Më shtrenjtë uji se buka

  • 28 June 2016 - 18:12
Më shtrenjtë uji se buka

Në Kosovë ka lloj-lloj absurditetesh. Vetëm këtu mund të kushtojë më shtrenjtë uji se buka, ose edhe rryma elektrike në disa raste. Kompania rajonale e ujit "Hidromorava" në Gjilan po i dëmton qytetarët e banimit kolektiv, duke ua faturuar shpenzimet edhe për ujin që e harxhojnë të tjerët. Shumë banorë të lagjes "Iliria" janë befasuar këto ditë nga faturat e ujit, të cilat janë dukshëm më të rritura se muajve të kaluar, shkruan gazeta Kosova Sot.

Po të ishin në fshat, edhe do të arsyetohej disi rritja e faturës gjatë stinës së verës, meqë mund të dyshohet për shpërdorim të ujit për ujitje të kopshteve, freskim të oborreve dhe të tjera, por në banesa kolektive askush nuk ka kopsht, nuk ka oborre a trotuare, as ara për të ujitur. Problemi është se kompania i ka pasivizuar një numër të klientëve, pa i verifikuar nëse ata banojnë ose jo aty, nëse kanë lëshuar dikë me qira apo jo dhe pa llogaritur faktin se gjatës stinës së verës kthehen mërgimtarët, që kanë banesa në këto objekte. Ka mjaftuar që të shkojë dikush në kompani dhe të thotë se nuk banon aty. Inkasantët nuk verifikojnë asnjëherë nëse banon dikush apo nuk banon në një banesë të caktuar. Ndoshta edhe nuk është lehtë t`i verifikojnë, sepse ka banorë që kur shohin përmes vrimës së derës se kush është, nuk lajmërohen fare. Por, zakonisht, ata i lënë faturat nëpër dyer dhe nuk trokasin.

18 euro për bukë, 30 euro për ujë

Nëse veprohet kështu, atëherë dyshimi i qytetarëve të ndërgjegjshëm, i atyre që i kryejnë me rregull obligimet e tyre, se dikush po "flirton" me klientë të pandërgjegjshëm del i arsyeshëm. Mbase, për kompaninë nuk ka rëndësi se kush paguan, me rëndësi për të është që sasia e ujit të harxhuar t`i faturohet dikujt. Nga faturat shihet qartë se ka manipulime. Qytetari N. N.thotë se ai verës paguan gati njësoj, sa për rrymë, aq edhe për ujë. Kjo është absurde. Uji duhet të jetë më i lirë se rryma elektrike. Ai sqaron se përdor enëlarëse, rrobalarëse, bojler, televizor, dy kompjuterë dhe pajisje të tjera dhe nuk shpenzon më tepër se 15 euro gjatë verës. Edhe me ujë thotë se është shumë i kujdesshëm dhe nuk e lë kurrë çezmën hapur pa nevojë."Vetëm në Kosovë ndodh që uji të jetë më i shtrenjtë se buka", thotë ai. Nëse llogaritet edhe çmimi i ujit që zakonisht blihet për pije, atëherë shuma dyfishohet, që do të thotë se një qytetar shpenzon mesatarisht 30 euro në muaj për ujë. Për bukë, nëse çdo ditë i blen nga dy bukë, nuk shpenzon më tepër se 18 euro. "Hidromorava" duhet t`i marrë parasysh ankesat e qytetarëve dhe ta ulë çmimin e ujit në 5 euro për parapagues, ashtu siç e ka "Ecohigjiena", ose ta llogarisë në bazë të numrit të banorëve dhe jo ta faturojë si të mundet. 

Të pandërgjegjshmit falen 

Është anomali e llojit të vetë që një qytetar të paguajë për ujë më shumë se për bukë, për rrymë, për mbeturina dhe për shumë shërbime të tjera. Uji është pasuri kombëtare, ku qytetarët duhet të taksohen minimalisht dhe jo kaq shumë sikur tani. Ky qytetar, që preferon të mbetet anonim, sepse ky nuk është vetëm halli i tij, sqaron se deri tani nuk ka asnjë cent borxh, por tani e tutje nuk do të paguajë më për ujë. Ka vendosur të ballafaqohet në gjyq me kompaninë, për të arsyetuar se atij dhe të tjerëve po u faturohet uji që nuk e kanë harxhuar. Këtë ai e arsyeton me krahasimin e faturave, ku shihet qartë dallimi, që është trefish më i madh. "Pse duhet të paguajmë ne, për të tjerët", thotë ai. Kompania duhet të gjejë zgjidhje. Ajo nuk ka të drejtë t`ia faturoj dikujt tjetër ujin e shpenzuar nga dikush tjetër. Por, në Kosovë lejohet edhe kjo. Në Kosovë ndodh që qytetari që paguan rregullisht "ndëshkohet" në këtë mënyrë, ndërsa ata që nuk paguajnë me vite, falen me vendim qeverie. Vetëm në Kosovë, uji kushton më shtrenjtë se buka. Në Kosovë është vështirë të jesh i ndërgjegjshëm. 

(Kosova Sot)