Përmes bursave synohet zgjidhja e problemit

  • 27 June 2016 - 18:58
Përmes bursave synohet zgjidhja e problemit

Çdo verë, kur Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Gjakovë shpall konkursin për kuadro të shkollave fillore e të mesme, bie në sy që mbase më së shumti kërkohen kuadro për lëndën e matematikës. Kjo dukuri nuk është vetëm në këtë komunë, por në shumicën e komunave të Kosovës, që është dëshmia më e mirë se tek ne vazhdon të ketë mungesë të matematikanëve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Janë edhe disa drejtime të tjera, si ai i Fakultetit Filologjik, dega e gjuhës dhe letërsisë angleze, ku numri i kuadrove të kualifikuara ende nuk është i duhuri, por, megjithatë, mungesa më e madhe ndihet te matematika.

A do t'i joshin bursat të rinjtë për drejtimet deficitare?!

Duke u nisur nga kjo situatë, zyrtarët komunalë të arsimit në Gjakovë kanë menduar që këtë problem të mundohen ta zgjidhin përmes stimulimit me bursa për ata studentë që vendosin të studiojnë matematikën. Kështu, DKA-ja e Gjakovës, duke e vazhduar traditën e filluar vite më parë për ndarjen e bursave, edhe për vitin e ri akademik ka parapa të ndajë 50 bursa."Është shumë normale që të analizojmë se në cilët drejtime ka më së shumti mungesë dhe atë jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në fushat e tjera. Kështu, në konsultim edhe me drejtorët e tjerë komunalë, kemi konstatuar ku janë mungesat më të mëdha kështu që edhe kot bursa që do të ndahen sivjet, është parapa të orientohen në ato drejtime", ka thënë Diana Qarkaxhija, drejtoresh komunale për arsim në Gjakovë. Se vërtet është menduar të veprohet sipas kësaj logjike e dëshmon edhe numri i bursave që do të ndahet sipas degëve përkatëse të studimeve, veprim ky që shpresohet se do t'i josh të rinjtë të përcaktohen për drejtimet deficitare.

Bujqësia në listën e drejtimeve të stimuluara

Mungesa më e madhe e kuadrove në fushën e arsimit po ndihet për mësimdhënës së lëndës së matematikës, prandaj më së shumti bursa janë parapa për studentët e Fakultetit Matematiko-Natyror, për të cilët do të jepen 9 bursa. Nga ana tjetër, edhe pse shumë herë deri më tash është thënë se bujqësia paraqet një nga orientimet e zhvillimit të shoqërisë tonë, për faktin se ka mundësi të ofron shumë vende të lira të punës, mirëpo, meqenëse nuk ka kuadro të mjaftueshme të shkollimit adekuat, sivjet është paraparë që për fakultetin e bujqësisë dhe të veterinarisë të jepen 7 bursa. "Kam qenë në dilemë se çka të studioj, por kur dëgjova se Komuna do t'i japë 7 bursa për Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë, e meqenëse kemi mjaft tokë në pronë të familjes, kam vendosur që të studioj bujqësinë.

Tek e fundit, jo vetëm bursa, por edhe vendi i sigurt i punës, pas kryerjes së studimeve, më kanë nxitur të marr këtë vendim", ka thënë i riu Albert Hysniu, që këto ditë e ka krye maturën. Jo rrallë, ato pak organizata prodhuese që veprojnë aktualisht në komunën e Gjakovës janë ankuar për mungesë të kuadrove të inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike. Mbase për të zgjidhur këtë problem, do të duhej që vetë ato kolektive të ndajnë bursa për këtë lëmi, por, meqë ato këtë nuk po e bëjnë, Komuna ka parapa që të jep 6 bursa për këtë drejtim, sa do të jep edhe për Fakultetin e Edukimit. Pason Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe i Arkitekturës për të cilin do të ndahen 4 bursa, pastaj ata të mjekësisë dhe të inxhinierisë mekanike, ku do të jepen nga 3 bursa. Nga dy bursa do të jepen për fakultetet e Arteve, atë të Shkencave sportive, atë Filozofik, Filologjik, Ekonomik dhe Juridik.

(Kosova Sot)