Bursat nën presion, “e premtja e zezë” solli 411 miliardë euro humbje

  • 27 June 2016 - 12:43
Bursat nën presion, “e premtja e zezë” solli 411 miliardë euro humbje

Ka zgjatur vetëm një orë paraditen e sotme tentativa e Bursës së Milanos për të rikuperuar humbjet e së premtes, pas tronditjes për vendimin e britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Shitjet, në veçanti në sektorin bankar, shërbimet financiare dhe kompanitë e transportit ajror, i kanë goditur të gjitha tregjet kontinentale, pas asaj që cilësohet si “e premtja e zezë” dhe ku vlerësohet se humbën 411 miliardë euro në të gjitha bursat europiane.

Edhe Bursa e Madridit e humbi fitimin e orëve të para, si rezultat i zgjedhjeve parlamentare, që konfirmuan Partinë Popullore si më të votuarën, ndonëse pa mundur të ndërtojë qeverinë.

Vazhdon të jetë nën presion edhe sterlina angleze, pas referendumit të së enjtes. Pas rënies prej 10 % të premten, duke prekur kuotimin minimal prej vitit 1985, valuta britanike humbi edhe sot terren në hapje të tregjeve financiare, duke shkuar në kuotën 1,3316 dollarë, nga 1,3716 dollarë të së premtes në mbrëmje. Gjithashtu, sterlina “lëshoi” edhe 0.8 % ndaj monedhës së përbashkët europiane dhe për 1 euro janë të nevojshme 0,8291 stërlina. Megjithatë vetë euro, për shkak të pasigurisë së mbijetesës së projektit europian, u dobësua ndaj dollarit amerikan me 0.8 %, duke mbërritur në kuotën 1,1028 USD.

(Kosova Sot)