Fjala: Turp për Qeverinë që lejoi Rakiqin të mohojë shtetësinë e Kosovës

  • 27 June 2016 - 13:08
Fjala: Turp për Qeverinë që lejoi Rakiqin të mohojë shtetësinë e Kosovës

Partia Fjala e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për lejimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore Goran Rakiq të udhëtojë me targa provuese të Republikës së Serbisë me veturë zyrtare. Kjo parti ka dënuar sjelljen e Rakiq, i cili ka shpërfillur ligjet e Kosovës dhe ka mohuar shtetësinë e saj.

“Turp për Qeverinë e Kosovës që lejon një kryetar të Komunës të mohon shtetësinë e Kosovës dhe të shkel ligjet e Kosovës. Ne, Partia FJALA dënojmë fuqishëm sjelljen e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore Goran Rakiq, i cili mbrëmë rezistoi t’i largoj targat e Serbisë nga vetura zyrtare e Republikës së Kosovës 2Z”, thuhet në reagimin e Partisë Fjala.

Partia Fjala konsideron se Policia e Kosovës e urdhëruar nga Qeveria, ka lejuar që kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq të hyjë në pikën kufitare të Kosovës me tabela të Serbisë.

“Situatën edhe më të rëndë e bën fakti që Policia e Kosovës, u dorëzua para urdhrave të tij, me presionin që kishte nga Qeveria e Kosovës, që këtë kryetar ta lejoj të hyjë në pikën kufitare ashtu si ai dëshiron, dmth me veturë zyrtare të Kosovës 2Z, por me tabela të Serbisë. Është e turpshme dhe e tepruar kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës që lejon dhe dorëzohet përballë kërcënimeve të një kryetari serb, që paguhet me taksat e qytetarëve të Kosovës dhe që mohon shtetësinë e Kosovës dhe shkel ligjet e Kosovës”, thuhet më tej në reagimin e Partisë Fjala.

Ky reagim vjen pas raportimit të KosovaPress-it, ku mesnatën e kaluar në pikën kufitare të Jarinjës, është parë vetura zyrtare ‘Toyota Land Cruiser’ me targat 2Z, e cila i takon kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, me targa provuese të Republikës së Serbisë, duke hyrë nga Serbia në Kosovë.

(Kosova Sot)