Organizohet Universiteti Evropian Veror i Muzikës

  • 27 June 2016 - 19:46
Organizohet Universiteti Evropian Veror i Muzikës

Nga viti në vit është thënë se gjatë stinës së verës, atëherë kur një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë vijnë për pushime nga vendet e ndryshme të Perëndimit, ka nevojë për organizimin e një numri sa më të madh të veprimtarive, në mënyrë që mërgimtarët të kalojnë sa më mirë pushimet, por njëkohë- sisht edhe të informohen sa më mirë dhe sa më drejt për problemet dhe nevojat e bashkëvendësve të tyre, transmeton gazeta Kosova Sot.

Duke e pasur edhe këtë parasysh, Komuna e Gjakovës është angazhuar që gjatë kësaj vere, në të cilën porsa kemi hyrë, pos manifestimeve të tjera, në këtë qytet të organizohet edhe një eveniment që mbahet për herë të parë, jo vetëm në Gjakovë, por në tërë Kosovën. Fjala është për organizimin e Universitetit Evropian Veror të Muzikës.

Epiqendër e interesimit të dashamirëve të muzikës klasike

Po, nga 8 korriku e deri më 17 korrik, qyteti ynë do të jetë nikoqir dhe organizator i këtij universiteti, që paraqet ngjarje shumë të rëndë- sishme për Gjakovën", ka bërë të ditur Meriton Ferizi, drejtor komunal i Gjakovës për kulturë. Sipas drejtorit Ferizi, gjatë atyre 10 ditëve sa do të zgjatë ky eveniment, Gjakova do të jetë në epiqendër të interesimit të dashamirëve të muzikës klasike, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, meqë është paraparë të marrin pjesë muzikantë dhe profesorë të njohur të muzikës nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe të Amerikës. "Kjo është hera e parë që një universitet i tillë organizohet në Kosovë, prandaj kemi hasur në mirëkuptim tek shumica e ambasadave, që veprojnë në Prishtinë, të cilat do të jenë bashkë- financuese të kësaj veprimtarie. Për mbajtjen e këtij evenimenti do të shfrytëzohen ambientet e shkollës së muzikës "Prenk Jakova" dhe ato të pallatit të kulturës "Asim Vokshi". Në këto ambiente do të mbahen kurse të muzikës, por edhe shumë koncerte të llojeve të ndryshme të muzikës, duke filluar nga ajo e dhomës, orkestrale, instrumentale e deri tek ato të solokëndimit", ka thënë Ferizi.

Eveniment, që do të begatojë jetën verore

Shumë njohës dhe veprimtarë të muzikës në Komunën e Gjakovës e kanë mirëpritur këtë veprimtari, të bindur se do të ndikojë në gjallërimin e jetës muzikore të këtij qyteti gjatë muajve të nxehtë të verës. Këtë e thotë edhe muzikanti i njohur Muharrem Mici. "Jo vetëm për ne që merremi me muzikë, por jam i bindur edhe për të tjerët, ky eveniment do të paraqesë një ngjarje të rëndësishme, për të cilën do të demonstrojnë interesimin e duhur. Paralajmërimet se këtu do të jenë prezent profesorë të njohur nga vende të ndryshme të rajonit, të Evropës, por edhe më gjerë, na bënë që fillimin e punës së këtij Universiteti veror ta presim me interesim", ka thënë Mici. "Në mesin e profesorëve, shumica janë nga vendet e Evropës, e në mesin e tyre ka edhe nga vendet e rajonit, të cilët janë emra të dëshmuar të muzikës, prandaj me të drejtë presim që interesimi të jetë i madh, pasi kur të merret vesh se do të ketë profesorë nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga Amerika, atëherë presim të vijnë shumë mësimdhënës e profesorë të muzikës nga vendet fqinje, siç janë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e tjerë", ka thënë Meriton Ferizi. Është paralajmëruar se kjo ngjarje e rëndësishme për Komunën e Gjakovës do të shoqërohet edhe me organizimin e manifestimeve të ndryshme përcjellëse. Kështu duke e shfrytëzuar pjesëmarrjen e një numri kaq të madh të muzikantëve, do të hapet edhe Muzeu i Muzikës, i cili është i gatshëm.  
 

(Kosova Sot)