Politikanët e këqij na mbajnë nën "embargo"

  • 27 June 2016 - 07:54
Politikanët e këqij na mbajnë nën

Zeqa: Përgjegjës për këtë gjendje janë pozitë e opozitë, shoqëri civile dhe qytetarë.

"Qasja aktuale politike jo vetëm se po e izolon Kosovën, por po paraqet edhe një kërcënim serioz për procesin shtetndërtues, duke krijuar kështu mundësinë për kriza serioze të brendshme politike, ashtu siç edhe është dëshmuar tash e 2 vjet me bllokada parlamentare. Përgjegjësinë nacionale pa dyshim se do ta mbajnë krerët e shtetit, të cilët herët apo vonë do të ndëshkohen edhe nga drejtësia, por edhe nga qytetari", thotë analisti Adlum Ramadan, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Dështimi i klasës politike në krijimin e një shteti të ri dhe stabil, edhe 8 vjet që nga shpallja e pavarësisë nga protektorati ndërkombëtar i OKB-së, sipas analistëve politikë, është dëshmia më e mirë që flet se kjo klasë është duke e degraduar vendin dhe duke e dërguar drejt një izolimi të plotë edhe në planin ndërkombëtar. Interesin e shtetit të Kosovës, sipas njohësve të këtyre zhvillimeve, e ka dëmtuar shumë, sidomos bllokada e krijuar në Kuvend dhe në institucionet e larta të shtetit, që ka ndikuar t'i bëjë qytetarët e varfër të këtij shteti krejtësisht të pashpresë. Tani kësaj zymtësie i shtohet edhe kriza në BE, ajo e Brexit-it, atëherë mundësia e rritjes së rrezikimit të vendit nga një izolim shtesë mund të vijë edhe nga jashtë, për shkak se Kosova po humb edhe një mbështetës të madh brenda BE-së. "Izolimi dhe mbajtja nën "embargo" e Kosovës, në radhë të parë vjen si rezultat i një lidershipi të dështuar, i një klase të papërgjegjshme dhe një shoqërie civile të heshtur dhe përgjumur. Është e vërtetë se bllokadat artificiale e krijuar në Kuvend dhe institucione i ka bërë të pashpresë qytetarët, por akoma më të pashpresë i ka bërë koalicioni qeverisës në njërën anë dhe në tjetrën çakordimi i opozitës, dikur të bashkuar kosovare', u shpreh analisti politik, Florim Zeqa për "Kosova Sot". 

 

Zeqa: Kosova po vendnumëron Zeqa ka pohuar se edhe zhvillimet në BE to ta ngarkojnë situatën në Kosovë, por ajo ngarkesë nuk do të jetë aq e madhe dhe e dëmshme sa vetë zhgënjimi qytetar që vjen brendapërbrenda si shkak i klasës së papërgjegjshme politike. "Dalja e Britanisë nga BE-ja mbase edhe mund ta zgjasë krizën dhe izolimin e Kosovës, mirëpo problemi madhor qëndron tek fakti se populli i Kosovës më shumë është duke humbur shkaku i kësaj klase të konsumuar, korruptuar dhe shantazhuar skajshmërisht, sesa nga humbja apo përfitimi i një mbështetësi të ri brenda BE-së. Për vendnumërimin e Kosovës, krizën politike dhe ekonomike, bllokadat dhe post-bllokadat, korrupsionin, krimin e organizuar dhe përhapjen e shumë dukurive negative, përgjegjësia është kolektive, përgjegjës janë e gjithë klasa politike pa dallim, pushtet dhe opozitë, shoqëri civile dhe popullata me heshtjen e gjatë dhe të pambarim...thënë ndryshe fajtor jemi të gjithë", thotë Zeqa. Sipas tij, të gjithë kanë pasur mundësi të bëjnë më shumë për vendin në këto 17 vite, por në vend që të ndërmarrin iniciativa të shëndosha, janë mjaftuar duke fajësuar njëri-tjetrin.  për dështimet e njëpasnjëshme në politikëbërjen dhe shtet ndërtimin e vendit tonë. "Largimi i menjëhershëm nga mendjet tona i paragjykimeve, tendencave dhe prapaskenave kundër njëri-tjetrit, do të na çlirojë më shpejtë nga "gogoli" i fajësisë kolektive. Ka ardhur momenti për të thyer skemat dhe mitet e vendosura nga e kaluara, për t'u zgjuar nga ëndrrat e këqija, ku lugetërit aktualë të politikës kosovare, të mbajturit peng nga forcat e fshehta të organizatave ndërkombëtare,të cilët, duke ëndërruar shpëtimin e pasurisë së tyre, e thonë sloganin nën mashtrim: "Bashkimi Evropian është objektivi ynë, vizioni ynë!", për të mbajtur sa më gjatë nën iluzione popullatën me shpresa të humbura dhe zemra të thyera nga dështimet dhe mashtrimet e njëpasnjëshme të tyre", thotë analisti Zeqa për gazetën.

