Mbështetja për Trump-in ka pësuar rënie

  • 27 June 2016 - 22:18
Mbështetja për Trump-in ka pësuar rënie

Mbështetja për kandidatin republikan, Donald Trump, ka shënuar rënie gjatë kohës kur ai ka larguar nga vetja një numër të madh të mbështetësve të partisë së vjetër amerikane. Si rrjedhojë, kandidatja demokrate, Hillary Clinton, tashmë udhëheqë më bindshëm dhe dallimi mes saj dhe Trump-it ka arritur në numër dyshifror. Kështu të paktën thotë sondazhi i më i ri i realizuar nga 'Washington Post'-'ABC News', transmeton gazeta Kosova Sot.

Pothuajse çdo dy në tre amerikanë thonë që Trump-i nuk është i kualifikuar për të qenë president dhe shqetësohen nga ideja që ai mund të jetë presidenti i ardhshëm i vendit të tyre. Numër i përafërt i njerëzve beson që komentet e tij për femrat, minoritetet dhe myslimanët janë paragjykime të padrejta dhe sulmet e tij ndaj një gjykatësi federal, vetëm për shkak të prejardhjes meksikano-amerikane, si raciste. Në anën tjetër, pak më shumë se gjysma e amerikanëve kanë thënë se nuk pajtohen me mënyrën se si Clinton e ka trajtuar çështjen e përdorimit të e-mailit privat për punë zyrtare gjatë kohës sa ka qenë sekretare e shtetit, ndërsa po aq amerikanë janë të shqetësuar nga mundësia që Clinton të bëhet presidente e vendit. Megjithatë, duhet theksuar që pothuajse të gjithë amerikanët, të cilët janë shprehur të shqetësuar nga një mundësi e tillë, e kanë përmendur edhe faktin që mendojnë se as Trump-i nuk është i duhur për atë pozitë.

Kryeson kandidatja demokrate

Rezultatet e sondazhit tregojnë që në nivel nacional, Clinton udhëheqë ndaj Trump-it me një rezultat prej 51 me 39 për qind. Ky është kryesimi më i madh i Clinton-it në një sondazh të 'Post'-it dhe 'ABC'-së që nga vjeshta e vitit të kaluar dhe shënon një ndryshim drastik nga sondazhi i muajit të kaluar, i cili kishte nxjerrë një rezultat pothuajse të barabartë, me Trump-in që kishte një përparësi të lehtë - 46 me 44 për qind. Pothuajse një e treta e republikanëve dhe të pavarurve me prirje republikane thonë që Trump-i nuk është i kualifikuar dhe 18 për qind e tyre thonë që ai nuk i përfaqëson interesat dhe bindjet e tyre. Kjo gjë tregon qartë që kemi të bëjmë me përçarje të mëdha në Partinë Republikane, përçarje këto që do të jenë vështirë për t'u kaluar tani kur jemi duke shkuar drejt konventës së partisë, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Klivlend. Sondazhi në fjalë është kryer në periudhën 20-23 qershor, ndërsa margjina e gabimit është plusminus 3.5 për qind.

(Kosova Sot)