Fatkeqësi e rëndë trafiku, humbin jetën dy femra

  • 26 June 2016 - 19:22
Fatkeqësi e rëndë trafiku, humbin jetën dy femra

Të dielën rreth orës 16 në rrugën magjistrale Gjakovë-Klinë, në vendin quajtur Kodra e Meqes, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku i cili ka rezultuar me humbjen e jetës së dy personave. Siç ka thënë për “Kosova Sot”, Lirije Podrimaj, zyrtare për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, deri te kjo fatkeqësi ka ardhur  derisa dy automjete udhëtarësh ishin në lëvizje në drejtime të kundërta, dhe papritmas përplasen ndërmjet veti.

Me këtë rast njëri automjet, nga goditja e rëndë del nga rruga, duke u rrokullisur disa herë. Si pasojë e kësaj rrokullisjeje, e humbin jetën vozitësi i makinës dhe pasagjeri i kësaj makine. Ndërkaq, pasagjeri tjetër i kësaj makine ka pësuar lëndime të rënda trupore. Në ndërkohë, në makinën tjetër, lëndime të lehta kanë pësuar ngasësi i makinës dhe një pasagjer, raporton korrespodentin nga Gjakova.

Policia, njësiti i komunikacioni dhe njësitet e tjera, së bashku me njësitin e zjarrfikësve atë mjekësor dhe prokurorin e shtetit kanë dal në vendin e ngjarjes, por nuk kanë pasur mundësi tu ndihmojnë viktimave. Sipas Podrimjes, në këtë aksident jetën e kanë humbur dy femra nga Gjakova, I.P. e lindur më 1984 dhe D.P. e lindur më 1993. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ngasësi i automjetit tjetër mbahet i hospitalizuar nën mbikëqyrjen e policisë. Rasti po hetohet nga hetuesit e njësitit të komunikacionit rrugor të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.

(Kosova Sot)