Politikanët i shfrytëzuan partitë për pasurime të paligjshme

  • 28 June 2016 - 07:56
Politikanët i shfrytëzuan partitë për pasurime të paligjshme

 Ramadani: Partitë nuk profilizohen, i frikësohen humbjes së elektoratit.

"Kosova nuk mund të krenohet që tani e sa vjet ka pasur në pushtet parti të djathta, të cilat e kanë pasur për qëllim vetëm pasurimin edhe më tej të shtresës së pasur, duke e kthyer funksionimin e vendit në një sistem plutokrat", shprehet analisti Albrim Badallaj ,shkruan sot Gazeta Kosova Sot

S kena politike e Kosovës, e "populluar" tash e 17 vjet me një mal subjektesh politike, mbetet akoma një terren i mjegullt i partive pa profilizim të qartë ideologjik e programor, që për pasojë ka sjellë edhe ngecje në qeverisjen zhvillimore në favor të ngjalljes së shpresës dhe perspektivës së qytetarit. Kjo sjellje mashtruese e kësaj kaste politike dhe vendnumërimi i vendit në proceset zhvillimore ekonomike e sociale, sipas analistëve të politikës, po sjell edhe kulmin e pakënaqësisë dhe mosbesimit të mëtejmë në këtë klasë politike. Është një bindje e përgjithshme se populli është ngopur me ide dhe projekte të parealizueshme nga qeverisja e kësaj kaste politike, prandaj tani edhe po iu vjen fundi politikanëve mashtrues të Kosovës dhe partive politike të paprofilizuara dhe mashtruese, të cilat zhvatën qytetarin pandalshëm, kurse me veprimet e tyre të papërgjegjshme po e rrezikojnë edhe vetë sovranitetin e vendit."Partitë politike në Kosovë, përveçqë nuk janë të profilizuara qartë, ato shpesh bëjnë edhe veprime të kundërta në ideologjitë që flasin. Thirrën të djathta e bëjnë veprime të majta dhe anasjelltas. Ky është realiteti i profilizimit të partive politike në Kosovë. Po të ishte një vetëdijesim i lartë qytetar, partitë politike nuk do të mundë ta kishin atë luksin e vazhdimit të funksionimit dhe qeverisjen e vendit, duke mashtruar, pasi votuesit nuk do t'i votonin pa përcaktime të qarta. Partitë joserioze politike po përfitojnë nga fakti që pjesa me e madhe e votuesve në Kosovë nuk votojnë në bazë programore e ideologjike, por në bazë të ndjenjave dhe emocioneve, që janë të lidhur qoftë me partinë apo me liderin e partisë",thotë analisti politik Arsim Haziri.

Mungesë e programeve zhvillimore dhe ekonomike Haziri si shembull tipik ka apostrofuar LDK-në, si parti tradicionale nga më të vjetrat në skenën politike të vendit, e cila akoma një pjesë të madhe të votave i merr duke shfrytëzuar emrin e të ndjerit Rugova. Diçka ngjashëm, sipas Hazirit, ndodh edhe me elektoratin e PDK-së."Edhe PDK-ja një pjesë të votave i merr duke pasur për bazë karizmin që ka ndërtuar Hashim Thaçi e kështu me radhë. Prandaj, partitë politike po e shfrytëzojnë ende këtë hapësirë dhe nuk po i japin shumë rëndësi profilizimit partiak, pasi po u shkon loja me qytetarët. Mirëpo, sipas analistit politik Adlum Ramadani, për të qenë skena politike e Kosovës e profilizuar me baza të qarta programore ajo duhet të ketë udhëheqës të qartë vizionarë, profesionalë dhe të mirëfilltë dhe pikërisht nga kjo mungesë lidershipi ngec edhe profilizimi. "Ky lidership tash e 17 vjet thjesht ka trashëguar programe politike, në kuadër të së cilave edhe ka fituar poenë politikë, sepse si të tillë nuk janë të aftë për t'u profilizuar, duke iu frikësuar mundësisë së humbjes së elektoratit. Mungesa e programeve zhvillimore e ekonomike më së miri përkthehet me synimet politike që ata kanë, pra domosdoshmëria për të arritur poste dhe shfrytëzimi i "imunitetit" politik për të përfituar dhe në njëfarë mënyre legjitimuar krimin, duke u pasuruar në barrë të shoqërisë së varfër të Kosovës", u shpreh Ramadani

Nuk ka konkurrencë vlerash midis forcave politike Edhe analisti politik, Albrim Badallaj, pohon se profilizimi i partive politike tek ne nuk përkon me platformat e partive dhe premtimet nëpër fushata parazgjedhore. "Në këtë pikë ka një dallim të madh, meqë ideologjitë mbi të cilat janë formuar tek ne partitë nuk korrespondojnë me platformat e tanishme që i promovojnë ato. Ne e dimë qe ka pasur parti politike, e cila vetëm me një ngritje dore në konventën partiake ka vendosur dhe është ndërruar profilizimi i partisë, nga e majtë në të djathtë, pa pasur fare debat të brendshëm dhe pa i llogaritur pasojat e mundshme të ndërrimit të kursit të brendshëm të partisë. Kosova nuk mund të krenohet që tani e sa vite ka pasur në pushtet parti të djathta, të cilat e kanë pasur për qëllim vetëm pasurimin edhe më tej të shtresës së pasur, duke e kthyer funksionimin e vendit në një sistem plutokrat", shprehet Badallaj. Sipas Badallajt, tani e sa kohë këto parti dhe disa parti të reja që janë duke u krijuar, nuk merakosen për shtresën e varfër që kap mbi 40% të popullsi, duke mos pasur kësisoj as ndihmesa sociale të kënaqshme për ta, por vetëm simbolike, ku disa prej tyre edhe seleksionohen. Sipas politologut Faik Krasniqi, në gjithë këto vite të jetës pluraliste në Kosovë konkurrenca e vlerave politike lë shumë për të dëshiruar midis forcave politike, përmes prezantimit të programeve, të cilat deri më tani nuk kanë dalluar njëra nga tjetra, madje shpeshherë duke u ngatërruar ideologjitë orientuese për të cilat deklarohen."Shumica e politikanëve nuk e kanë të qartë në esencë se çka do të thotë e majtë, e qendrës dhe e djathtë. Prandaj bëjnë 'fiskulturë' duke u deklaruar për profilin e subjekteve të tyre politike",thotë Krasniqi për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se fati i këtyre partive politike mashtruese dhe vetë drejtuesve të tyre do të varet kryekëput nga zgjimi i vetëdijes qytetare. 

(Kosova Sot)