NATO bëhet për herë të parë me zëvendësshefe

  • 27 June 2016 - 19:44
NATO bëhet për herë të parë me zëvendësshefe

Për të parën herë në historinë e vet, NATO'ja e ka emëruar një femër në postin e lartë të zëvendës-sekretares së përgjithshme. Në këtë post është emëruar zyrtarja e lartë e Departamentit amerikan të shtetit, Rose Gottemoeller.

Sekretari i përgjithshëm i NATO's, Jens Stoltenberg, tha sot në Bruksel, se zonja Gottemoeller “do të sjell në NATO një përvojë të pasur në politikën e sigurisë ndërkombëtare dhe në fushat siç janë kontrolli i armatimit dhe marrëdhëniet me Rusinë”.

Zëvendës-sekretari i përgjithshëm është posti i dytë më i lartë civil në NATO.

Stoltenberg tha se Gottemoeller do të jetë femra e parë që e ka mbajtur një post të tillë dhe ka vlerësuar se ky është “një moment historik në NATO”, transmeton rel.

Aktualisht Gottemoeller është këshilltare e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, për kontroll të armatimit, mos-zgjerim dhe çarmatim, ka njoftuar NATO.

Në këtë post ajo e zëvendëson, paraardhësin, Alexander Verbshow, që ka shërbyer prej shkurtit të vitit 2012.

NATO-ja tha se Gottemoeller do ta filloj punën në postin e ri në muajin tetor.

(Kosova Sot)