim lëvizjet e buxhetit në këtë kategori në mes të buxhetit fillestar dhe atij final, shohim se kjo kategori nuk ishte menaxhuar sipas Programit për Investime Publike (PIP), si dhe planit të rrjedhjes së parasë. Si rrjedhojë e mosshpenzimit të buxhetit, kjo kategori ishte reduktuar për 2,874,876 euro. Gjithashtu dinamika e shpenzimeve nuk ishte e njëjtë në gjithë vitin. Në tremujorin e fundit ishin shpenzuar rreth 69% e shpenzimeve totale, ndërsa nga kjo vetëm në muajin dhjetor ishin shpenzuar 59%. Shkaktarët kryesorë të mosrealizimit të projekteve ishin: mosaprovimi i Ligjit nga Kuvendi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, vonesat në inicimin e procedurave të prokurimit, si dhe anulimet e prokurimeve nga OSHP-ja". 

Planifikimi i dobët Sipas ZAP-it, planifikimi i dobët, si dhe ekzekutimi i buxhetit jo në përputhje më PIP-in dhe planin e rrjedhjes së parasë, redukton efektivitetin e planeve operacionale dhe objektivave të përcaktuara nga MFSK-ja, derisa rekomandon se ministri duhet që të sigurojë se është bërë një vlerësim i arsyeve në lidhje me nivelin e dobët të planifikimit të buxhetit. "Ai duhet të sigurojë se përgatitja e buxhetit paraprihet nga një analizë e detajuar, e cila pasqyron në mënyrë të plotë informatat, përfshirë shpenzimet e vitit të kaluar/ndryshimet e pritura të vitit, etj". Në raportin e ZAP-it për këtë ministri, thuhet po ashtu se pavarësisht përgatitjes së planit të veprimit lidhur me adresimin e rekomandimeve, si dhe angazhimit të MFSK-së për të adresuar këto çështje, dy rekomandime kanë mbetur ende të paadresuara. "Rekomandimet e paadresuara ndërlidhen me planifikimin dhe realizimin e buxhetit për projektet kapitale dhe të planit të rrjedhës së parasë, si dhe lidhur me menaxhimin e personelit. Menaxhmenti së bashku me personat përgjegjës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të adresuar rekomandimet e mbetura. Dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve të tjera në sisteme kyçe financiare dhe të cilat nuk janë adresuar, kanë rezultuar në: dobësi të vazhdueshme në ekzekutimin e buxhetit, dhe kontrolle jo të mjaftueshme në aktivitetet e menaxhimit të personelit". ZAP-i në këtë çështje rekomandon se ministri duhet të sigurojë që është zbatuar plani i veprimit, i rishikuar, i cili i përcakton saktë afatet kohore për implementimin e rekomandimeve të bëra nga AP-ja, me stafin përgjegjës të identifikuar, duke u fokusuar fillimisht në fushat më të rëndësishme. 

Vonesë e dorëzimit të faturave Po sipas ZAP-it thuhet se në kontratat e nënshkruara në MFSK, saktësohet se për çdo ditë vonese të liferimit të mallit, Autoriteti Kontraktues (AK) do të aplikojë ndëshkimet prej 0,25% në ditë (max.10% e vlerës totale të porosisë). "Ne vërejtëm se në dy rastet e mëposhtme MFSK-ja kishte anashkaluar kërkesat e kontraktuara. Te kontrata për "Furnizim me Uniforma Standarde Kamuflazh për Nevoja të FSK-së", në faturën në vlerë 404,000 euro, porosia është kërkuar të liferohet 90 ditë pas lëshimit të urdhërblerjes (e bërë me datë 18.02.2015) nga autoriteti kontraktues. Me përjashtim të një artikulli të faturës në vlerë 39,000 euro, i cili ishte dorëzuar brenda afatit kohor, pjesa tjetër prej 365,000 euro ishte pranuar me datë 26.06.2015, me vonesë prej 37 ditëve kalendarike. Vlera e ndëshkimeve sipas porosisë së vonuar do të duhej të ishte 33,763 euro, dhe në pagesën për "Furnizim me Material Ndërtimor" në vlerë 18,708 euro, afati kohor për dorëzimin e furnizimeve ishte maksimum 10 ditë nga data e marrjes së urdhërblerjes. Operatori Ekonomik (OE) kishte vonuar furnizimin e mallrave për 8 ditë. 

Dosje të paplotësuara për gradimet ZAP-i këtu rekomandon që ministri duhet të përforcojë edhe më tej procedurat gjatë procesit të vlerësimit të ofertave dhe nënshkrimit të kontratave, që të sigurohet se janë plotë- suar të gjitha kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit. Ky raport tregon po ashtu se nga 25 dosjet e testuara në MFSK dhe FSK, lidhur me avancimet, rekrutimet, pensionimet, pushimet pa pagesë apo të lehonisë, kanë identifikuar mangësitë si në vijim. Në pesë raste dosjet nuk ishin plotësuar me të gjitha dokumentet e kërkuara, mungonin disa prej dokumenteve (p.sh. diploma, raportet e vlerësimit të performancës, evidencat e pushimeve, përshkrimi i detyrave të vendit të punës, etj). Drejtori i Departamentit të Personelit theksoi se ka raste kur dosjet ruhen në dy vende, në FSK (në njësitë e FSK-së) dhe në ministri, andaj mund të mos jenë të kompletuara, dhe në një rast, të pushimit të lehonisë, pagesat nuk ishin në përputhje me Ligjin për shërbyes civilë (70% të pagës ishte paguar dy muaj më shumë sesa kërkesat ligjore). Po ashtu vendimi për pushimin e lartcekur ishte nxjerrë me vonesë. Ndryshe në raport thuhet se në vitin 2015, MFSK-ja ka përdorur 97% të buxhet final ose 39,658,385 euro, realizim pothuajse i ngjashëm me vitin 2014, i cili ishte 98%. 

 

(Kosova Sot)