"Energjia është shtyllë e jona tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm" (Foto)

  • 28 June 2016 - 14:37

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori sot pjesë në ceremoninë e inaugurimit të linjës së re të interkoneksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hajredin Kuçi, ministrat Blerand Stavileci dhe Damian Gjiknuri, përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), të operatorëve të energjisë si dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.

Ndërsa gjatë kësaj ceremonie kryeministri Mustafa theksoi me këtë rast se energjia është shtyllë  tepër e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe parakusht i mirëqenies së qytetarëve.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Ju përgëzoj të gjithëve për këtë fitore të madhe të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.

Para gjashtë muajsh në Prishtinë, ne inauguruam përfundimin e punimeve në linjën e interkoneksionit në Kosovë dhe nga afër e pamë një mrekulli të inxhinieringut në energji, një projekt të botës moderne, projekt për ruajtjen e ambientit, por mbi të gjitha projekt i stabilizimit dhe arritjes së qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike të dy vendeve tona.

Sot, unë ndihem krenar që po përurojmë përfundimin e punimeve në pjesën e Shqipërisë, që shënon kompletimin e autostradës energjetike prej 400 KV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbi rëndësinë e këtij projekti flasin qytetarët tanë, flasin partnerët tanë. Këtë autostradë energjetike e vlerësojnë ekuivalente me rrugën e kombit për nga pesha për të dyja vendet tona, natyrisht në një aspekt tjetër zhvillimor.

Energjia është shtyllë e jona tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Kemi nevojë për energji stabile dhe të bollshme për biznese dhe ekonomi familjare, si parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe si parakusht i mirëqenies së qytetarëve tanë.

Rrumbullakësimi i këtij projekti veç tjerash përmbushë edhe zotimet tona që të krijohet një sistem i qëndrueshëm dhe i fuqishëm energjetik dhe të krahasueshëm me vendet tjera në rajon dhe Evropë.

Është kjo një vepër e madhe e një tregu të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, të një tregu, i cili do të zgjerohet më tutje edhe në vende tjera në Evropën Juglindore, por edhe në Evropë në tërësi.

Në Kosovë kemi punuar në disa drejtime thelbësore në këtë fushë; kemi punuar në përmirësimin e efiçiencës së energjisë, krijimin e kapaciteteve të reja prodhuese, tani po punojmë në projektin “Kosova e Re”, investim prej një miliardë euro, që do të sigurojë stabilitet të plotë të furnizimit me energji elektrike të Kosovës, por edhe të shkëmbimit me Shqipërinë, të shpërndarjes së rregullt dhe efiçiente të energjisë dhe po ashtu në fushën e transmisionit, që është projekt, të cilin sot po e inaugurojmë.

Vite me radhë, kompanitë tona si pengesë numër një e të bërit biznes, e kanë pasur kufizimin me energji elektrike.

Me adresimin e shumë aspekteve dhe politikave zhvillimore, po arrijmë që energjinë ta shndërrojmë

ë nga resursi limitues i zhvillimit në një resurs shtytës për investime të brendshme dhe për investime të jashtme. Në prodhimin e energjisë, vendet tona kanë diversitet të resurseve energjetike. Linja e interkoneksionit 400 kilovoltësh Kosovë-Shqipëri, jep vlerë më të madhe këtij diversiteti, pasi që krijon mundësinë e shkëmbimit të energjisë elektrike, atëherë kur është e nevojshme dhe sidomos në stinët kur dy vendet tona kanë mundësi të komplementaritetit të energjisë të gjeneruar nga uji dhe thëngjilli, duke arritur shkallën e efiçiencës ekonomike dhe po ashtu edhe shkallën e ekonomisë, përmes zvogëlimit të shpenzimeve të shkëmbimit të energjisë elektrike. Linja e interkoneksionit të energjisë, të cilën po e inaugurojmë sot, vlerësojmë se është rrugë e jetës së ekonomisë, është frymëmarrje energjetike që siguron stabilitet kompanive biznesore, është një arterie e rëndësisë së veçantë për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona. Është një projekt i përbashkët që ka gjetur përkrahjen e qeverisë gjermane, e cila përmes Bankës Gjermane për Zhvillim e ka financuar realizimin e tij. Projektet e mëdha dhe me ndikim afatgjatë realizohen vetëm përmes bashkëpunimit dhe në përkrahje të partnerëve të fuqishëm ekonomik ashtu siç është Gjermania. Prandaj është ky rast që të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë, për qeverinë gjermane, për Bankën Gjermane për Zhvillim, për shumë projekte të rëndësishme të cilat kanë përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, dhe kanë krijuar kushte për zhvillim ekonomik, për rritje ekonomike dhe për punësim. Projektet si ky hapin shtigje të reja të integrimit në rajon, dhe të integrimit Evropian, sepse kjo krijon kushte të mira tregtare për shkëmbim të energjisë dhe për rrjetin tranzit të energjisë elektrike.

Së bashku me kryeministrin Rama javën e ardhshme do të marrim pjesë në Samitin e Parisit, takimi i tretë me radhë i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor i filluar në Berlin, ku do të trajtohen edhe shumë projekte tjera rajonale të orientuara për lehtësimin e aktiviteteve ekonomik, për bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona, bashkëpunimin në mes të rinjve, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe atë të energjisë. Më lejoni që në fund dhe me këtë rast të përgëzoj institucionet menaxhuese të këtij sistemi nga të dy anët, edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë, për ekspertizën dhe profesionalizmin e treguar deri më tani, që mundësoj edhe përurimin e sotëm të linjës së interkoneksionit. Unë vlerësoj se sukseset tona në sektorin e energjisë, e përshpejtojnë zhvillimin tonë, e përshpejtojnë edhe programin e traktatit të komunitetit të energjisë, por në përgjithësi, dhe veçmas në rajonin tonë. Ju falënderoj shumë për vëmendje, dhe ju uroj të gjithë juve shumë sukses.

(Kosova Sot)

 

ImageImage