Majko: Zgjedhje të parakohshme dhe referendum në të njëjtën ditë

  • 26 June 2016 - 14:47
Majko: Zgjedhje të parakohshme dhe referendum në të njëjtën ditë

Deputeti Socialist, Pandeli Majko, propozon mbajtjen e një referendumi në lidhje me reformën në drejtësi. Duke komentuar qëndrimin e opozitës në lidhje me pikën 88 të Komisionit të Venecias, Majko  thotë se zgjidhje do të ishte mbajtja e referendumit dhe zgjedhjeve të parakohshme.

“Sot, lexova në media se opozita kërkon që në se nuk i plotësohet kërkesa e saj për pikën 88 të Komisionit të Venecias, ajo do e kërkojë këtë tek votuesit në ZGJEDHJE të reja. Jam dakord me arsyetimin e fundit. Shpresoj të jetë i fundit dhe të mos nxisë diskutime të mëtejshme qesharake. Opinioni im personal është që le të shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. T’i bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes”, shkruan ai në një shkrim me titull “Delet nuk meritojnë referendum”, të publikuar në “Facebook”.

Shkrimi i plotë 

Vlen të shkruhet dhe rishkruhet se “pika 88” e vlerësimeve të Komisionit të Venecias e cila ka “bllokuar” aktualisht Reformën e Drejtësisë sipas opozitës shkruan:

“Në se partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve, që do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”

Pyetja naive që mund të bëhet nga kushdo që e kupton shqipen e shkruar kur lexon këtë vlerësim me “numrin 88” është se çfarë nuk i përmbushet opozitës me këtë vlerësim të Komisionit të Venecias? Ajo që vlen të ripërsëritet si përgjigje fillon nga pjesa e parë e “pikës 88”:

“Në se partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë…” Pra, gjithçka e “pikës 88” fillon me një kusht me “Në se…”-në që nuk e komenton asnjë opozitar sot. “Në se palët nuk bien dakord për NJË SHUMICË TË CILESUAR(!)…

O miq, vëllezër e motra, që nuk na keni votuar! Ne socialistët, mund të kemi një “thes” me probleme e të meta. Por, a mundet që oponentët tanë politikë (që kanë votën tuaj) ta shpjegojnë në shqipen e kuptueshme se :“KUSH ESHTE SHUMICA E CILËSUAR QË PARTIA SOCIALISTE KA REFUZUAR?!”
Të dalë një i vetëm dhe të thotë shqip dhe qartë: – KËRKUAM KËTË SHUMICË TË CILËSUAR DHE PARTIA SOCIALISTE E REFUZOI!

Ndjesën më të thellë dhe siç thotë fjala e vjetër “e hëngshim turpin me bukë” në se Partia Socialiste e ka bërë këtë! POR a e ka bërë?!

Përgjigja është njërrokëshe: JO!

Çfarë është kjo lodër fëmijësh me pikën 88 të Komisionit të Venecias që po kthen në budalla një opinion të tërë publik të vendit?! Kjo qenka arsyeja pse vendi ynë Shqipëria të shpallet shtet i dështuar dhe të bllokohet në “karantinë” për vite, pa hapur negociatat me Bashkimin Europian?!

Kemi kërkuar REFERENDUM që publiku të vendosë mbi diferencat që partitë politike kanë për reformën në drejtësi! Për ta realizuar referendumin duhet që ai të miratohet me 94 vota në Kuvend… Oponentët e Partisë Socialiste NUK PRANOJNË REFERENDUM! Duan “marrëveshje politike” mbi një “pikë 88” që nuk ka kuptim ashtu si e shpjegojnë ata!!!

Në Kuvend, të enjten e fundit, opozita doli në Kuvend me një KËRKESË, tjetër, të padëgjuar në asnjë deklaratë të mëparshme, në tavolinat e punës së reformës apo në gjithë dokumentet me shkrim që kanë depozituar për këtë çështje…

Tani opozita dëshiron që VERIFIKIMIN e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë sonë për pasuritë që kanë, për aftësitë profesionale dhe lidhjet e mundshme me botën e krimit (VETING-u) të mos bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët (për një periudhë të përkohshme tranzitore) (!) Shpjegimi, i cili jepet nga opozitarët për këtë kusht të ri të fundit është “se preket sovraniteti i vendit”(!)

Këta që dje deklaruan kur Shqipëria u pranua në NATO se “Kjo është një mrekulli e lirisë”… thonë sot këtë?! Kjo është njëlloj si të thuash se në Shqipëri nuk duhet të vinë trupa të huaja të NATO-s apo që hapësira jonë ajrore të mos ruhet nga avionët e Aleancës sepse “preket sovraniteti” i vendit(!)… A shkelin sovranitetin e Shqipërisë vendimet e Gjykatës së Strasburgut? Pyetje si këto ka mjaft për të kuptuar “shqipërimin” e kësaj që ndodh.

Sot, lexova në media se opozita kërkon që në se nuk i plotësohet kërkesa e saj për pikën 88 të Komisionit të Venecias, ajo do e kërkojë këtë tek votuesit në ZGJEDHJE të reja.
Jam dakord me arsyetimin e fundit. Shpresoj të jetë i fundit dhe të mos nxisë diskutime të mëtejshme qesharake.

Opinioni im personal është që le të shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. T’i bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes.

Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetëm çfarë nuk do.
Në se demokratët janë gati, ti ftojmë sëbashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë!

Populli ynë nuk është dele. Ai flet edhe kur hesht. Delet nuk meritojnë referendum! Shpresoj të kuptohet se çfarë vjen kur populli ynë vendos ta refuzojë trajtimin si “dele”!

Nuk ka gjë më të guximshme në politikë se të bësh “gjënë e gabuar” për arsyen e duhur dhe interesat e vendit! Kjo punë do burrëri! Për atë që beson se është, sigurisht. Të tjerat janë fjalë!

(Kosova Sot)