Hafizi parashtron nismën e 10 deputetëve: Presidenti të zgjidhet nga populli

  • 27 June 2016 - 12:22
Hafizi parashtron nismën e 10 deputetëve: Presidenti të zgjidhet nga populli

Deputetja Mimoza Hafizi ka shpallur nismën e një grupi deputetësh për ndryshimet kushtetuese ku parashtrohen dy kërkesa. Së pari kërkohet zgjedhja e presidentit nga populli. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës së vendit, ku deputetët kërkojnë që populli të ketë të drejtë t’i miratojë ato.

Dhjetë deputetë kanë nënshkruar nismën, si Arta Dade, Agron Duka, Ben Blushi, Dashamir Shehi, Eduard Selami, Luljeta Arapi, Mimoza Hafizi, Nard Ndoka, Tahir Muhedini si dhe Vangjel Dule.

"Një president i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj.Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli”, shkruan Hafizi në “Facebook”.

Hafizi shprehet se kushtetuta mund të ndryshohet vetëm me kërkesën e 94 deputetëve, pa e pyetur popullin.

"Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë”, thekson ajo më tej.

"Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme”, thotë ajo.

Amendamentet janë përgatitur nga deputetët Blushi, Hafizi dhe Dade, ndërsa deputetët e tjerë i janë bashkëngjitur nismës.

“Besojmë se këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për jetën demokratike të vendit. Prandaj do i kërkojmë opinionit publik dhe të gjithë qytetarëve të ushtrojnë presion mbi deputetët e tyre për ta mbështetur këtë nismë”, vijon më tej Hafizi.

(Kosova Sot)