Shteti, pushtohet nga oligarkët politikë e biznesorë

  • 26 June 2016 - 08:25
Shteti, pushtohet nga oligarkët politikë e biznesorë

SALIHAJ:Janë ngritur plot biznese, të cilat kapitalin bazë e kanë në mënyrë të paligjshme.

"Nuk e besoj kurrë që kjo kastë kaq e korruptuar dhe me kaq faj për gjendjen e mjeruar do të ketë kurajë për ta ndërprerë këtë avaz, pasi atyre vazhdimisht u sillet ndërmend e kaluara e tyre përplot skandale të pafalshme, për të cilat sikur të kishim një sistem gjyqësor më të pavarur, ata do të ishin që moti prapa grilave", shprehet analisti Shefqet Dibrani

Veprimet e deritanishme të politikanëve dhe pushtetarëve të Kosovës po tregojnë se ata kanë mungesë të madhe të respektit për shtetin e së drejtës dhe shtetin ligjor. Por veç mungesës së këtij respekti, logjika e tyre tashmë e pjekur dhe siç duket e pandryshueshme, është vetëm se si të pasurohen sa më shumë, në mënyrë të paligjshme, dhe ta keqpërdorin atë për interesa personale, derisa duhej të ishte krejtësisht e kundërta, që politikanët ta mbronin dhe të punonin sa më shumë për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë drejtim, shtrohet pyetja se a po e konsiderojnë shtetin këta politikanë të Kosovës si pronë të tyre private dhe të partive, dhe a do të mund që të ndalojë kjo klasë politike në pushtet veprimet e kundërligjshme në degradimin dhe shkatërrimin e plotë të shtetit ligjor në çdo segment të tij, ndërkohë që edhe bizneset e përgjegjshme dhe të ligjshme bllokohen nga ta, përmes të gjitha formave të bllokimit e refuzimit, duke shkelur kësisoj ligjet dhe Kushtetutën e vendit? 

Salihaj: Në Kosovë duhet të ndalen strukturat e krimit të organizuar Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se në Kosovë logjika e qëndrimit në pushtet është bërë logjikë e pasurimit të paligjshëm, duke abuzuar me pushtetin dhe duke e keqpërdorur atë për interesa personale.

drejtim, thotë se janë ngritur plot biznese, të cilat kanë fituar kapitalin bazë në mënyrë të paligjshme, derisa shtoi se nga ky kapital bazë i paligjshëm krijohet një kapital tjetër, i cili po ashtu është i paligjshëm, por që mbulohet me letra dhe duket sikur është çdo gjë në rregull në aspektin ligjor. "Në anën tjetër, bizneset e ndershme e kanë gjithnjë më vështirë të mbijetojnë në këtë ambient, në të cilin konkurrenca e bizneseve me ato të financuara nga krimi dhe korrupsioni është e papërballueshme", shprehet tutje ai. "Në Kosovë, fillimisht duhet që të ndryshojë klima dhe të eliminohen strukturat e krimit të organizuar, ngase, sipas tij, vetëm atëherë mund të flitet për një ambient të përshtatshëm për zhvillimin ekonomik", shprehet Salihaj. Ndërkaq, analisti Shefqet Dibrani thotë për gazetën "Kosova Sot" se politikanët tanë shtetin e Kosovës dhe tërë pasurinë e tij po e konsiderojnë si mall të babës, duke e shitur dhe shfrytëzuar pa i dhënë llogari askujt. "Për arsye se në Kosovë vetëm politika gjeneron vende të punës, udhëheqësit partiakë dhe shtetërorë kanë arritur kësisoj ta kontrollojnë shtetin në çdo pore të jetës, prandaj e kemi këtë gjendje çfarë është tani. E për të qenë kaq të sigurt oligarkët politikë e kanë kapur sistemin e sigurisë dhe atë të drejtë- sisë, prandaj shtetin e Kosovës e konsiderojnë si pronë të tyre, ndërsa me shtetin sillen sikurse me bordele nëpër lokalet e natës", u shpreh ai. 

