Ministria e Kujtim Shalës dëmtoi buxhetin me paga të kundërligjshme

  • 27 June 2016 - 16:32
Ministria e Kujtim Shalës dëmtoi buxhetin me paga të kundërligjshme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila udhëhiqet nga ministri Kujtim Shala, ka dëmuar buxhetin e shtetit.

Në disa raste kjo ministri ka bërë pagesa më të larta se pagat e përcaktuara në kontratë. Dhe krejt këto pagesa kanë dëmtuar buxhetin e shtëtit për 9 450 euro.

Raporti i Auditorit për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili është publikuar sot ka gjetur se në këtë ministri janë bërë kompensime të parregullta për punonjësit e Ministrisë.

“Pagesa më të larta se pagat e përcaktuara në kontratë – 3 punonjës të rregullt dhe 26 të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin paguar më shumë se sa kontratat e tyre. Vlera e përbashkët e mbipagesës për këta zyrtar ishte 9,450 euro”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori po ashtu për këtë ministri ka gjetur shkelje edhe në kompensimin e punës jashtë orarit.

“Në 30 raste , ishte paguar puna jashtë orarit mirëpo mungonin aprovimet për punët shtesë jashtë orarit, nga ana e mbikëqyrësve të drejtëpërdrejtë. Poashtu nuk kishte evidenca relevante për të dëshmuar punët shtesë. Më tej, në tri raste ishin bërë pagesa për punë jashtë orarit në vlerë prej 900 euro, vetëm me aprovim të Sekretarit të Përgjithshëm duke mos përfillur kërkesat formale të aprovimit sipas kërkesave ligjore”, thuhet në raport.

Auditori vlerëson se pagesat e pagave nga buxheti i kategorive të tjera dhe tejkalimi i shumave të kontratave mund të shkaktojnë keqklasifikim të informatave financiare dhe pagesa të parregullta. “Parregullsitë e evidentuara në kompensimin e punëve shtesë dhe vendimet për emërim dhe kompensim për një periudhë të kaluar, mund të rezultojnë me pagesa të dyfishta dhe të parregullta”.

Auditori rekomandon ministrin e Kulturës se duhet të shqyrtoje rastet e identifikuara dhe të marrë masat e nevojshme për të siguruar se kompensimi i pagave për stafin e MKRS bëhet konform buxhetit të paraparë dhe në përputhje me kontratat e tyre. “Puna jashtë orarit duhet të paguhet në pajtim me normat ligjore dhe vetëm pasi që kërkesa për punë të tillë të jetë aprovuar dhe dëshmuar në formë të dokumentuar”, rekomandon Auditori.

(Kosova Sot)