Ramadani: Kjo klasë politike është e tejkonsumuar Vlerësim të ngjashëm të situatës ka edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Adlum Ramadani. "Qasja aktuale politike jo vetëm se po e izolon Kosovën, por po paraqet edhe një kërcënim serioz për procesin shtet-ndërtues, duke krijuar kështu mundësinë për kriza serioze të brendshme politike, ashtu siç edhe është dëshmuar tash e 2 vite me bllokada parlamentare. Përgjegjësinë nacionale pa dyshim se do ta mbajnë krerët e shtetit, të cilët herët apo vonë do të ndëshkohen edhe nga drejtësia por edhe nga qytetari, i cili veçse ka filluar të hapë kapitullin e procesit të vetëdijesimit në politikë, duke marrë parasysh se deri vonë kanë qenë thjesht kukull e procesit të vendimmarrjes. Tashmë qartazi është shfaqur nevoja e ndryshimit të kësaj klase të konsumuar me gjeneratat e reja, ambiciet dhe vullneti, i të cilëve mund t'i hapë derën e fundit të mbyllur shtetit më të ri në Evropë", thotë Adlum Ramadani për "Kosova Sot". E politologu Faik Krasniqi konsideron se pikësëpari përgjegjësia është kolektive e më pastaj vjen edhe ajo individuale. Sipas Krasniqit, ne si shoqëri jemi e dështuar, prandaj kemi një klasë politikë të tillë, e dështuar, joserioze dhe kriminale. Sipas tij, kjo klasë politike nuk e ka hallin që Kosova vazhdon të ngelet e izoluar. "Ata me vetëdije e kanë bërë një gjë tillë, sepse kështu iu leverdis kriminelëve dhe diktatorëve. Populli sa më shumë të jetë i izoluar, atyre u zgjatet sa më shumë jeta në pushtet. Por, për këtë izolim, varfëri dhe dëmet e shkaktuara nga këta horra të politikës, fajin e kanë edhe qytetarët e Kosovës. Qytetarët e Kosovës janë fajtorë që këta po e keqpërdorin votën e tyre dhe pozitën e tyre zyrtare, sepse kur po vjen koha e zgjedhjeve, i madh e i vogël po vrapojnë cili më i pari t'ua japë votën. S'ka mundësi që një popull të jetë viktimë, ku pavarësisht se sa vuajnë nga këta politikanë, për 17 vite rresht prapë i votojnë", shprehet Krasniqi.

Krasniqi: Vota e qytetarëve po i mban në pushtet politikanët keqpërdorues Krasniqi thotë se qytetari i Kosovës ka në dorë ta ndryshojë këtë gjendje, e arma më e fuqishme e tij është vota. "Por, nëse nuk sheh asnjë alternativë se për kë të votojë, edhe pse për momentin nuk kanë, atëherë më mirë t'i bojkotojnë zgjedhjet, sepse vota e tyre po i mban në pushtet këta politikanë keqpërdorues, që me votën e tyre kanë krijuar pasuri marramendëse", tha politologu Faik Krasniqi. Fajin për humbjen e shpresës qytetare dhe izolimit të vendit, e gjen vetëm te klasa politike në pushtet dhe në opozitë, edhe analisti Blerim Burjani. "Për gjendjen e pashpresë që mbretëron në vend nuk është përgjegjës askush tjetër veçse drejtpërdrejt kjo klasë e papërgjegjshme dhe e dëmshme politike. Deri më tani është humbur shumë kohë dhe vështirë që mund të kompensohet ky dëm i madhe i shkaktuar vendit. Qytetari i Kosovës është pamëshirshëm duke u shfrytëzuar vetëm si taksapagues, derisa vendi ende mbetet i izoluar si rezultat i kësaj politike shkatërruese të pasurisë publike dhe buxhetit. Tani edhe dalja e Britanisë do të ndikojë jo mirë për Kosovën në shumë aspekte të rëndësishme zhvillimore, veçmas në procesin e integrimit në BE, sepse këtu Kosova humbi një mik të madh dhe ndihmësin e madh të kauzës integruese të Kosovës në BE", thotë Burjani për gazetën. Ai ka pohuar se tani krahas ndryshimeve kualitative politike në vend, Kosova duhet të ripërtërijë energjinë e saj politike dhe ta shtojë atë, duke u bërë në një kohë të ardhme sa më parë pjesë e BE-së, sepse tani më Kosova ka nevojë që sa më parë të bëhet edhe pjesë e NATOs, ndonëse për shkak të kësaj politike po mbetet peng në shumë procese të rëndësishme, po mbetet një vend izoluar, duke shpresuat një ditë në liberalizimin për lëvizje të lirë. Burjani thotë se tani më shumë se kurrë politika duhet të angazhohet fuqishëm të punojë me miqtë e saj SHBA-në dhe Britaninë e Madhe për kauzën globale, si dhe me BE-në për përshpejtimin e proceseve integruese.

(Kosova Sot)