FMN mbyll misionin: Të përforcohet administrata tatimore

  • 28 June 2016 - 13:53
FMN mbyll misionin: Të përforcohet administrata tatimore

Misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur vizitën në Shqipëri.

Përfaqësuesja e FMN-së Anita Tuladhar tha se të ardhurat nga tatimet dhe doganat në përgjithësi janë në përputhje me parashikimet e bëra në buxhet, duke konfirmuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për reformat e ndërmarra.

Tuladhar la si detyrë përshpejtimin e vendosjes së tatimit mbi pronën si dhe kërkoi përparim të reformave strukturore. Përfaqësuesja e FMN­-së tha se sfidë për qeverinë mbetet rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në investimet publike dhe se duhet të përmirësohet zbatimi i investimeve.

Ndërkohë, Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se ekonomia shqiptare po konfirmon stabilitet, ndërsa qeveria i mbetet besnike parashikimit për rritje 3.4 për qind për vitin 2016.

Sipas Ahmetaj qeveria është e angazhuar në përpjekje për të ulur borxhin publik dhe lehtësimin e procedurave tatimore dhe doganore. Ahmetaj bëri me dije se kuadri fiskal po diskutohet me FMN-në dhe se Paketa e re Fiskale do të kalojë në qeveri për miratim brenda korrikut. Sipas tij hiqet frika e biznesit për rritje taksash dhe konsolidohet sistemi.

Në fjalën e tij guvernatori Sejko tha se ekonomia do të vazhdojë të performojë me pozitivitet dhe se plani konsistent mbështet politikat monetare. Ai tha se do të ketë përmirësim progresiv për ritmet e rritjes ekonomike. Guvernatori theksoi se mbajtja e inflacionit brenda objektivave do të jetë graduale dhe në periudhë afatmesme.

(Kosova Sot)