Rrëfim rrëqethës i nënës që humbi vajzën 18-vjeçare nga kanceri i lëkurës!

  • 27 June 2016 - 18:21
Rrëfim rrëqethës i nënës që humbi vajzën 18-vjeçare nga kanceri i lëkurës!

Një nënë e dëshpëruar ka folur për thyerjen emocionale që e ka përjetuar, pasi që vajza e saj tetëmbëdhjetëvjeçar kishte vdekur si pasojë e kancerit të lëkurës, që i ishte shkaktuar nga pushimet e fëmijërisë, të kaluara nën rrezet e diellit. Jennifer Nicholson, 50-vjeçare, po iu bën thirrje prindërve që t'i ruajnë fëmijët e tyre në periudhat e nxehta të vitit pasi që vajza e saj adoleshente, Freya, ka vdekur nga kanceri i lëkurës në nëntor të vitit të kaluar, transmeton gazeta Kosova Sot.

Image

Nëna e fajëson veten, duke thënë që nuk është kujdesur për lëkurën e butë të vajzës së saj gjatë verave të nxehta britanike, në kohën kur Freya ka qenë e vogël. Doktorët kanë thënë që sikur ajo të përkujdesej për lëkurën e saj, duke mos e lënë që të ekspozohej shumë ndaj rrezeve të diellit dhe sikur me më shumë kujdes t'ia trajtonte lëkurën me krem për mbrojtje, Freja do të mund të ishte gjallë. Zonja Nicholson, nga Lidsi i Anglisë, u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që t'i ruajnë të vegjlit e tyre.

Rreziku nga rrezet diellore

"Nuk kalon asnjë ditë që unë nuk them me vete 'ah sikur të mund të kthehesha në kohë dhe t'i kaloja pesë minuta, duke aplikuar krem për mbrojtje në lëkurën e saj delikate'", ka thënë ajo. Ajo më tutje ka thënë që njerëzit mund të mendojnë që dielli në Britani nuk është i rrezikshëm, mirëpo ka shtuar që kurrsesi nuk duhet t'i ndjekin hapat e saj, pasi që do të pendohen. Lutja e nënës ka ardhur pasi që Qendra për Hulumtim të Kancerit në Britani të Madhe ka thënë që kanceri i lëkurës është forma e tretë më e përhapur e sëmundjes tek njerëzit e moshës 15 deri në 39-vjeçare. Teksa ka folur për 'Mirror', zonja Nicholson ka thënë që i kishte mbuluar Freja-n dhe motrën e saj të vogël, Lily-n, gjashtëmbëdhjetëvjeçare, me krem për mbrojtje nga koka deri tek gishtërinjtë e këmbëve sa herë që kishin shkuar në destinacione ekzotike si puna e Turqisë dhe Tajlandës. Mirëpo në ditët kur familja kishte qëndruar në Angli, zonja Nicholson nuk ishte 'treguar aq e vëmendshme', pasi që gabimisht kishte menduar që dielli i Britanisë nuk ishte i dëmshëm. Katër vjet para se Freja të vdiste, zonja Nicholson kishte vërejtur një nishan në shpinën e vajzës së vogël. Mirëpo, derisa vogëlushja rritej, njëjtë rritej edhe nishani. Në vitin 2012 ato kishin vërejtur që nishani ishte ënjtur dhe ishte nxirë. Megjithatë, paniku ishte zbutur pasi që rezultatet e biopsisë kishin treguar që nuk kishte arsye për t'u shqetësuar. 

Image

Rikthimi i kancerit

Mirëpo, pasi që Freja kishte filluar të përjetonte dhimbje të tmerrshme të kokës dy vjet më vonë, ajo kishte vërejtur një gungë pesë centimetra në pjesën nën dorën e saj. Zonja Nicholson ka thënë që menjëherë i ishte kujtuar nishani në shpinë. "I pata pyetur doktorët nëse kjo kishte lidhje me nishanin në shpinë dhe më pastaj ata na e patën dhënë lajmin e tmerrshëm. Gjatë kësaj periudhe kanceri ishte përhapur në trupin e Freja-s derisa ne as që e kemi pasur idenë më të vogël", ka thënë ajo. Një tumor në madhësi prej 2.5 centimetrash ishte vërejtur në trurin e adoleshentes, e cila ishte dërguar për trajtim në Spitalin 'St James' në Lids. Ndonëse tumori ishte larguar, kanceri ishte rikthyer. Gjatë kësaj kohe, Freja, të cilës i ishin këputur shpresat për mbijetesë, kishte filluar të merrej me aktivitete për grumbullimin e fondeve dhe kësisoj kishte arritur t'i grumbullonte 20,000 funte për Trustin e Kancerit tek Adoleshentët, me miq e familjarë që kishin dhënë donacione të shumta. Zonja Nicholson ka thënë që vogëlushja kishte vdekur në shtëpi në muajin nëntor, e rrethuar nga miqtë dhe familjarët. Ajo tani u bën thirrje prindërve që të bëjnë gjithçka që është e mundur për t'i mbrojtur fëmijët e tyre dhe kësisoj për ta parandaluar atë që i ka ndodhur vajzës së saj.  

(Ksoova Sot)