'Nuk linda fëmijë, u preka nga kanceri në gji'

  • 28 June 2016 - 19:13
'Nuk linda fëmijë, u preka nga kanceri në gji'

Kur Susan Leeming e kishte kuptuar që vuante nga shkalla e tretë e kancerit të gjirit në moshën 42-vjeçare, ajo ishte gëzuar që nuk kishte fëmijë për t'i shqetësuar me këtë lajm. Mirëpo, pikërisht kjo gjë kishte dalë të jetë shkaktari i sëmundjes së saj, transmeton gazeta Kosova Sot.

Kjo pasi që biopsia e kryer ka treguar që qelizat e kancerit në trupin e Susan-ës ishin shfaqur pikërisht për shkak të faktit që ajo nuk ishte bërë asnjëherë nënë. Asaj i ishte thënë që femrat të cilat lindin fëmijë kanë nivel më të ultë të estrogjeneve, derisa niveli i estrogjeneve në trupin e saj ishte tmerrësisht i lartë, saqë kishte shkaktuar sëmundjen.

Edhe nënën e humbi nga kanceri

Sasan ka thënë: "Nuk mund ta besoja. Fakti që vendimi im për t'u mos u bërë prind ma ka shkaktuar kancerin ishte një gjë që nuk mund ta imagjinoja". Susan ka qenë në moshën njëzetvjeçare kur doktori i kishte thënë që gjasat që ajo të bëhej nënë ishin shumë të vogla, pasi që kishin kaluar disa vjet që ajo nuk kishte pasur cikle menstruale. Ajo ishte martuar në vitin 2000 dhe një vit më vonë e kishte humbur nënën e saj, si pasojë kancerit të gjirit. "Dhimbja më pati goditur shumë pas vdekjes së nënës", ka thënë ajo. Bashkëshorti i saj, i cili veçse kishte dy fëmijë të vet, kishte propozuar që të mundoheshin të lindnin fëmijët e tyre. "Ka qenë tunduese", ka thënë Susan."Mirëpo nuk ndihesha sikur ishte koha e duhur, andaj edhe pata vendosur që ta mos e bëja një gjë të tillë". Shtatë vjet më vonë ajo kishte gjetur një gungë në pjesën e djathtë të gjoksit të saj dhe më pas ishte diagnostikuar me shkallën e tretë të kancerit të gjirit. Ajo suksesshëm i ishte nënshtruar mastektomisë dhe i ishte thënë që kishte nevojë për kimioterapi. 

Kumtimi i lajmit të tmerrshëm

Pastaj onkologu ia kishte dhënë lajmin e tmerrshëm që kanceri ishte i ndërlidhur me nivelin e hormoneve. Vendimi i saj për të mos lindur fëmijë kishte nënkuptuar që vezoret e saj nuk i kishin "pushuar" asnjëherë nga prodhimi i estrogjeneve, duke bërë që niveli i këtyre hormoneve në trupin e saj të ishte më shumë se pesëfish më i lartë sesa mesatarja e femrave të moshës 35-vjeçare. "U pata shkatërruar", ka thënë Susan-a nga Noruiçi i Anglisë. "Asnjëherë nuk do ta kisha menduar që shmangia e lindjes së fëmijëve do të mund të shkaktonte kancer. Jam ndier fajtore pse nuk kam lindur fëmijë, megjithatë asnjëherë nuk do ta kisha sjellë në jetë një fëmijë, vetëm për ta mbrojtur veten", ka thënë ajo. Në mars të vitit 2009 asaj i ishte thënë që ishte çliruar nga kanceri. Ajo ka thënë: "Jam e lumtur e falënderuese për çdo ditë që e kam jetuar pa kancer, megjithatë ende nuk mund ta besoj që ky është çmimi që më është dashur ta paguaj për faktin që nuk kam pasur fëmijë". Pasi që i kishte mbijetuar trajtimin, Susan-ës i ishin përshkruar tri injektime mujore për kontrollimin e nivelit të estrogjeneve, që kishin ndikuar në rënien e nivelit të këtyre hormoneve nga 195 në 18 në maj të vitit 2011.  

(Kosova Sot)