Nis rigjykimi i ish-kryeministrit kroat Sanader

  • 27 June 2016 - 20:15
Nis rigjykimi i ish-kryeministrit kroat Sanader

Gjykata e Qarkut të Zagrebit filloi rigjykimin për rastin ”Fimi media” të ish-kryeministrit kroat dhe ish-liderit të HDZ’së, Ivo Sanader, dhe të tjerëve.

Rigjykimi ka filluar me leximin e dokumentacionit, kurse Sanader në gjykatë u paraqit i shoqëruar nga avokatët e tij Jadranka Slokoviç dhe Ivo Prodanoviç.

Gjykimi ka nisur nga fillimi, përpara këshillit gjyqësor të ndërruar të Gjykatës së Qarkut në Zagreb, pasi Gjykata e Lartë vitin e kaluar pati rrëzuar vendimin e shkallës së parë ku Sanader u dënua me nëntë vjet burg dhe kthimin e 15 milionë kunave (rreth dy milionë euro), sipas gjykatës, të fituara në mënyrë të paligjshme.

Zyra Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK), akuzon ish-kryeministrin Ivo Sanader, partinë HDZ, Mlladen Barishiç, Ratko Maçek, Branko Pavosheviç, Nevenka Jurak dhe ”Fimi media” për tërheqjen e më shumë se 70 milionë kunave (rreth 10 milionë euro) nga kompanitë dhe institucionet shtetërore.

Të gjithë të pandehurit në fillim të rigjykimit mohuan fajësinë.

(Kosova Sot)