Përmbytjet në Virxhinia, presidenti Obama shpall gjendjen e jashtëzakonshme

  • 26 June 2016 - 12:38
Përmbytjet në Virxhinia, presidenti Obama shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Si pasojë e përmbytjeve më të mëdha të 100 viteve të fundit ku morën jetën e të paktën 24 njerëzve, presidenti Barack Obama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Virxhinian Perëndimore.

BBC shkruan se pas një kërkese të guvernatorit Earl Ray Tomblin, shefi i Shtëpisë së Bardhë urdhëroi zhbllokimin e ndihmës federale për 3 prej 4 konteve më të prekura nga moti ekstrem.

“Stuhia e fuqishme e përplasur mbi Virxhinian Perëndimore solli brenda një ditë të vetme reshje të barazvlefshme me 1/4-tën e totalit vjetor”, shprehen autoritetet e Shërbimit Meteorologjik Kombëtar. Falë ndihmës federale, banorët tani do të kenë mundësi të përfitojnë fonde për strehim të përkohshëm dhe riparime.

Ndërkohë shirat e rrëmbyer të ditës së enjte bënë që niveli i përrenjve e lumenjve të rritej ndjeshëm, çfarë solli izolimin e disa qyteteve. Në disa zona pati edhe rrëshqitje të mëdha toke. Një pjesë e mbi 100 shtëpive të shkatërruara u shkulën nga themelet, e uji i përmbytjeve i mori me vete. Plot 32 mijë banesa llogaritet të kenë mbetur pa energji elektrike.

Kërkimet vazhdojnë për njerëz të tjerë të bllokuar në zonat e goditura më fort prej stuhisë. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në 44 prej 55 konteve të këtij shteti, ku për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar edhe 500 ushtarë.

(Kosova Sot)