Dibrani: Partitë politike janë levat e pushtetarëve Dibrani nuk beson se kjo klasë politike në pushtet do të arrijë t'i ndalojë veprimet e kundërligjshme në degradimin dhe shkatërrimin e plotë të shtetit ligjor në çdo segment të tij. "Nuk e besoj kurrë që kjo kastë kaq e korruptuar dhe me kaq faj për gjendjen e mjeruar do të ketë kurajë për ta ndërprerë këtë avaz, pasi atyre vazhdimisht u sillet ndërmend e kaluara e tyre përplot skandale të pafalshme, për të cilat sikur të kishim një sistem gjyqësor më të pavarur ata do të ishin që moti prapa grilave. Në botë ka pak kriminelë, që kanë arritur të shndërrohen në humanistë, sikurse asnjëherë në literaturën liturgjike nuk kemi hasur kur djalli është transformuar në engjëll". Më tej, Dibrani ka nënvizuar se partitë politike janë levat e pushtetarëve, dhe mekanizmi më i perfeksionuar për ta kontrolluar shtetin në të gjitha nivelet politike. Prandaj, sipas tij, nëpër kuvendet e brendshme zgjedhore oligarkët politikë nuk pranojnë votën e fshehtë, ngase i frikësohen asaj. Dibrani shton se oligarkët politikë janë djalli i Kosovës, derisa, siç tha, është e ditur se djalli dorëzohet vetëm para kryqit dhe, sipas tij, kryqi i Kosovës do të bëhet Gjykata Speciale, nga e cila qytetarët e Kosovës presin shpë- timin nga djalli që i ka kafshuar ata. "Shteti i Kosovës është pushtuar nga oligarkët politikë, të cilët kanë arritur t'i punësojnë të gjithë njerëzit e vet, ndërsa me premtime të vazhdueshme i mbajnë pezull dhe rreth vetes edhe një strukturë, e cila kryesisht ka poste të skajshme në borde e agjenci, ndërsa në parti janë pozicionuar në rrethin e dytë, nëse rastësisht nga gjykata apo ndonjë tërmet këputet hallka e parë. Ndërsa, një pjesë tjetër është e shantazhuar ashtu siç ka ndodhur me familje të dëshmorëve e heronjve, të cilat përdoren si levë e pushtetit nëpër spektakle mediatike". Kurse, sa i përket bizneseve të suksesshme, të cilat nuk janë pjesë e kësaj kategorie, Dibrani thotë se ato pengohen dhe shantazhohen pa ndalur, duke i detyruar për të falimentuar. "Sistemi i taksave dhe obligimeve shtesë është mekanizmi, përkatësisht një metodë me të cilën oligarkët i kontrollojnë edhe bizneset e pavarura, në rast se nuk kanë sukses ato biznese pengohen deri në falimentim, e në raste të caktuara gjejnë kompromise, duke i punësuar vartësit e tyre. Nga kjo gjendje kaq e ngatërruar natyrisht nuk mund të priten suksese të dukshme, por duhet të shpresohet se me fillimin e punës së Gjykatës Speciale, gjërat do të nisin rrjedhën e mbarë", është shprehur analisti Shefqet Dibrani.

Kjo klasë politike, anarkike dhe e pademokratizuar Në anën tjetër, eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, ka nënvizuar se kjo klasë politike aktuale ka mbetur ende anarkike, dhe e pademokratizuar, por edhe problematike për zbatimin e vullnetit të qytetarëve, pasi, sipas tij, ajo votën e qytetarit e trajton sikurse është obligative për t'i votuar. "Ky është abuzim i pasurisë publike dhe pagave përmes bordeve partiake. Shteti për momentin është pronë e kësaj klase politike. Ky degradim vazhdon të jetë i dëmshëm për vlerat qytetare dhe shtetërore, dhe nuk ekziston asgjë që ta ndalë këtë klasë të papërgjegjshme politike, si pozitë ashtu edhe opozitë, pasi shteti është uzurpuar nga një klasë e paedukuar siç duhet. Andaj, në këtë drejtim, qytetarët dhe iniciativa qytetare janë rruga e vetme për ta ndalur këtë uzurpim të vullnetit të qytetarëve", ka potencuar eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani për gazetën "Kosova Sot"

 

(Kosova Sot)