Izraeli e Turqia arrijnë marrëveshje pajtimi

  • 26 June 2016 - 22:34
Izraeli e Turqia arrijnë marrëveshje pajtimi

Izraeli dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje pajtimi që i jep fund krizës disavjeçare ndërmjet dy vendeve, e cila kishte nisur me vrasjen e shtetasve turq gjatë një operacioni bastisës të ushtrisë izraelite ndaj një anieje të nisur drejt Gazës në majin e 2010's.

Marrëveshja do të shpallet zyrtarisht në pasditen e së hënës, bën të ditur e përditshmja izraelite Haaretz.

Gjatë një takimi të frytshëm të zhvilluar të dielën ndërmjet delegacioneve të të dyja vendeve, Izraeli ka marrë një letër nga qeveria turke, në të cilën ajo ka shprehur zotimin e saj për të ndërhyrë te Hamasi për të sjellë një përfundim të rasteve të dy ushtarëve të rënë izraelitë dhe dy civilëve të zhdukur izraelitë.

Shpallja e përbashkët e marrëveshjes ishte menduar të bëhej në mbrëmjen e së dielës, por në fund është shtyrë për të hënën, në orën 13.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të mbajë një konferencë për media në Romë me ekipin negociator izraelit. Në të njëjtën kohë, kryeministri turk, Binali Yildirim, do të mbajë një konferencë të ngjashme në Ankara. 

Vetë marrëveshja do të nënshkruhet të martën nga drejtorët e përgjithshëm të ministrive të Jashtme të të dyja vendeve.

Drejtorët nuk do të takohen, por do të nënshkruajnë marrëveshjen ndaras në Jerusalem dhe në Ankara.