Iu dha lamtumira e fundit Ilriana dhe Daradane Perteshonit

  • 27 June 2016 - 20:53
Iu dha lamtumira e fundit Ilriana dhe Daradane Perteshonit

Me nderime të mëdha u përcollën sot për në banesën e fundit Iliriana Perteshoni, e cila ishte këshilltare politike e ish – ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferihd Agani, dhe motra e saj Dardana Perteshoni, të cilat humbën jetën dje në një aksident komunikacioni në magjistralen Gjakovë – Klinë.

Paraprakisht në kujtim të tyre nën patronatin e Komunës së Gjakovës, u mbajt një mbledhje komemorative, ku pastaj pranë trupave të pajetë të dy vajzave të reja homazhe bënë përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësues nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, përfaqësues të partive politike, si dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, ish – ministri Ferid Agani është shprehur se me dhimbje të thellë ka marrë lajmin për vdekjen tragjike të Ilirianës dhe Dardanës, derisa tregoi përkushtimin e Ilirianës në punë.

“Iliriana tregoi cilësitë më të larta të një profesionisteje dhe politikaneje të përkushtuar dhe të përgjegjshme në kryerjen e punëve më serioze dhe shtetëror e që i barti në supet e saj. Bartësja dhe ideatorja të realizimit të projektit të bashkimit kombëtar në rrafshineplanifikimit hapësinorë të territoreve të komunave të Prizrenit, Kukësit, Gjakovës, Hasit dhe Tropojës. Bartësja e projektit të odave të arkitektëve dhe inxhinierëve të ndërtimtarisë, udhëheqësja e projektit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në vend, bashkëpunëtorja e parë në verifikimit përfundimtar të kufijve të komunës së Mitrovicës, bartësja e projektit të fondit kombëtar të banimit dhe shumë projekte të tjera të sapofilluara me rëndësi kombëtare dhe shtetërore”, tha Agani.

Ndërsa, në mes lotësh motra e Ilirianës dhe Dardanës, Albana shprehu dhimbjen për vdekjen e papritur të dy motrave të saj, por në të njëjtën kohë edhe krenarinë për shembullin e treguar sa ishin gjallë.

“ Edhe përkundër asaj që shumë insistova që Iliriana të mos nisej për në Prishtinë ajo tha bënë, duhet të shkoj sepse punën duhet ta kryej me profesionalizëm, nuk mundem ta bëj shkel e shko. Për të gjetur një arsyetim … tha se nuk bëhen punët kështu duke gjetur arsyetime. Në mungesë të nënës ato ishin shumë zonja shtëpie, për shoqërinë ishin shumë të dashura dhe në punë shumë profesionaliste dhe çdo kur mërziteshin për nënënIliriana thoshte ‘ Albanë , të zotit jemi dhe te zoti kemi me u kthy’” , tha ajo.

(Kosova Sot)